Home Aktualitet Arrestohen dy...

Arrestohen dy mjekët e Traumës! Morën ryshfet për operacionin e të riut që u plagos në Velipojë

106
0

Një mjek kirurg dhe një anestezist i spitalit të Traumës kanë rënë në prangat e policisë, pasi akuzohen se kanë marrë ryshfet nga një qytetar për kryerjen e një operacioni. Bëhet fjalë për operacionin e një prej të plagosurve nga masakra në Velipojë, Elmilind Dyli, ku pas përplasjes mes dy biznesmenëve mbetën të vrarë 4 persona dhe u plagosën 2 të tjerë.

Shkodër

Finalizohet operacioni policor i koduar “Bisturia”. Vihen në pranga një mjek kirurg dhe një mjek anestezist, si dhe një shtetas që iu ka dhënë këtyre dy mjekëve, një shumë parash për të kryer operacionin e djalit. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale paratë që kanë marrë mjekët për kryerjen e operacionit. Strukturat Hetimore të DVP Shkodër dhe të Komisariatit të Policisë Shkodër, me mbështetjen e forcës së Posaçme “Shqiponjat” të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Bisturia”. Në kuadër të operacionit u bë ndalimi për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, i shtetasve: S. M., 34 vjeç, me profesion mjek kirurg ortoped pranë Spitalit Universitar të Traumës Tiranë dhe E. S., 45 vjeç, me profesion mjek anestezist reanimator pranë Spitalit Universitar të Traumës Tiranë. Gjithashtu u bë ndalimi për veprën penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, i shtetasit F. D, 40 vjeç, banues në Shkodër. Ndalimi i tyre u bë për arsye se në ambientet e një qendre spitalore në Tiranë, pas një operacioni mjekësor që kirurgu S. M. dhe anestezisti E. S. i kanë bërë shtetasit E. D., i plagosur mbrëmjen e datës 27 qershor, në Velipojë, i ati i pacientit, shtetasi F. D. dyshohet se iu ka dhënë të dy mjekëve një sasi parash për kryerjen e operacionit. Pas kontrolleve të ushtruara, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale shumën 377.000 lekë të rinj dhe 55 euro. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykates së Shkallës së Parë Shkodër.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit