Referendum për drejtimin e PD-së, Berisha përballë votës së anëtarësisë në një proces pa garë
Këtë të shtunë po mbahet referendumi për kreun e Partisë Demokratike, një proces pa garë, ku në fletën e votimit figuron vetëm emri i Sali Berishës. Procesi zhvillohet në një klimë kritikash, pas skualifikimit të 5 kandidatëve me argumentin se nuk plotësonin kriteret, mes tyre ish-deputeti Ervin Salianji.
Procesi i votimit ka nisur tashmë që prej orës 08:00 dhe pritet të përfundojë në orën 18:00, proces që do të zhvillohet në 87 qendra votimi në të gjithë Shqipërinë. Kupola e selisë blu deri më tani e ka mbajtur sekret numrin e anëtarëve që janë thirrur për të votuar, të dhëna të cilat nuk u zbuluan as nga Berisha, i cili vetëm insistoi për një proces modern dhe demokratik, ndonëse është i vetëm në garë.
Në degën e Fierit, sipas kryetarit Ardian Ferro, janë 1750 anëtarë në listë aktive. Në Mallakastër, dega numëron 600 anëtarë. Në Patos, kryetari i degës Pëllumb Hoxha bën me dije se lista përmban 620 anëtarë. Në Rroskovec, sekretari i degës Dritan Dogani deklaron se dega ka 710 anëtarë në listë.
Në Lushnjë lista e anëtarësisë përfshin 2500 anëtarë. Procesi i votimit ka nisur normalisht edhe në degën e Divjakës ku pritet të votojnë 600 anëtarë. Në qarkun e Korçës procesi zhvillohet në disa degë të PD-së. Në Korçë janë rreth 5 mijë anëtarë me të drejtë vote, në Maliq 1835 anëtarë, në Kolonjë rreth 1000, në Devoll mbi 1500, ndërsa në Pogradec rreth 1200 anëtarë.
Mbështetës të PD-së në Fier janë shprehur optimistë për vijimin e drejtimit të Sali Berishës në krye të partisë, në këtë të shtunë ku po votohet për një tjetër mandat të liderit historik të krye të PD-së. ”Jam këtu për të votuar për kryetarin e Partisë Demokratike. Unë jam anëtar i PD dhe mendoj se po ndjek një rrugë të drejtë. Kur erdhi Berisha tha se vdekja është ligj për të gjithë, por ishalla mos vdeksha derisa të shoh Saliun lart e më lart. Ai mundohet për më mirë për popullin”, u shpreh një anëtar i PD-së në Fier.
Nga ana tjetër, kupola drejtuese e PD-së deri më tani e ka mbajtur të fshehtë numrin e anëtarësisë që po shkojnë në kutitë e votimit, për të votuar Berishën për një tjetër mandat si kryetar i PD. Deputeti demokrat Enno Bozdo u pyet nga gazetarët për numrin e anëtarësisë, por u largua pa dhënë një shifër.
Bozdo: Ftoj demokratët të dalin me votën e lirë dhe të shfaqin vullnetin e tyre.
Gazetarët: A është zgjedhja më e mirë e mundshme me një kandidat? A do ishte më mirë të kishte edhe kandidatë të tjerë?
Bozdo: Asnjë kandidat që nuk plotëson kushtet nuk ka pse të jetë në garë. Më mirë të kemi një proces politikisht i vlefshëm sesa një garë me kandidatë që janë aty thjesht për të plotësuar numrin; kjo do ishte thjesht një farsë. Kjo është mënyra më e mirë; votimi i fshehtë po zhvillohet normalisht në çdo degë.
Gazetarët: A është normale të mos dihet numri i anëtarësisë?
Bozdo: Numri i anëtarësisë dihet.
Gazetarët: Sa është?
Lexoni edhe:
Demokrati në Fier bën deklaratën epike: Pa parë Saliun në krye, nuk iki nga kjo botë
Referendumi për Berishën si kryetar, 4 mijë anëtarë me të drejtë vote në qarkun e Lezhës
Demokratët votojnë me PRO ose KUNDËR për Berishën, situata në Sarandë dhe Vlorë
KOHA JONË SONDAZH


