Ilir Yzeiri: Nga tragjedia harruam një detaj!
Nga Ilir Yzeiri
Tragjedia e Durrësit është e rëndë dhe kur pasoja janë humbjet e jetëve të fëmijëve, tragjedia njerëzore i kalon edhe vetë caqet e dhimbjes. Përtej saj nuk ka as fjalë as edhe ndonjë formë tjetër që mund të të bëjë të harrosh atë që ka ndodhur. Tragjeditë, aksidentet janë pjesë e jetës njerëzore dhe asnjëherë nuk mund të shpëtojmë prej tyre. Kujt i shkonte ndërmend se natën e ndërrimit të viteve, në Zvicër, në vendin më të zhvilluar të Europës, do të humbnin jetën në një diskotekë në Kransmontana 40 të rinj. Natyrisht ka edhe plot raste të tjera në të cilat aksidentet kanë shkaktuar viktima të pafajshme, për të mos llogaritur luftërat e fundit dhe fëmijët që po vdesin përditë. Mirëpo, ngjarja e Durrësit, pra tragjedia jonë, ka një anë tjetër të rëndë.
Fëmijët nuk ishin në rrugë, nuk ishin as në diskotekë, nuk ishin as në luftë, ishin në trotuar duke luajtur. Po përse në trotuar? Sepse ashtu i kemi katandisur ne. Sepse kapitalizmi ynë i egër nuk i ka llogaritur kurrë fëmijët. Ndërtimet mbytëse në çdo cep nuk i llogarisin kurrë ata. Këtu te ne ankthi dhe etja për të fituar mbi çdo gjë dhe mbi gjithçka po ua vret ëndrrat dhe lojërat fëmijëve. Kush mund të më thotë mua se ku duhet të luajnë fëmijët? Në blloqet e pallateve që të marrin frymën të gjitha hapësirat i zënë makinat dhe gangsterët e fortë që parkojnë edhe brenda hyrjeve të pallateve. Rrugët e lagjeve janë kthyer si pista makinash sepse nga periferitë e Tiranës zbresin si të çmendur pilotët e vdekjes dhe marrin përpara çdo gjë.
Ndaj rasti i Durrësit tregoi një anë tragjike të kapitalizmit shqiptar, të cilën anë jo vetëm nuk po e korrigjojmë, por po e theksojmë dhe po e bëjmë më të ekspozuar për tragjedi të tjera. Fëmijëria e shqiptarëve është shenjuar në disa mënyra. Për ata që janë rritur në kohën e komunizmit, rruga ishte edhe fusha e sportit edhe këndi i lojërave, sepse makinat private nuk ekzistonin. Më kujtohet fëmijëria ime në qytetin e bukur të Peshkopisë, në mesin e viteve ’60. Kishim tre fusha për të luajtur- fushën e lagjes, atë të shkollës dhe fushën Rinia. Hapësira pa fund. Pas viteve ’90, gjithçka u bë truall, nuk kishte më tokë, por truall dhe ndërtim. Pa asnjë kriter. Kur planifikohet një kompleks apo kur jepet një lejë ndërtimi asnjëherë nuk mendohen fëmijët, hapësira që duhet për ta. Të mos flasim për shkollat të cilat janë përshtatur pa asnjë kriter dhe ato private që, në disa raste, ndërtohen edhe pa kriteret e ambientit. Fëmijët tanë janë të burgosurit e mëdhenj të makutërisë sonë që e ka kthyer gjithë këtë vend në një truall.
Edhe aty ku ka terrene sportive ato sakrifikohen për ndërtime. Sot fëmijët tanë që kur lindin mësohen me erën e tymit të duhanit dhe me zhurmat e kafenesë. Nënat e reja, heroinat e kohës sonë, nuk dinë se ku të shkojnë. Jeta e tyre është fëmija në krah dhe me vrap te bari i lagjes sepse vetëm aty ka pak hapësirë. Nëse del nga pallati aty në lagje duhet të hapësh sytë ku do hedhësh këmbën se tri katër makina janë parkuar para teje. Rruga e ngushtë është e zënë dhe për të kaluar aty duhet të matesh mirë derisa të shkosh në kafe.
Unë nuk i paragjykoj ato nëna të reja që bashkë me fëmijët e tyre kalojnë pjesën më të madhe të kohës së lirë në kafe. Më thoni ju ku të shkojnë ? Kur rriten e bëhen për në shkollë nis një izolim i dytë. Shkolla të vogla, të mbyllura, pa ambiente të mëdha. Aty si në një garnizon ushtarak rrijnë fëmijët derisa vijnë prondërit e i marrin dhe i plasin në shtëpi.
Për ta nuk ka kohë të lirë, nuk ka hapësira që të jenë të tyret. Kur janë në moshën e pubertit mund të rrinë vetëm në hyrje të pallatit, por edhe aty si në gjemba se do të jenë të rrethuar nga motorët, makinat dhe furgonët që kalojnë në çdo sekondë të ditës. Si zogj të trembur pastaj shohin nga bari i lagjes derisa të dalë ndonjë pjesëtar i familjes e t’i marrë edhe atë në kafe. Vogëlushët e Durrësit guxuan të kthejnë një hapësirë të vetme që ka mbetur e lirë -trotuarin- në një fushë loje. Por u gabuan. Ku ta dinin ata se edhe ajo hapësirë është e zënë nga të çmendurit që popullojnë këtë vend.
KOHA JONË SONDAZH

