Sulmuesi i Bylisit për mediat argjentinase: Na mbeten edhe 15 ditë kontratë, jemi të pasigurtë!
Fabiano Munoz, sulmuesi i skuadrës së Bylisit, ka treguar vështirësitë që po has në Shqipëri në periudhën e pandemisë së koronavirusit. Futbollisti argjentinas së fundmi ka zhvilluar një intervistë për kanalin e njohur “Tyc Sports”, zbuloi edhe pasiguritë që po e shoqërojnë.
“Ideja është që futbolli të kthehet më 3 qershor, sepse kanë mbetur edhe 10 javë për t’u luajtur. Ndeshjet do të luhen gjatë javës në mënyrë që të përfundojë kampionati dhe Kupa e Shqipërisë.
Pasiguria jonë lidhet me çështjen e kontratës, sepse këtu kontratat janë deri më 31 maj. Kthimi në stërvitje është rregulluar, ndërkohë që nuk ka asnjë lajm në lidhje me kontratat. Nuk e dimë se sa do të zgjaten apo se çfarë do të ndodhë në muajin e ardhshëm. Të gjithë po e presim me padurim.
Superliga? Është një kampionat për të cilin dihet pak. Unë jam në një ekip që quhet Bylis i Ballshit, i cili ndodhet në një qytet të vogël në mes të vendit, dy orë larg kryeqytetit. Fushat janë të gjitha me bar normal dhe futbolli është shumë i ndryshëm nga ai argjentinas. Loja është e ashpër dhe shumë dinamike nga ndërhyrjet.
Ekip kampion kualifikohet në raundin kualifikues të Ligës së Kampionëve dhe duhet të kalojë në disa faza për të arritur në zonën e grupeve. E dyta dhe e treta mund të luajnë në Europa League , duke luajtur gjithmonë në fazën kualifikuese.
E ardhmja? Jam duke pritur që çështja kontraktuale të përcaktohet, por në këtë situatë të gjithë do të donin rikthimin te familja. E kam bashkëshorten shtatzënë. Jemi në pritje për atë që do të ndodhë me futbollin në Shqipëri, më pas do të shohim se si do të gjejë një mënyrë për rikthimin në Argjentinë”, deklaroi Munoz. /R.Lika-Koha Jone/
KOHA JONË SONDAZH

