Tri pretendentët e Superiores për sezonin e ri
Merkatoja e kësaj vere ka hyrë në fazën më interesante. Klubet e futbollit po rreken, sipas mundësive, të plotësojnë organikat e tyre, si dhe të largojnë “tepricat”. Këto të fundit, sipas ligjeve të pashkruara të futbollit, mund të konsiderohen prurje cilësore, sidomos kur merren falas, nga klube të tjera të interesuara.
Është komponenti i ashtuquajtur “parametër zero”, që në futbollin shqiptar është maksimalisht i përhapur. Jo diçka e mirë, sepse të humbasësh falas elementë për të cilët ke investuar një ose disa vite, përbën humbje për arkat e cilitdo klubi, aq më tepër atyre shqiptarë, me financa të limituara.
Kjo nxjerr në pah punën jo të mirë të klubeve tona, në emër të vazhdimësisë, qoftë ajo sportive, por edhe financiare. Nëse duhet të përjashtojmë dikë nga ky trend jo pozitiv i futbollit shqiptar, ajo është Tirana. Shitjet e elementëve të saj të spikatur, ardhur nga akademia bardheblu, kanë qenë të konsiderushme dhe kanë prodhuar shuma të lakmueshme financiare.
Rasti “Muçi”, por jo vetëm, e dëshmojnë qartë këtë, teksa janë shitur në klube të huaja deri për 500 mijë euro. Disa prej tyre, Tirana po mendon t’i kthejë këtë verë, duke ua “shitur lëkurën” për së dyti, kësaj here duke siguruar sërish shërbimet e tyre sportive. Doka është një shembull i tillë.
Por jo vetëm kaq. Tirana ka bërë deri tani merkaton më cilësore në letër dhe emra. Me rezervat se futbolli luhet jo me emrin e dikurshëm, por formën aktuale të secilit, skuadra bardheblu ka mbledhur “ajkën” e Superiores. Që nga porta, Selmani, për të vijuar me Hoxhallarin, Latifin, Jonuzin, Micin, janë “shtylla kurrizore” ideale që do ta dëshironte ta kishte çdo skuadër shqiptare.
Pa përmendur këtu ruajtjen e xhevahirëve të sezonit të kaluar, Tirana po projektohet për të qenë në majë. Mbyllja e sezonit të kaluar pa asnjë trofe duket se e ka “shkundur” presidencën bardheblu për të ndërhyrë fuqishëm në merkato. Nisi me rikonfiormimin e trajnerit Shehi, për të mos u ndalur, me siguri edhe në vazhdim, pavarësisht konsolidimit bindës të grupit, që po stërvitet në Ohër të Maqedonisë.
Partizani, kampioni në fuqi i Shqipërisë, nuk ka qëndruar duarkryq. Megjithatë, duhet thënë se ka humbur një element mjaft me ndikim nga formacioni i sezonit të kaluar, Matondo. Për rokadën e stafit drejtues nuk mund të japim vlerësime për momentin, sepse do ta tregojë sezoni i ri, ndeshje pas ndeshjeje, nëse u bë mirë që iku dueti Marini-Colella dhe erdhi Abilaliaj-Zekic.
Për drejtuesit e kuq nuk mjaftoi fitimi i titullit që të mos “ndryshonte lëkurën”, diçka që e ka bërë shpesh, edhe në kohën e Skënder Gegës, që riktheu titullin pas mbi dy dekadash “agjërim”. Pësimet duhen bërë mësim, edhe në futboll, si kudo në jetë, por jo gjithmonë nuk ndodh kështu.
“Paradhënie” nuk kemi pse e gjykojmë Partizanin me lëvizjet e kryera, sepse fusha e blertë i gjykon më mirë gjërat. Pasi ka ruajtur “pjesën e luanit” të grupit fitues të sezonit të kaluar, presidenti Demi nuk është kursyer në merkato deri tani. Më pikanti është përforcimi në repartin ofensiv, që mban emrin e Eros Grezdës.
Një talent i padiskutueshëm, i denjë edhe për kombëtaren, që në një “zdrukth” si klubi i Partizanit mund të rilindë vërtet për vete, Partizanin dhe fanellën kuqezi. Të tria këto janë motive madhore që Grezda të fokusohet tashmë te fusha e blertë, jo aq si “gjah” gossip-i.
Afrim cilësor duhet konsideruar edhe Mehmeti, mesfushori kosovar. “Përforcime” në funksion të vazhdimësisë mund të konsiderohen edhe rinovimet e kapitenit Telushi dhe “regjisorit” Rrapaj, dy “strategë” të mesfushës së kuqe. Pritshmëri të larta ka edhe për të ashuquajturin “Skuka i ri”, që ka ardhur nga Korabi. Fjala është për Albers Keko, një goleador i Kategorisë së Parë, i ri për të tashmen dhe të ardhmen.
Egnatia duhet vendosur në podiumin e Superiores, jo vetëm për rezultatet e arritura sezonin e kaluar, por edhe ambiciet sportive që ka. Presidenti Agim Demrozi ruajti në masën më të madhe skuadrën që fitoi Kupën e Shqipërisë dhe përfaqësimin historik në Kupat e Europës. Me të drejtë, sepse ata lojtarë ishin meritorë për diçka historike, që futbolli rrogozhinas nuk e kishte çuar as nëpër ëndrra.
Megjithatë, të tilla ëndrra, që një vit më parë konsideroheshin të ekzagjeruara, kur presidenti Demrozi premtonte trofe, konsiderohen tashmë realitet nga të gjithë. Këtë e tregojnë edhe përgatitjet komode në Turqi, në prag të Kupave të Europës si fillim, por edhe si “karburant” për edicionin e ri futbollistiki kombëtar.
Tri janë prurjet, nga një për secilin repart, Janku, Aleksi dhe Vüsal Isgandarli, sikurse kishte premtuar Demrozi, por nuk ka mbaruar me kaq merkatoja e verës për rrogozhinasit. Kuptohet, nëse është e mundur për ndonjë element që bën diferencën, që i jep “valenca” shtesë Egnatias në synimet e saj madhore, ptresidenca nuk do të kursehet.
Grupi është i plotë, megjithatë, jo vetëm për formacionin, por edhe stolin solid. Prandaj, merkato, stërvitje, insfrastrukturë dhe gjithçka tjetër tek Egnatia shkon në përpjestim të drejtë me ambisiet e presidentit Demrozi, i cili është mjaftuar vetëm me një prognozë: “Nuk keni parë gjë akoma…”
KOHA JONË SONDAZH

