Vllaznia fiton pastër ndaj Teutës, vendos dopieta e Balajt
Vllaznia u rikthye te fitorja në kampionat, duke marrë një fitore 2-0 ndaj Teutës, në ndeshjen e vlefshme për javën e pestë në Superiore. Heroi i shkodranëve ishte Bekim Balaj. Sulmuesi zhbllokoi sfidën në minutën e 16-të me një gol me kokë.
Në minutën e 42-të, Balaj u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, duke dyfishuar shifrat në “Loro Boriçi”. Pjesa e dytë ishte me raste të pakta nga të dyja ekipet. Kjo fitore e ngjit Vllazninë në vendin e tretë me 8 pikë, ndërsa Teuta mban vendin e tetë me vetëm 4 pikë.