Rivaldo i del në mbrojtje Neymar: Luaj siç di ti, të kritikojnë se janë xhelozë
Neymar në ndeshjen e fundit të Brazilit tregoi përmirësime në lojë, por atë që nuk shmangu dot braziliani ishin rrotullimet në fushë për të cilat po akuzohet gjerësisht nga figura të njohura të sportit.
Në këtë situatë padiskutim që në mbrojtje të 26-vjeçarit do të jenë bashkëkombësit e tij. Pas Ronaldos, fenomenit, në mbështetje të Neymar ka dalë edhe një ikonë e futbollit në Brazil si Rivaldo.
Ish-futbollisti i Barcelonës dhe Milan në rrjetet sociale ka shkruar: “Neymar, luaj ashtu siç di. Luaj siç ke luajtur gjithmonë dhe mos u shqetëso aspak për komentet që bëjnë të tjerët, sepse ndoshta shumë njerëz kanë shkuar në shtëpi…
Nëse duhet të driblosh, driblo, nëse do të japësh një pasim jepe, nëse do të shënosh, shëno, nëse do të rrëzohesh sepse të shkaktojnë faull, rrëzohu. Dhe nëse do të fitosh kohë i shtrirë në fushë, fitoje. Sepse të gjithë do të bënin të njëjtën gjë. Problemi është se ti je ende në Botëror dhe je një idhull për kombin tonë, ndërsa të tjerët janë në shtëpi. Kjo gjë i shqetëson shumë të tjerët. Ngjiti shkallët siç po bën gjithmonë me futbollin tënd”, ishte mesazhi i Rivaldos për Neymarin.
Kujtojmë që nesër Brazili do të luajë në çerekfinale të Botërorit kundër Belgjikës dhe shërbimet e Neymar do të jenë me shumë mundësi deçizive për fatet e ‘seleçaos’.
KOHA JONË SONDAZH

