Home Aktualitet VIDEO/ Tërmet...

VIDEO/ Tërmeti dhe zgjedhjet në Turqi! Podcast nga ish-ministri Ditmir Bushati

67
0

Podcast i radhës “Public Square” nga Ditmir Bushati, trajton situatën në Turqi pas tërmetit shkatërrimtar të shkurtit dhe ndikimin e tij në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të 14 Majit, në një bisedë me një prej mendimtarëve më të spikatur të Turqisë, me reputacion ndërkombëtar, Sinan Ülgen, Kryetar i Bordit të Qendrës për Studime Ekonomike dhe Politikë të Jashtme. Tërmeti i shkurtit më i madhi i regjistruar ndonjëherë në vend, ka hapur shumë debate për Turqinë. Sondazhet tregojnë se tërmeti, shoqëruar me situatën e vështirë ekonomike, mund të ndikojnë në përfundimin e pushtetit 20 vjeçar të Presidentit Recep Tayyip Erdoğan.

Çfarë ka ndodhur me politikat e lejeve të ndërtimit në Turqi? Për Ülgen, fatkeqësisht mësimet e nxjerra nga tërmeti i vitit 1999, që sollën më vonë Erdoğan në pushtet, janë harruar, edhe nga udhëheqja politike, edhe më gjerësisht nga shoqëria turke. “Ajo ç’ka duhej bërë, bazuar në përvojën e tërmetit të vitit 1999, që ishte përmirësimi i qëndrueshmërisë së qyteteve turke, krijimi i mekanizmave të financimit që do të lehtësonin strehimin, të hartonim legjislacion në fushën e urbanistikës për këtë qëllim. Të gjitha këto u braktisën. U lanë në mes të rrugës. Dhe me kalimin e kohës mbizotëruan prirjet populiste”.

Cilët ishin shtetet që ndihmuan dhe u solidarizuan më shumë me Turqinë? Perëndimi dhe BE-ja. Por edhe shtete si Izraeli e Greqia, me të cilat Turqia nuk ka marrëdhënie fort të mira. Më pak Kina dhe Rusia.

Bushati dhe Ülgen diskutuan mbi implikimet politike të tërmetit në zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale të 14 Majit, realitetin e ri politik me një opozitë të bashkuar, që ka prodhuar dy vizione konkuruese: vazhdimësia, nga njëra anë, dhe ndryshimi, nga ana tjetër. Në këtë pikë Ülgen mendon se do të ketë një garë ndërmjet qeverisë dhe opozitës për të bindur elektoratin se cila është zgjedhja më e mirë për të përgatitur Turqinë për të përballuar tërmetin e radhës. “Opozita ka një avantazh sepse qeveria ka 20 vjet në pushtet, dhe ishte detyra e saj të përgatiste Turqinë për tërmetin. Performanca e saj, siç e kemi parë në këtë tragjedi, lë shumë për të dëshiruar. Pra, ata (qeveria) do të kenë vështirësi në argumentimin se janë zgjedhja e duhur, sepse nuk e kanë bërë këtë gjë ashtu siç duhet gjatë 20 viteve të fundit”, përfundon ai.

Dy bashkëbiseduesit u ndalen dhe tek diferencat e palëve në politikën e jashtme, dhe më konkretisht për marrëdhëniet e Turqisë me Shtetet e Bashkuara dhe nëse Turqia mund të rifutet në rrugën drejt BE-së. “Kjo perspektivë ekziston sepse është në programin e opozitës, në platformën e politikës së tyre, ku ata qartësisht theksojnë se janë të gatshëm të rikonfirmojnë përkatësinë perëndimore të Turqisë”, pohon Ülgen, ndërsa shton se nëse fiton partia në qeveri e Erdoganit, ai pret prisja të njëjtën situatë, “një qasje më të balancuar ndërmjet Perëndimit dhe vendeve të tjera në Lindje të Turqisë, ku Turqia është përpjekur të krijojë pothuajse një hapësirë autonomie strategjike”.

Në rast të ndryshimit politik, cili do të jetë raporti i Turqisë me Rusinë? Duket se në ketë pikë çdo qeveri do e ketë të pamundur bashkimin me sanksionet e vendosura nga Perëndimi. Dhe lepuri fle tek Siria dhe refugjatët. E ndërsa flasin për rolin e aktorëve të tretë në Ballkan, bashkëbiseduesit ndajnë mendimin se nuk duhet të bëjmë gabimin e futjes së Turqisë në atë shportë, pasi Turqia, në fund të fundit, është shteti më i madh në Ballkan, dhe jo një aktor i huaj.

*Public Square është podcast nga ish-ministri Ditmir Bushati që trajton tema të aktualitetit.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit