Home Aktualitet Vasili: “25 p...

Vasili: “25 prilli” u shemb si ura e Darëzezës

16
0

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, deklaron se zgjedhjet parlamentare të 25 prillit u shembën, ashtu siç u shem në orët e para të mëngjesit të sotëm edhe ura Darëzezës në Fier.

Në një reagim përmes rrjeteve sociale, Vasili deklaron se zgjedhjet e 25 prillit, të masakruara nga premtimet e rreme dhe shitblerja e votës e kërcënimet, u shembën ashtu si ura e premtuar e Darëzezës nga “rilindasit”.

Po ashtu, Vasili thekson se tanimë askush nuk ka më as më të voglën dilemë për 25 prillin, si masakra më e ndyrë zgjedhore e pluralizmit.

“25 prilli u shemb si ura e Darëzezës!

Krahasimi i vetëm dhe më i saktë i zgjedhjeve të 25 prillit është me shembjen sot të urës se Darëzezës në Fier.

Zgjedhjet e 25 prillit, të masakruara nga premtimet e rreme dhe shitblerja e votës e kërcënimet u shëmben ashtu si ura e premtuar e Darëzezës nga rilindasit.

Askush nuk ka më as më të voglën dilemë për 25 prillin, si masakra më e ndyrë zgjedhore e pluralizmit.

Lapërdhia e kryeministrit për pushtet shkatërroi gjithçka, që nga financat publike, policinë, administratën dhe drejtësinë, duke i shndërruar ato në gjymtyrë mafioze, në vend të shërbimit publik të paanshëm, që është detyra e tyre e vetme dhe ligjore.

Qeverisja rilindase u shemb para syve të shqiptarëve si ura e Darëzezës.

Shqiptarët e dinë tashmë që të gjithë, që në karriget e qeverisë janë ulur një krye-mashtrues dhe ca mashtrues të tjerë më të vegjël, por që të gjithë së bashku janë thjesht dhe vetëm shpërdorues mafiozë të pushtetit për interesat e tyre.

Qindra e qindra fakte tronditëse e diskredituese të kësaj paçavureje elektorale të gatuar nga qeveria janë tashmë të njohura e publike dhe në sytë e të gjithë botës.

Qindra e qindra veprime të neveritshme të qeverisë e kryeministrit rilindas i kanë shndërruar zgjedhjet e 25 prillit në një gropë septike, që po qelb dynjanë dhe ka ndyrë gjithë vendin.

Ura e Darëzezës është metafora e qeverisë rilindase dhe e zgjedhjeve të 25 prillit.

Kudo nëpër Shqipëri kanë mbirë si cibanë mafioze në formë tabelash mashtruese pseudo-projektesh, vetëm si gënjeshtra elektorale për investime, që nuk do të bëhen kurrë.

Qindra Darëzeza gjenden nëpër Shqipëri.

Qindra mijëra shqiptarë janë mashtruar, kërcënuar e shantazhuar nga qeveria, që ndërtoi një gërmadhë si ajo e zgjedhjeve të 25 prillit, gërmadhë që tashmë është shembur përpara syve të qindra mijëra shqiptarëve.

25 prilli ra ashtu si Ura e Darëzezës.

Rilindasit nuk ndërtojnë, ata vetëm shkatërrojnë, kjo është e vetmja aftësi dhe kënaqësi e tyre!”, shprehet në reagimin e tij nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit