Tre ekipet shqiptare në E.League, Starova-norvegjezëve: Nuk kemi ardhur për turizëm
Tre ekipet shqiptare, Laçi, Kukësi dhe Partizani do të nisin nesër aventurën e tyre Europiane. Të tre këto ekipe, pjesëmarrëse në kompeticionin e Europa League, synojnë një rezultat sa më pozitiv në takimin e parë për të shpresuar në një kualifikim të mundshëm. Skuadra tjetër pjesëmarrëse në Europë, Skënderbeu do të luajë një javë më vonë në kompeticionin e Champions League
Laçi
Skuadra e parë shqiptare që do të zbresë nesër në fushë për shkak të orarit do të jetë Laçi, ekipi fitues i Kupës së Shqipërisë. Skuadra e drejtuar nga trajnerit Armando Cungu dhe me të njëjtin kontingjent futbollistësh që mbyllën sezonin e fundit, do të zbresë nesër në fushë dhe përballë do të ketë ekipin azerbajxhanas, Inter Baku. Kundërshtari i Laçit konsiderohet më i fortë dhe ka një ekip me buxhet gati dy herë më të lartë se skuadra shqiptare. Kujtojmë se në kampionatin azerbajxhanas luajnë disa futbollistë të kombëtares sonë, si Ansi Agolli, apo Admir Teli.
Partizani
Të kuqtë e Sulejman Starovës janë nisur dje nga aeroporti i Prishtinës drejt Oslos së Norvegjisë, për të qenë gati nesër për sfidën e tyre të parë evropiane. Në Aeroportin e Oslos, ekipi kryeqytetas është pritur paraditen e sotme me një autobus luksoz “VIP”, dhe po ashtu mësohet se edhe kushtet e qëndrimit e të stërvitjes kanë qenë të nivelit tepër të lartë. Partizani zhvilloi pasdite edhe stërvitje në fushën ku do të përballet nesër me ekipin norvegjez. Një javë më vonë ekipi i Partizanit do t’i kthejë reston norvegjezëve. Partizani, pas një mungesë të gjatë prej 7 vjetësh në Europë, rikthehet për t’u përballur me ekipin norvegjez të Stromsgodset. Nga stadiumi “Marienlyst Stadion” nën urdhrat e teknikut Starova dhe stafit drejtues Partizani mbylli seancën stërvitore, ndërsa Starova për mediat Norvegjeze deklaroi: “Na pret një ndeshje e vështirë ndaj një kundërshtari të fortë, por nuk kemi ardhur këtu për turizëm, por për të marrë një rezultat pozitiv.” Trajneri Starova pritet të hedhë në fushë këtë formacion: A. Hoxha, D. Bici, A. Fejzullahi, G. Kkrasniqi, L. Ibrahimi, E. Vila, I. Batha, Mazrekaj, A. Fazliu, S. Plaku, S. Raçiç. Përballë skuadrës norvegjeze, ndonëse kualifikimi do të jetë i vështirë, përballja e së enjtes do të tregojë sesa larg mund të shkojë Partizani me ambiciet e këtij sezoni, që i ka nisur nën moton: “Partizani drejt Europës.”
Kukësi
Skuadra e Kukësit, nën-kampione e Shqipërisë ishte shumë pranë momentin historik gjatë pjesëmarrjes së kaluar në Europë. Kukësi shkoi deri në fazën “Play-off” të Europa League dhe shumë pranë fazës së grupeve. Shorti këtë herë në turin e parë e ka vënë përballë një skuadre më të dobët, si Torpedo Zhodino e Bjellorusisë. Nisur nga ky fakt verilindorët synojnë kalimin në turin tjetër me të njëjtin pretendim, madje të shkojnë deri në fazën e grupeve të Europa League. Ndeshjen e nesërme në “Qemal Stafa” Kukësi kërkon ta fitojë me çdo kusht, edhe pse tifozët janë ankuar disi për çmimin e lartë të biletave (1.mijë lekë të reja). Pas aventurës evropiane, Kukësit mund t’i largohet një pjesë e mirë e kontigjentit me të cilin mbylli sezonin. Pero Pejiç, sipas medieve izraelite, do të bashkohet me ekipin Hapoel Hanan në Izrael. Po ashtu edhe Zeqiri, Musallo e Mici synojnë të largohen në ekipe të ndryshme evropiane. Por gjithsesi, Kukësi ka vetëm një synim, fitoren, për të qenë më pranë kualifikimit. Ndeshjet e kthimit për tre ekipet shqiptare do të zhvillohen një javë më vonë.
Europa League
Ndeshjet kualifikuese – Nesër
17:30 Laçi – Inter Baku
18:00 Kukësi – Torpedo Zhodino
19:00 Stroemsgodset – Partizani
KOHA JONË SONDAZH

