Vrapuesi i verbër nga Sardenja:”Më drejton dora e tim biri”
Gabriele Pianu, 67 vjeç, mbeti i verbër pas një aksidenti në punë në Milano, ku jetonte me gruan dhe dy fëmijët: Daniela dhe Andrea.
Ai punonte në punishte druri bashkë me të vëllain.
Një ditë mbeti poshtë 40 kuintalëve druri dhe pas 15 ditësh në koma, u rizgjua i verbër.
Kështu, iu desh të kthehej në Musallas, Sardenja: “Nuk mund të punoja më, kështu bëra një kurs dhe gjeta një punë të re”, tregon për Corriere della Sera. Para aksidentit ai kishte një pasion: vrapimin.
Në Milano kishte marrë pjesë në gara vrapimi.
Shpresa për të vrapuar ishte sfumuar pas aksidentit, derisa një ditë, një djalë që punonte me të, i rindezi flakën dhe kështu nisën të vrapojnë bashkë.
Vrapoi në maratonën e parë për njerëzit që nuk shohin në 2007-n dhe tani Gabrieli vrapon me të birin, Andrean, të bashkuar nga një kordon të lidhur nëpër kyçet e duarve, me gjatësi një metër dhe jo vetëm kaq, por ëndërron të marrë pjesë në maratonën e New Yorkut.
Në të vërtetë ka marrë pjesë, me një tjetër guidë në 2011-n dhe me një sponsor i cili pagoi dy të tretat e shpenzimeve.
“Dy nga ëndrrat e mia më të mëdha? E para që të vrapoj në një kategori profesionistësh dhe e dyta: të mund të marr pjesë në maratonën e New Yorkut me Andrean.”
Ëndrrën e tij, Gabrieli po e ndan me të birin, i cili shprehet “Kur isha i vogël, babai nuk kishte mundësi të vinte e të më shihte tek luaja futboll. Ndaj, për mua, të vrapoj bashkë me të, është një mënyrë kompensimi. Kemi gjetur një sport për ta ndarë bashkë dhe është diçka e mrekullueshme për një baba dhe një bir. “
KOHA JONË SONDAZH

