Tom Doshi, president i ri i Vllaznisë? Vendos kryetarja e sapozgjedhur, Voltana Ademi
Ish-futbollisti dhe trajneri Edi Martini paralajmëroi dy ditë më parë se drejtimin e Vllaznisë do ta marrë një president shumë i fuqishëm, që do ta kthejë klubin në vendin që i takon dhe tek trofetë që i mungojnë prej vitesh.
Duket se Martini është projektuar të jetë pjesë e klubit Vllaznia, teksa ka marrë pëlqimin e presidentit që kërkon të marrë Vllazninë. Ai me shumë gjasa do të jetë deputeti i këtij qarku Tom Doshi. Ish-deputeti socialist i përjashtuar nga kjo parti, Tom Doshi pasi kaloi edhe probleme që pati me drejtësinë gjatë muajve të fundit, mësohet se është i interesuar të investojë në një nga klubet me historinë më të madhe të futbollit shqiptar, Vllaznia.
Tom Doshi njihet si ndër deputetët më të pasur të Kuvendit të Shqipërisë dhe në zgjedhjet e fundit në qarkun Shkodër, doli në mbështetje të kandidatëve që ai mendonte që ishin njerëzit e duhur për të qeverisur pavarësisht se kujt subjekt politik i përkisnin.
Në bashkinë më të madhe të veriut Shkodër fitoi kandidatja e djathtë Voltana Ademi, dhe do të jetë pikërisht ajo që do të japë miratimin për biznesmenët e interesuar që duan të marrin drejtimin e Vllazninë, Tom Doshi apo qoftë edhe ndonjë tjetër.
Aktualisht Vllaznia është 100 % në varësi të Bashkisë Shkodër dhe financohet nga buxheti i kësaj të fundit, duke e vënë shpesh në vështirësi ekipin dhe vetë arkën e bashkisë.
KOHA JONË SONDAZH

