Torino përshëndet Bashën, lideri i heshtur!
Mesfushori shqiptar ishte një nga heronjtë e rrugëtimit të gjatë të nisur në Serinë B, edhe pse kalvari i dëmtimeve u mundua ta pengonte. Luftëtari që bëri për vete tifozerinë granata largohet pasi i skadoi kontrata. Zvicra e pret…
Një sezon i trishtë dhe anonim, mungesa e kualifikimit në plejof, një skuadër që ishte në krizë dhe në nevojë për rindërtim, futbollistë për t’u rimotivuar, tifozë për t’u rifituar.
Në verën e vitit 2011, Xhampiero Ventura mori Torinon në një gjendje të dërrmuar dhe, për të nisur rilindjen, i besoi atyre futbollistëve që përbënin shtyllën kurrizore, me grintë, vullnet dhe pa mendjemadhësi.
Mes këtyre, kanë mbetur për katër sezone me fanellën granata: Darmian, Vivesh dhe Migjen Basha. Po, pikërisht ai, luftëtari kosovar, fari i Kombëtares së Shqipërisë së udhëhequr nga Xhani de Biazi, që tek Torino i ka përjetuar të gjitha dhe tani ka ardhur momenti i lamtumirës, mes lotëve dhe mirënjohjes reciproke.
Historia – Siç u tha, në sezonin e tij të parë, Basha ishte vendimtar për ngjitjen në Serinë A: shumë sakrifica, dëshirë dhe vrap, pa harruar cilësitë e tij teknike me topin, por sidomos me një gol që mbante peshën e ngjitjes në kategori në fitoren 3-0 ndaj Sasuolos në Torino. Edhe në vitin e parë dhe të vështirë në Serinë A, Basha ishte gjithmonë protagonist, duke mos e tërhequr këmbën mbrapa dhe duke vënë në shërbim edhe eksperiencën e tij (edhe në Serinë A s’kishte luajtur kurrë deri në atë moment).
Problemet – Më pas, nis kalvari për të, një seri e gjatë dëmtimesh fizike që nuk i hoqën kurrë dëshirën dhe grintën, pasi një profesionist njihet pikërisht nga kjo cilësi, që të punojë në heshtje dhe të kthehet në fushë me profesionalitet. Arriti ta bënte këtë gje në fund të këtij sezoni, duke i dhuruar vetes edhe gëzimin e shënimit të golit, me një goditje të bukur me kokë në fitoren 2-0 në “Tardini” ndaj Parmës.
Mallëngjimi – Por, ashtu si në filma dhe përralla, çdo e bukur e ka një fund, kështu që Basha dhe Toro i japin lamtumirën njëri-tjetrit: kontrata e tij skadoi sot dhe nuk do të rinovohet. Por, “Luftetari” largohet duke lënë pas një Torino shumë më të fortë, të shëndetshëm ekonomikisht dhe fizikisht, me lojtarë cilësorë. Derbi e fituar ndaj Juves, Europa League e provuar dhe shumë rezultate të tjera të rëndësishme gjatë një sezoni fantastik. Basha largohet me lotët në sy, në atë rrugëtim të gjatë që e në heshtje e karakterizoi si një lider. Ai i ka dhënë shumë Torinos në këto katër vjet dhe Torino i ka dhënë Bashës. Tifozët s’do të shohin më djaloshin nga Suhareka, që i vogël përjetoi dramën e Luftës dhe humbi shumë familjarë. Jeta e bëri të vështirë, ai ishte gati për çdo gjë dhe tani është gati për një sfidë të re. Ai që do të marrë fanellën e tij tek Torino, duhet ta meritojë.. Nderkaq, Migjeni transferohet në Zvicër, në Luzanë, tek shtëpia e tij, në pritje të një telefonate nga Superliga zviceriane, me Grasshoper që vazhdon të kërkojë shërbimet e tij. Një sfidë e re për heroin e heshtur.
Anton Cicani
KOHA JONË SONDAZH

