Home Editorial Tre atentate ...

Tre atentate terroriste ndaj medias në 32 vite

866
0

Media shqiptare është shokuar nga akti terrorist ndaj Top Channel. Siç është bërë e ditur në orët e vona të natës, afërsisht rreth orës një, një grup prej tre apo me shumë veta kanë qëlluar me bresheri automatiku në drejtim të godinës së Top Channel, ku u vra punonjësi i sigurisë, roja Pal Kola.

Sipas policisë janë 32 fishekë automatiku që janë lëshuar mbi Top Channel. Më pas një makinë është gjetur e djegur në Golem, ku po hetohet me intensitet nga prokuroria e Tiranës dhe policia e shtetit.

Për këtë ngjarje kanë reaguar krejt kupola e shtetit dhe politikës, po ashtu edhe ambasadat e huaja në Tiranë e shoqatat e gazetarëve.

Ndërsa vetë Top Channel në deklaratën zyrtare theksoi ndër të tjera se “ Po ashtu, Top Channel shpreh qartësinë që ky akt terrorist i paprecedent, është kryer për të dëmtuar e goditur misionin e medias së lirë dhe fuqisë së fjalës së lirë.

Top Channel, është themeluar, krijuar me frymën e njeriut që ndërtoi jo vetëm idenë e një media shqiptare me vlera perëndimore, por dhe mbi të gjitha e një media që përfaqësohet nga grupi i madh i profesionistëve të shquar, figurave publike dhe intelektuale, që çdo ditë ne një transmetim të pandalshëm televiziv e jo vetëm, i shërbejnë publikut me dedikim të plotë.

Sulmet terroriste të këtij lloji tregojnë qartazi sa e rëndësishme është fjala e lirë sa shqetësuese për minuesit e demokracisë”- thuhet nga stafi drejtues i Top Channel.

Kjo ngjarje do të mbetet në historinë e medias shqiptare, ashtu sikurse thotë edhe Top Channel, akt terrorist.

Por në këto 32 vite pluralizëm dhe media të lirë janë edhe dy raste tipike terroriste. Natyrisht që janë të shumta rastet e dhunës dhe presionit ndaj medias nga pushtetet apo nga krimi, por duhet pranuar se ngjarja e gazetës “KOHA JONE” kur u qëllua me armë dhe u dogj redaksia e gazetës më të madhe shqiptare, mbetet ikonike në sulmet ndaj medias së lirë shqiptare.

Pikërisht natën e 2 marsit 1997, sapo u vendos ligji I Gjendjës së Jashtëzakonshme, forca të gardës së Republikës, policia e Tiranë të drejtuar nga Shërbimi Sekret Shqiptar, sic quhej asokohe SHIK-u, hynë rreth orës 1.30 të natës në zyrat e redaksisë së KOHA JONE, duke marrë me dhunë gazetarin Zamir Dule i cili flinte në një zyrë të redaksisë si dhe shoferin e gazetës, Anesti Nikolla. Të dy u dhunuan dhe tortoruan në qelitë e komisariatit numër tre në Tiranë nga SHIK-u.

Gazetarin Zamir Dule që prej asaj nate e tjetërsuan si njeri, ishin shkopinjtë dhe grushtat e pushtetit të kohës dhe sot ndodhet në pension të përjetëshëm prej dhunës. Më pas redaksinë e gazetës KOHA JONE e qëlluan dhe e dogjën, aqsa për 42 ditë nuk doli më në treg gazeta e para e pavarur shqiptare, nga dyert e së cilës kanë dalë gazetarët dhe drejtuesit kryesorë të medias së sotme.

Ky ishte terrorizëm shtetror, që u vertetua pas një kalvari hetimesh dhe gjyqesh nga viti 1997 deri në vitin 2016, kur Gjykata e lartë e Shqipërisë vendosi se djegia e redaksisë së gazetës së parë të lirë, ishte bërë nga Shteti.

Por përballjet e medias me pushtetin dhe krimin e organizuar nuk kanë ndaluar. Në janar të vitit 2009 ishte gazeta Tema dhe botuesi i saj Mero baze të cilët u rrethuan dhe nxorën nga zyrat me dhunë nga policia e kohës. Ndërkohë natën e 31 dhjetorit 2009, pushteti me bandat e kohës dogjën makinën e Mero Bazes në shenjë hakmarrje ndaj qëndrimeve të tija kundra pushtetit.

Edhe ky është terrorizëm shtetror.

Natyrisht që tre ngjarjet më pikante në botën e medias së lirë shqiptare të pas vitit 1990 duken si të ndryshme, por në thelb janë goditur nga pushteti ose nga bandat e lidhura me politikën.

Ajo që ndodhi mbrëmë në Top Channel duhet të sigurojë hetim të shpejtë për gjetjen e autorëve para drejtësisë si dhe për të parë se kush fshihet pas tyre; pra politika e ditës e goditur nga Top Channel apo banda të kritikuara nga top channel, pasi në këtë rast pushteti nuk ka dorë në këtë akt të pashembullt.

Si në cdo rast, ndonëse media sulmohet, por ajo përsëri fiton në raport me mafien dhe pushtetin, ndaj edhe gazetarët e Top Channel duhen inkurajuar që të mbeten të vendosur në profesionin e nderuar të gazetarit.

Mafia dhe pushteti nuk e mposht median e lirë!

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit