Gjergj Luca i drejtohet Marjana Koçekut: “Ti nuk je socialiste, je edviniste. Mos ia the besën Edi Ramës”
Nga Albert Vataj
Sipërmarrësi Gjergj Luca ka vijuar serinë e videomesazheve të tij spontane, të drejtpërdrejta dhe shpesh polemike, të cilat prej kohësh kanë tërhequr vëmendje në rrjetet sociale, duke nxitur diskutime të shumta, përplasje mendimesh dhe reagime të forta mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të tij.
Këtë herë, Luca ia ka kushtuar mesazhin ish-deputetes së Partisë Socialiste, Marjana Koçeku, e cila vendosi të largohej nga grupi parlamentar socialist për të vijuar mandatin si deputete e pavarur. Qëndrimi i saj publik në lidhje me protestën e opozitës dhe të ashtuquajturin “Revolucioni Flamingo” është bërë shkak për reagimin e sipërmarrësit shkodran.
Në hyrje të videos, Luca i drejtohet Koçekut me një ton ironik, por edhe këshillues.
“Për Neomalësoren time një këshillë të freskët në këto ditë të nxehta: ti nuk je socialiste, ti je edviniste”, shkruan ai në postimin që shoqëron videon.
Më pas, ai nis një rrëfim personal, duke kujtuar përshtypjet që kishte krijuar për Marjana Koçekun përpara angazhimit të saj në politikë.
“Përshëndetje Marjana Koçeku! Të kam përshëndetur edhe një herë kur isha duke shkuar në punë dhe tani që jam duke u kthyer po të përshëndes sërish. Por jo vetëm kaq, dua të të bëj një sugjerim dhe në fund edhe një pyetje.”
Luca shprehet se e kishte admiruar Koçekun për përkushtimin ndaj traditës dhe identitetit verior.
“Kur ke dalë me mbrojtë gegnishten tonë, mu ka bërë zemra mal. Kur të kam parë me xhubletë, më janë mbushur sytë me lot në mes të Gjermanisë. Kur pashë që u bëre pjesë e Partisë Socialiste, i bëra pyetje vetes: çfarë do kjo me PS-në?”
Në vijim, ai rrëfen se kishte menduar se afrimi i saj me socialistët vinte si shprehje e besimit ndaj kryeministrit Edi Rama.
“Thashë me vete: qenka një dukagjinase që e do fort Edi Ramën dhe e ka idhull. Por tani pashë se paske probleme ideologjike, të cilat duhej t’i kishe menduar që në fillim.”
Një pjesë e rëndësishme e mesazhit lidhet me raportin personal që, sipas Lucës, Edi Rama ka pasur me Dukagjinin dhe me vetë atë. Sipërmarrësi kujton një episod kur i kishte kërkuar kryeministrit të ndërtonte rrugën e Dukagjinit.
“Është në nderin tënd dhe në prestigjin tënd të mos e presësh në besë këtë njeri që të ka respektuar ty. Më ka respektuar edhe mua kur i kam rënë në gjunjë dhe i kam thënë: ‘Edi Rama, nëse do të bësh diçka për Gjergj Lucën, për shokun tënd të fëmijërisë, për mikun tënd që të beson, bëje atë rrugë të Dukagjinit, sepse ata njerëz e meritojnë të shkojnë në tokën e të parëve, te kullat që po rrëzohen, e t’u tregojnë fëmijëve historinë se nga kemi ardhur, ku i kemi rrënjët, sa trima kemi qenë dhe sa i kemi dalë për zot këtij vendi.'”
Në përmbyllje të videos, Luca i bën një thirrje të drejtpërdrejtë Marjana Koçekut, duke e ftuar të mos e shndërrojë çështjen në një betejë politike kundër atij që, sipas tij, i ka dhënë mbështetje.
“Marjana Koçeku, është në nderin tënd dhe të gjithë Dukagjinit mos me u marrë më me politikë në këtë mënyrë. Ti nuk ke qenë pjesë e Partisë Socialiste dhe nuk ke për të qenë kurrë. Ti ke qenë pjesë e Edi Ramës. Mos ia the besën Edi Ramës.”
KOHA JONË SONDAZH

