E veja e gjyqtarit Astrit Kalaja ngre shqetësimin, ministri Gogu: Zgjidhja nuk vjen brenda natës
Valbona Kalaja, e veja e gjyqtarit Astrit Kalaja ka komentuar në një postim të Ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, i cili kishte shpërndarë për publikun pamje nga një inspektim në procesin e ndërtimit të një burgu në Kukës. Valbona Kalaja i kërkon ministrit investim në Gjykatën e Apelit, duke shtuar se kushtet jo të mira të asaj gjykate ishin edhe një peng i bashkëshortit të saj të ndjerë.
“Zoti ministër, filloni ndërtimin e një Gjykate të re të Apelit në Tiranë, sepse kushtet e kësaj gjykate janë skandaloze. Para një jave një e afërme kishte një gjyq dhe m’u desh ta shoqëroja dhe, të them të drejtën, më dhimbsen ata gjyqtarë që punojnë në ato kushte. Ju vetë keni punuar në gjykatë dhe e dini shumë mirë çfarë do të thotë. Bashkëshorti im e dëshironte gjithë kohës një gjykatë të re, pasi në Shkodër punonte në një gjykatë me standarde evropiane dhe e mendoj shpesh se, po të ishte me punë në Shkodër, kurrë s’do t’i ndodhte ajo që i ndodhi. E meritojnë ata njerëz të punojnë në kushte normale, sepse kanë një punë të vështirë mbi supe”, shkruan ajo.
Ministri shprehet se është i angazhuar në përmirësimin e infrastrukturës gjyqësore, por si çdo proces tjetër, edhe ky kërkon kohë. “E nderuar zonjë Valbona Dema Kalaja, faleminderit për mesazhin tuaj. E kujtoj me respekt dhe nderim kontributin e të ndjerit Astrit dhe e kuptoj shumë mirë shqetësimin që ngrini. Përmirësimi i infrastrukturës gjyqësore është një nga objektivat ku po punojmë me institucionet përgjegjëse. Nuk është një punë që bëhet brenda natës, por është një angazhim që e konsideroj të rëndësishëm. Ju falënderoj për ngritjen e shqetësimit”, shkruan ministri.
KOHA JONË SONDAZH



