“Shpërthen” Maradona: Kolumbia u vodh, arbitri ishte hajdut
Diego Armando Maradona nuk ndryshon kurrë dhe as ka ndërmend ta bëjë. Pasi humbi Messin me shokë, Diego u transformua në një tifoz të Kolumbisë, edhe kjo e eliminuar një natë më parë në 1/8-at e finaleve nga Anglia, pas gjuajtjes së 11-metërshave.
Një eliminim ky që shkaktoi irritimin e Maradonës, si gjithmonë, por këtë herë tej limiteve të parashikuara. Zemërimi i “El Pibe de Oro”-s erdhi mbi të gjitha nga penalltia e kontestueshme që iu akordua anglezëve për të zhbllokuar rezultatin.
“Kolumbia pësoi një grabitje monumentale. Arbitri Geiger, një gjyqtar amerikan, ndoshta mund t’i njohë mirë rregullat e bejsbollit, por jo aq edhe ato të futbollit. Ai është një hajdut! Ndërhyrjen e gabuar faktikisht e shkaktoi Kane, por ai dha penallti kundër kolumbianëve, të cilët humbën pa pasur asnjë faj. Përse nuk kërkuan ndërhyrjen e VAR-it?
I duhet kërkuar falje popullit kolumbian. Arbitrat i përzgjedh Collina, i cili është nominuar nga Infantino, me këtë të fundit që duhej të çlironte FIFA-n nga korrupsioni dhe nga hajdutët. Por, në këtë ndeshje kemi parë krejt të kundërtën. FIFA është ende ajo e vjetra dhe e trukuara. Më dolën lot kur më premtoi se do ta çlironte FIFA-n nga kalbësirat, por jo”.
KOHA JONË SONDAZH

