Shqipëria në Botërorët e futbollit

Nga Skifter Këlliçi,
Boston, SHBA

Pas një udhëtimi kaq të gjatë nëpër labirintet e planetit të futbollit, të nisur që nga viti 1930, kur botërori i futbollit zhvillohej në një nga vendet më të vogla të Amerikës së Jugut, në Uruguain e pak më shumë se dy milionë banorëve të atëhershëm, balloni ynë ndalet në një nga vendet më të vogla të kontinentit evropian, në Shqipërinë tonë, një vend që atëherë kishte më pak se një milion frymë!…

Dhe kur Uruguai vinte në kokë kurorën e kampionit botëror, siç kishte vënë në gjoks dy herë medaljet e arta olimpike të futbollit më 1924 dhe ’28 në Anversë dhe Paris, Shqipëria organizonte të parin kampionat të futbollit me… 6 skuadra.

Swiss Digital Desktop Reklama

Dy vjet më pas bëhej edhe anëtare e FIFA-s, por skuadra kombëtare krijohej në vitin 1938, që të shkonte në Suedi për një turne me ndeshje miqësore, që nuk arritën të zhvilloheshin, për halle jo të pakta që shqiptarët mbanin atëherë mbi kurriz…

Swiss Digital Mobile Reklama

Mirëpo më 1946 kombëtarja jonë, jo vetëm që u rikrijuas, por edhe fitoi Ballkaniadën e vitit 1946, duke lënë pas Jugosllavinë dhe Rumaninë, që, siç e kemi përshkruar, kishin “marrë mësimet” e botërorit të parë uruguajan, pastaj po në këtë turne edhe Bullgarinë.

Po kjo kombëtare, ku shquheshin Pozeli, Dibra, Llambi, Fagu, Spahiu, Kavaja, Vathi, Teliti, Parapani, Gjinali, Boriçi, Biçaku, Mirashi, Demneri etj., ndodhej në vendin e dytë pas Hungarisë në Kampionatin e Evropës Qendrore, duke arritur fitore me Rumaninë (1-0) në Bukuresht, barazim me Jugosllavinë dhe Hungarinë, përkatësisht në Beograd dhe Tiranë, me rezultatin 0-0, kampionat që u ndërpre për shkak të përjashtimit të Jugosllavisë nga diktatori Stalin prej të ashtuquajturit kamp socialist.

Dhe pas një sërë ndeshjesh miqësore me skuadra të vendeve të Lindjes komuniste, si Bullgaria, Rumania, Hungaria, Çekosllovakia, Polonia, ku patëm fitore, barazime, por edhe humbje, madje të thella, si me Hungarinë e famshme të Pushkashit në Budapest (0-12), që siç do të shohim u bë nënkampione e botës më 1954 pas Gjermanisë Perëndimore, erdhi viti 1964, viti i Kampionatit të Dytë Evropian, ku ne u mënjanuam në ndeshjet në grupe. Kështu, për herë të tretë Shqipëria merrte pjesë në një kuvend ndërkombëtar të futbollit, këtë radhë të rangut evropian.

Dhe pa kaluar dy vjet ajo bëhej pjesëmarrëse e një veprimtarie më të madhe, e mënjanueseve për Botërorin e Anglisë më 1966, në të cilin sillte një të papritur, e cila pati bërë atëherë bujë në tërë botën. Dhe ja se si:

Kombëtarja jonë u ndodh atëherë në një grup me Zvicrën dhe Irlandën e Veriut. I humbi të tëra ndeshjet. Mbeti ndeshja e fundit me Irlandën e Veriut në Tiranë. Ajo u zhvillua më 24 nëntor të vitit 1965. Pas një zhytjeje me kokë, Zhega barazoi 1-1. Ky barazim i kushtoi shtrenjtë skuadrës së Bestit, atëherë ndër futbollistët më të njohur të Evropës, sepse ajo u mënjanua nga finalet e atij botërori. Dhe do të kishte qenë hera e dytë që katër skuadra të Britanisë së Madhe të merrnin pjesë në një botëror, ku finalistët ishin gjithsej 16!..

Përfaqësuesja jonë në këtë ndeshje kishte këtë përbërje: Janku, Frashëri, Halili, Kasmi, Mema, Shllaku, Andoni, Ragami, Zhega, Haxhiu, Rudi.

Si tani e mbaj mend se sa u gëzua Foni, trajneri i Zvicrës dhe ish-mbrojtës i “axurrëve” më 1938 në botërorin francez, që e ndoqi ndeshjen me zemrën pezull nga tribuna e Stadiumit “Qemal Stafa”, dhe sa u hidhërua Kevni, presidenti i Federatës Irlandeze të Futbollit, që ishte edhe nënpresident i FIFA-s, hidhërim të cilin e shprehu fill pas ndeshjes në një intervistë që i mora për Radio Tiranën.

Le të bëjmë tani një panoramë të shpejtë të rrugëtimit të kombëtares sonë nëpër mënjanueset e botërorëve të futbollit deri sot. Mjerisht, ajo asnjëherë nuk ka mundur të depërtojë deri në finale të një botërori ose të paktën të zerë vend nderi në grupet mënjanuese… Më pranë, siç do të shohim, kjo ka ndodhur vetëm në Botërorin Meksikan të vitit 1986 dhe në Botërorin e fundit 2026 që do të fillojë këtë qershor.

Botërori i vitit 1970, Meksikë

E çuditshme, por Shqipëria me urdhër nga… Kupola e Kuqe, tërhiqet nga ndeshjet e turneut mënjanues të këtij botërori. Rezultatet e dobëta të përfaqësueses sonë dhe gjendja e vështirë ekonomike, ja cilat janë arsyet. Por çuditërisht, pas barazimit sensacional 0-0 të Kombëtares sonë në Tiranë me Gjermaninë Perëndimore, nënkampione e botës, në dhjetor të vitit 1967 – barazim që e mënjanon atë nga finalet e Euro ’68-ës – Kupola e Kuqe kujtohet të urdhërojë FSHF-në të bëjë kërkesë që të marrë pjesë në këtë botëror. Por është tepër vonë…

Botërori 1974, RF Gjermane

Ndodhemi në një grup me Rumaninë, RD Gjermaninë dhe me Finlandën. Është hera e parë dhe e fundit që si gazetar i RTSH-së dërgohem në Helsinki që të ndjek takimin Finlandë-Shqipëri, të cilin e humbasim 1-0, kur barazimi duhej të ishte rezultati më i drejtë, po të marrim parasysh një rast të rrallë të Panos që gjuan jashtë. Por në Tiranë ua shpagojmë 1-0 nordikëve flokëverdhë dhe arrijmë të vetmen fitore. Humbjen më të rëndë e pësojmë me gjermano-lindorët 1-4, të cilët ama, në finalet e botërorit që zhvillohen në RF Gjermane, arrijnë në grup të mposhtin 1-0 vëllezërit “armiq” të Gjermanisë Perëndimore të Bekenbauerit me shokë, të cilët bëhen kampionë të botës.

Botërori 1978, Argjentinë

Përsëri, për rezultate të dobëta nuk marrim pjesë në këtë botëror.

Botërori 1982, Spanjë

Sërishmi në një grup me gjermanët, por këtë radhë të Perëndimit që na kanë halë në sy, e pastaj me Austrinë, Bullgarinë. Përsëri vetëm një fitore dhe përsëri me Finlandën, si ne, ”hirushë” të futbollit botëror, madje këtë radhë fitojmë 2-0 me gola të Brahos dhe mbrojtësit Baçi. Por me gjermano-perëndimorët tronditemi thellë… 0-8 në Dortmund! Analizë në një mbledhje të gjerë. Por ka specialistë që vënë gishtin atje ku dhemb dhe njëri ka guximin të shprehet: ”Niveli i futbollit tonë nuk ngrihet pa fusha dhe pa topa!”

Botërori 1986, Meksikë

Ndoshta rezultati më i mirë që kemi arritur në botërorët e futbollit. Humbasim 1-3 me belgët në Bruksel, barazojmë 2-2 me polakët në Mielec. Madje udhëheqim 2-1 pas golave të Omurit që barazon 1-1 dhe Kolës (2-1). Polakët arrijnë vetëm të barazojnë. Pas golave të Josës dhe Mingës, ua marrim hakun belgëve në Tiranë (2-0, më 22 dhjetor 1984).

Shkojmë në Athinë (27 shkurt 1985). Duhet të arrijmë të paktën një barazim dhe ndoshta-ndoshta… të sigurojmë vendin e dytë?!.. Botoj në “Hosteni”, një shkrim humoristik me titullin domethënës “Nga Athina, a duket Meksika?”. Është hera e parë që një ndeshje ndërkombëtare transmetohet nga TVSH-ja me figurë të marrë nga mali i Gllavës dhe me komentimin tim nga studioja në Tiranë.

“Kujdes, shqipto vetëm emrat e lojtarëve!”, më thotë një nga drejtuesit e RTVSH-së. Është urdhri nga Kupola e Kuqe… Kanë më frikë nga shprehjet dhe krahasimet e mia me figura, të cilat janë të panjohura për “kryekomentatorin”. Por, “për fat të keq” të tyre, ai ndodhet me transmetime basketbolli jashtë Tiranës! (Sepse di të “komentojë” të gjitha llojet e sporteve që transmetohen në TVSH). Dhe komentoj me… gërshërë në gjuhë, por ama bëj edhe komente!.. Pas ndeshjes ka shokë që më thonë: gjatë dy orëve të ndeshjes rrugët e Tiranës qenë tërësisht të shkreta. Të tërë ndjekin ndeshjen. Fatkeqësisht humbasim 2-0.

Humbasim dhe me Poloninë 1-0, pas golit të Boniekut, që 20 orë më parë (28 maj 1985) kishte luajtur me “Juventusin” për finalen e Kupës së Kampionëve në Bruksel kundër Liverpulit (1-0). Barazojmë me Greqinë 1-1 në Tiranë, por sidoqoftë, renditemi të tretit, duke lënë pas atdheun e Homerit.

Shqipëria në këto ndeshje ka këtë përbërje: Musta, Ragami, Zmijani, Targaj, Hodja, Bimo, Josa, Demollari, Muça, Omuri, Minga, Abazi, Kola, Marko, Hodja, Ocelli, Vila, Eksarko, Lame, Ballgjini… Trajner: Shyqyri Rreli.

Botërori 1990, SHBA (Shënim: Në të vërtetë eliminatoret ishin për Botërorin Itali 1990, por u zhvilluan në këto vite)

Është hera e parë që nuk fitojmë asnjë pikë. Pra, humbje me Suedinë, Anglinë, Poloninë. Madje me Anglinë 0-5 në “Uembli” legjendar, ku Nallbani 18-vjeçar është portieri më i ri që ka luajtur në këtë stadium. Sidoqoftë, në këtë situatë jo të këndshme, ndjej kënaqësi kur një gazetar anglez më njofton se kapitulli i Shqipërisë prej 40 faqesh, që përfshihet në “Vjetarin e Futbollit Evropian” (“The European Football Yearbook”, botim i UEFA-s) – me të cilin bashkëpunova nga viti 1987 deri më 1998, kur u largova për në SHBA – është vlerësuar nga shtypi i huaj.

Botërori 1994, SHBA (Shënim: Finalet u luajtën në SHBA)

Pas shembjes së komunizmit në Evropën Lindore janë krijuar shtete dhe federata të reja të futbollit. Veç Spanjës, Irlandës, Danimarkës, Irlandës së Veriut, në grupin tonë përfshihen dy republika baltike. Dhe pa tradita në futboll! (Më 1994 nisin e në botërorët e ardhshëm do të marrin pjesë edhe skuadra shtetesh të tjera). Dhe përsëri të fundit me 4 pikë (1-0 me Lituaninë dhe 1-1 me Letoninë në Tiranë). Dhe me një humbje të thellë me Spanjën (1-5).

SHQIPËRIA NË BOTËRORËT E FUTBOLLIT

Pjesa e dytë

Nga Skifter Këlliçi

Botërori 1998, Francë

Përsëri të fundit, përsëri me vetëm 4 pikë: barazim me Armeninë 1-1 dhe fitore me Irlandën e Veriut në Tiranë 1-0, me të cilat humbasim në fushat e tyre. Humbje të dyfishta me skuadrat e tjera të këtij grupi: me Gjermaninë, tashmë të bashkuar, me Ukrainën, Portugalinë. Por duhet thënë se gjermanët heqin të zitë e ullirit për të fituar: 3-2 në Tiranë dhe 4-3 në Hanover, që është edhe takimi i 136-të i përfaqësueses sonë. Në Tiranë, në minutën e 15′, Raklli humbet një 11-metërsh. Pastaj shënon Kola në 62′, barazon Kirsteni pas një minute, dhe në 80′ e 84′ është përsëri ai që shënon për gjermanët. Në 90′ Kola shkurton largësinë.

In Hanover, më 11 tetor 1997, ndeshja e kthimit: në 57′ autogol i Kohlerit. Pastaj shënon Helmeri. Barazim 1-1. Në 64′ Birhofi shënon, 2-1 për gjermanët. Pas katër minutash barazon Vata, 2-2. Pastaj në 86′ Marshalli shënon për gjermanët, 3-2. Në 90′ barazon Vata, 3-3. Dhe në 91′ golin e fitores e shënon Birhofi, 4-3. Si në takimin Itali – Gjermani 4-3 me shtesë, në Botërorin Meksikan më 1970. Por këtu, 7 gola në 45 minuta!..

Shqipëria luajti me këtë përbërje: Strakosha (Panionios, Gr.), Tole (Partizani) / (Gallo 85′, Thun, Zv.), Shulku (Partizani), Xhumba (Iraklis, Gr.), Vata (Apollon, Gr.), Fakaj (Toledo, Spa.), Haxhi (Panachaiki, Gr.), Bushi (Apollon, Gr.) / (Prenga, Tirana), Kola (Panathinaikos, Gr.), Halili (Delémont, Zv.), Tare (Fortuna, Gjer.).

Botërori 2002, Kore e Jugut / Japoni

Dhe këtu mbetemi përsëri të fundit. Si shpeshherë arrijmë vetëm një fitore, por ama 2-0 kundër Greqisë në Tiranë (7 tetor 2000!..). Mirëpo ”hirushja” jonë binjake, Finlanda, na mposht dy herë: në Helsinki 2-1 dhe në Tiranë 2-0! Në këtë grup vendin e parë e zë Anglia me 17 pikë, e ndjekur nga Gjermania me 16, Finlanda me 12, Greqia me 7 dhe Shqipëria me 3 pikë…

Botërori 2006, Gjermani

Më në fund nuk jemi të fundit! Renditemi të pestët pas Ukrainës, Turqisë, Danimarkës, Greqisë dhe lëmë pas jo një, por dy ekipe: Gjeorgjinë me traditë në futboll dhe Kazakistanin, ish-republikë aziatike e Bashkimit Sovjetik. Dhe grumbullojmë 13 pikë!

Në shtator të vitit 2004 mposhtim në Tiranë 2-1 Greqinë, e cila në qershor të atij viti kishte fituar Euro 2004-ën, duke mundur në Lisbonë Portugalinë 2-1. Pastaj fitojmë kundër Gjeorgjisë 3-2 në Tiranë, Kazakistanit 2-1 dhe përsëri në Tiranë 1-0, si dhe barazojmë me Ukrainën 2-2 në Kiev!

Botërori 2010, Bashkimi Jugafrikan

Mjerisht, bëjmë një hap prapa… sepse lëmë pas vetëm Maltën, në një grup ku para nesh, sipas radhës, renditen: Danimarka, Portugalia, Suedia, Hungaria. Barazojmë në Bragë me Portugalinë e K. Ronaldos 0-0, dhe po me këtë rezultat me Suedinë në Tiranë; pastaj mundim Maltën 3-0 me gola të Bogdanit (46’), Duros (64’) dhe Dallkut (90’). Pastaj barazojmë me të 0-0 në La Valeta. Dhe po barazim (1-1, më 9 shtator 2009) arrijmë po në Tiranë me Danimarkën (Bendtner 40’ dhe Bogdani 51’). Gjithsej 7 pikë, kur Hungaria, një shkallë më lart se ne në renditjen e këtij grupi, grumbullon 16!

Botërori 2014, Brazil

Edhe këtë radhë me 11 pikë lëmë pas vetëm një ekip, atë të Qipros, kur skuadrat e tjera të grupit tonë kanë këtë renditje: Zvicra 24, Islanda 17, Sllovenia 15, Norvegjia 12. Por në ato 11 pikë – të cilat sikur të kishim pasur edhe pak fat do të ishin edhe më shumë dhe renditja edhe më e mirë – ka ndeshje plot emocione:

Fitore me Qipron në Tiranë 3-1, me gola të Konstantinou 35’ (autogol), Çanit 36’ dhe Bogdanit 87’. Humbje me Zvicrën në Bernë 2-0, ku një gol e shënon kosovari Shaqiri që është pjesëtar i “Bajernit” të Mynihut, i cili, po të luante në radhët tona, mbase këtë gol mund ta kishte shënuar në portën zvicerane. Fitore me Slloveninë në Tiranë 1-0, më 18 tetor 2012, me gol të Roshit në 36’. Fitore edhe më 22 mars të vitit 2013 në Oslo kundër Norvegjisë 1-0, me gol të Salihit në 67’, nga fitoret e rralla të përfaqësueses sonë jashtë vendit.

Por kur në Tiranë pritet fitorja, barazojmë me norvegjezët 1-1, ku golin tonë e shënon Rama në 41’. Por në Tiranë humbasim përsëri me Zvicrën 1-2, ku një nga golat në portën tonë, për ironi të fatit, e shënon përsëri kosovari Shaqiri.

Botërori 2018, Rusi

In ndeshjet e kualifikimit për këtë botëror zëmë vendin e tretë në Grupin G midis 6 skuadrash, vend i nderuar po të marrim parasysh se lëmë pas Izraelin, Maqedoninë, Lihtenhtajnin; ndërsa vendin e parë dhe të dytë ua lëmë përkatësisht Spanjës (kampione botërore në vitin 2010) dhe Italisë (4 herë kampione botërore).

Fitojmë në Shkodër me Maqedoninë 2-1 me gola të Sadikut në 9’ dhe të Balajt në 89’, pasi Alioski ka barazuar përkohësisht në 51’ për maqedonasit. Fitojmë pastaj me Lihtenhtajnin 2-0 me autogol të Göppel në 12’ dhe gol të Balajt në 71’. Po në Shkodër humbasim 0-2 me Spanjën me gola të Kostës dhe Nolitos në 55’ dhe 63’. Kjo humbje pasohet edhe nga një humbje tjetër në Shkodër (0-3) me Izraelin, pas golave të Zahavit në 18’ me 11-metërsh, dhe të Einbinderit e Atarit në 66’ dhe 84’. Pastaj na mund Italia në Palermo 2-0 me gola të De Rossit dhe Immobiles në 12’ dhe 71’.

Hakmerremi kundër Izraelit në fushën e këtij të fundit (3-0) me dy gola të Sadikut në 22’ dhe 44’ dhe të Memushajt në 71’. Pastaj ‘gëlltisim’ Lihtenhtajnin 2-0 në fushën e kundërshtarit me gola të Roshit në 54’ dhe Agollit në 78’. Barazojmë pastaj në Shkup 1-1 me Maqedoninë në Strumicë, kthehemi të mundur nga Spanja 0-3 pas golave të Rodrigos në 16’, Iskos 24’ dhe Thiagos në 27’, për të humbur sërishmi, por 1-0 me Italinë në Shkodër pas golit të Candrevas në 73’ pas një loje të kënaqshme.

Botërori 2022, Katar

Në këtë grup zëmë vendin e tretë pas Anglisë dhe Polonisë, dy skuadra me autoritet, dhe mund të themi se nuk dështojmë, po të marrim parasysh se lëmë pas Hungarinë me traditë, dhe Andorrën me San Marinon – dy ‘liliputë’ në futbollin botëror.

Albania national team win against Andorra in 2022 FIFA World Cup qualifying  match | Albanian Telegraphic Agency.

Fitojmë me këtë të fundit 1-0 në Andorrë me gol të Lenjanit në 41’ para 285… shikuesve, humbasim 0-2 me Anglinë në Tiranë pas golave të Kane dhe Mount në 38’ dhe 63’, mundim San Marinon në fushën e saj me gola të Manajt dhe Uzunit në 63’ dhe 85’, mundemi pastaj nga Polonia në Varshavë 4-1, ndeshje në të cilën golin tonë të vetëm e shënon Cikalleshi në 25’.

Më pas korrim një fitore historike kundër Hungarisë në Tiranë 1-0 me gol të Brojës në 87’, shpartallojmë San Marinon po në Tiranë 5-0 me gola të Manajt në 32’, Laçit në 58’, Brojës në 68’, Hysajt në 68’ dhe së fundi të Uzunit në 80’. Jo vetëm kaq, bëjmë një tjetër mrekulli në Budapest ku mposhtim sërishmi Hungarinë 1-0 me gol të Brojës në 80’, edhe kjo një fitore historike për ne. Për fat të keq, humbasim 5-0 me Anglinë ku tre gola na ‘jep me vete’ Kane (në 18’, 33’, 47’) dhe dy të tjerë Maguire në 9’ dhe Hendersoni në 28’. Ndeshjen e fundit me Andorrën e fitojmë 1-0 në Tiranë pas golit të Çekiçit në 73’ me 11-metërsh.

Botërori 2026, SHBA, Kanada, Meksikë 

Është botërori në të cilin për herë të parë Shqipëria, e drejtuar nga trajneri brazilian Silvinjo, arriti të kalojë ndeshjet në grupin e saj. Ajo zuri vendin e dytë pas Anglisë dhe la pas Serbinw, Letoninë dhe Andorrën, duke fituar të drejtën të luante në Fazën Play-Off, që mund të na kualifikonte për në fazën finale të Botërorit 2026.

Tanët humbën takimin e parë në Londër me Anglinë, 2-0 pas golavë të Kellit dhe Kejnit në 20’ dhe 77’. Pastaj fituan me Andorrën 3-0 (shënuan Manaj në 9’ dhe 19’ dhe Uzuni 92’). Takimi me Serbinë në Tiranë përfundoi 0-0. Pastaj tanët barazuam 0-0 me Letoninë, madje me fat, sepse leonezi Çernomordijsi shënoi gol në portën e… vet në 49’, pasi kishte shënuar në portën tonë në 29’. Në ndeshjen e kthimit me Letoninë në Tiranë tanët arritën një fitore shumë të çmuar, 1-0, me gol të Asllanit në 25’ me 11-metërsh.

Ndeshjen e kthimit me Serbinë ata e zhvilluan në stadiumin e qytetit të vogël Leskovac, në prani të 4,350 shikuesve, për të mënjanuar të papriturat nga tifozët fanatikë serbë në Beograd. Siç kishte ndodhur në takimin skandaloz të vjeshtës së vitit 2014 midis këtyre dy përfaqësuesve në Beograd, të ndërprerë në minutat e fundit të pjesës së parë, kur rezultati ishte i bardhë, 0-0.

Shkak u bënë futbollistët serbë kur panë të ulej në fushën e stadiumit një dron me hartën e Shqipërisë etnike, që solli sulmin e tyre dhe të shumë tifozëve serbë ndaj futbollistëve tanë dhe ndërprerjen përfundimtare të ndeshjes që atë çast. (Me vendim të Komisionit Disiplinor të UEFA-s, fitorja iu dha në tryezë përfaqësueses sonë).

Të gjithë besoj e mbajmë mend dhe nuk e harrojmë golin e Manajt në 40’ që na dha fitoren e beftë, por të merituar. Tanët arritën pastaj të mposhtnin vërtet me vështirësi Andorrën 1-0 në Andorrë me gol të Asllanit në 67’, dhe kështu zumë vendin e dytë në këtë grup me 14 pikë, duke lënë një pikë pas serbët të mënjanuar, kurse anglezët përfunduan të parët me 24 pikë.

Në këtë ndeshje përfaqësuesja jonë u paraqit me këtë përbërje:
Strakosha, Hysaj, Ajeti, Xhimshiti; Laçi, Asllani, Shehu; Broja, Manaj, Uzuni.

Kështu më 26 mars u ndodhëm në Play-Off përballë Polonisë së Levandovskit në Varshavë. Arritëm, madje, të mbyllnim pjesën e parë 1-0 me gol të Hoxhës në minutat e fundit të pjesës së parë. Por në pjesën e dytë, pas daljes së vonuar të portierit Strakosha gjatë një gjuajtjeje këndi, Levandovski nuk e pati të vështirë të shënonte golin e barazimit me kokë, që u pasua me golin e Zielinskit me një gjuajtje ballore jashtë zonës së rreptësisë, pas një kërcimi disi të vonuar të Strakoshës.

Megjithatë, Shqipëria, falë edhe trajnerit brazilian Silvinjo, u largua kokëlart nga ky botëror, duke fituar edhe respektin e botës sportive. Futbollistët shqiptarë njihen dhe në arenën ndërkombëtare. Shumë prej tyre bëjnë pjesë në ekipet më të forta të kampionateve evropiane, njihen dhe admirohen prej tyre edhe kur luajnë me përfaqësuesen tonë. Urojmë që ajo të na përfaqësojë denjësisht edhe në turnetë e kualifikimit të Evropianit që zhvillohet pas dy vitesh në Angli, dhe pastaj edhe më e rëndësishmja në Botërorin 2030 në Uruguai, Argjentinë dhe Paraguai, me rastin e 100-vjetorit të Botërorit të Parë (Uruguai, 1930)

 

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?