Trajneri i Vllaznisë: I kënaqur me barazimin, vështirë të luash në këtë orar
Vllaznia nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola në Ballsh ndj Bylis, por kjo nuk e ka mërzitur aspak trajnerin e kuqebluve, Mirsad Jonuz i cili komplimentoi futbollistët e tij, por u ankua për orarin e ndeshjeve dhe kalendarin e ngjeshur.
“Është një fillim i mirë për skuadrën time, por në këtë orar dhe me këto temperatura është shumë e vështirë të luhet, ndaj duhet të komplimentoj futbollistët e të dy skuadrave për atë që dhanë në fushë. Rezultati është real, pasi të dy skuadrat morën ato që deshën. Pashë një lojtar të ri si Emerson, por eksperimentova edhe me Shtubinën mbrapa e Gurishtën në krahun tjetër, lëvizje që më rezultuan të suksesshme, pasi më jep mundësi të bëj më shumë manovrime taktike. Kemi marrë 4 pikë në këto dy javë dhe tani do të mendojmë për Tiranën, në pritje të pushimit, që do ta shfrytëzojmë për të rikuperuar përgatitjet.
Është shumë e vështirë pasi përgatitjet nisën me vonesë, por jemi munduar shumë për t’ia dalë me sukses në këto sfida. Kemi luajtur dy herë në orën 16:00 dhe të shtunën do të presim Tiranën, ndaj besoj se do të jetë shumë e vështirë, por jemi me moral të lartë dhe besoj që bashkë me ndihmën e tifozërisë, do të bëjmë një ndeshje të mirë. Është e vërtetë që kemi luajtur mirë, por është shumë e vështirë, Megjithatë kjo është puna jonë dhe tani do të mendojmë për ndeshjen e radhës”, deklaroi Jonuz.
KOHA JONË SONDAZH

