Home Kultura “Çelësi...

“Çelësi i së sotmes”, shpirti krijues që i propozon të sotmes shpërblimin qiellor të lirisë

113
0

Nga Albert Vataj

Uau! Kjo thirrje habie të shpërthen nga thellë teje, teksa rrekesh të zotërosh me logjikim racional këtë “çmenduri” të shpirtit krijues.
I dorëzohesh këtij çasti gjëmimshëm, si një nënshtrim i të qenit një grimcë në komunikimin hapsinor, një shkakësi në gjithëpraninë e spektaklit të krijimit, si një gjithmonshmëri e racionales që ndeshet me atyshmërinë e shkakut mbi pasojën, e nënshtrimit mbi kapardisjen, e sundimit sublim mbi naivitetin.

Shtangesh dhe një psherëtimë të zë përfundi. Rrekesh të mbledhësh copat e shpërndara të Zotit suprem, dhe përfundon duke bubrruar dromcat e një darke perëndish krijimi.
Ne jetë ka ardhur një krijes mitologjike që kërkon përdhunshëm të zërë një vend në prehrin e parehatshëm të modernitetit. Artisti Alfred Mirashi – Miloti në një rijetësim të gjeneratave prejnga vjen gjëneza e tij prej malsori, prej epike dhe eposi, në një kushtrim të thellë malesh që dehen me qiell, ofron përulësisht prehjen e një pasoni sendërgjimi si provë besimi.

Ai zgjat duart si pema rrënjët dhe viket më sa qiell ka në kraharor ADN-ja e tij. Zgjon etër dhe bij.

Përmendet e prehet ninullave të ëmave e i jepet dorzan magjepsjes së shtojzovalleve, bardhësisht dhe zotërueshëm, për të treguar botës, se strukur thellë nesh është një Zot që zëshëm thërret dhe begatshëm shtron prehrin.
Pritmë se po vij!
Thotë AI!

Kur sheh këtë përbindësh që merr frymë, thjeshtë e ndjen se si hapsira tkurret brenda teje, se si kapardisja prej egoisti dorëzohet dhe fudullëku i’a mbath me bisht ndër shalë. Kur e rrok me zotërimin tënd prej toksori këtë behje eterne, shkrehesh në gjunjë dhe lutesh, beson dhe dehesh me qiell.

Më në fund gjigandi prej shpirti dhe korteni, djerse dhe mundi rraskapitës, mendimi dhe meditimi, rrahjes së shpejtuar të zemrave dhe padurimit për të sunduar mbi çdo ndalesë dhe pengim, është i gjallë në mbretërimin e një bote që ndeshet për të sunduar me shpirt dhe pushtet sovran.

Ka lindur shpirti i artistit një kryevepër, e cila përmes përmasave rreket të dëshmojë jo vetëm pushtetin ëndërrtar të një pasioni, por edhe nënshtrimin e njerezores ndaj peshës dhe përmasave që krijimi si zot i gjithësisë urdhëron.

Ka ardhur në jetë një mrekulli arti. “Çelësi i së sotmes”, i cili është gati të çel zemrën e kyçur të fatit të modernitetit, siç është vullnetplot të tregojë gjithëbotërisht se ne vijmë nga Edeni për ta merituar atë si Kopësht Parasje tokësore.

Porta të rënda, ideologji ngatërrimtare, doktrina shtinjake, madhështi të ndrydhura prej mëdyshjes dhe egos, po përpiqen në prejkohje ta bëjnë gjithnjë e më të vogël botën tonë, gjithë e më të pamundur të sotmen. Por arti, si një Titan që kryengre ndaj ndëshkimit të Perëndive, këput vargonjt e nënshtrimit dhe i tregon së sotmes, se prej të gjithë zotërimeve, liria është më e perëndishmja e shpërblimeve që përkorjes sonë i ofrohet prej duarve të dritës si dhuratë.

Duhet të kesh kurajë krijuese prej të çmenduri si e Alfred Mirashit, të kuptosh se deri ku mund të arrijë shpirti të masë forcën që i kundërvihet ligjeve të gravitetit. Po, duhet një guxim i parrokshëm në zotërim për ti dhënë kuptim kësaj vepre, fuqisë zotëruese të mendjes dhe shpirtit, asaj çfarë bën imagjinata dhe vënë në lëvizje nga vendosmëri besimi dhe krahët e fuqishëm.

“Çelësi i së sotmes” është i bërë, copëz pas cope, bulës djerse e pikë gjaku, orë tensioni dhe ditë të ngërthyera në trazim. Gjithçka do të jetë përfunduar më 30 mars në Napoli, pas një odiseade ndërmjet dy shteteve, me një Adriatik në mes dhe një padurim për ta parë madhështinë e një shpirti dhe një bujarije, teksa shpërfaqet me madhështinë e vetë forcës së artit.

E kush arrin të masi forcat me të mundshmen veç artit, asaj fuqie transformuese që duke ndryshuar botën i dha shpirtit vullnetin sovran.

“Çelësi i së sotmes”, i artistit shqiptar, Alfred Mirashi – Miloti, vjen në jetë për t’u pëkundur në djepin e qytetërimit dhe artit, në Itali, duke u pagëzuar me ninullat e Napolit, për të hedhur hapin gjigand kah hapet sipari i sfidës së realizimit të superskulpturës, drejt mesazhit dhe misonarit të artistit.
Është tashmë çështje ditësh që “Çelësi i së sotmes”, të vendoset në Piazza Mercato, në Napoli më 30 mars 2023. Kjo është vepër monumentale, pjesë e projektit, “Çelësat e unitetit”, në bashkëpunim me JeanWolfe nga Los Angeles.

Nga hangaret e Metal VATA Kostruksion, prej zyrës së Saimir Perkeqi, inxhinierit zbatues, aty ku ishte më e ashpër beteja e shifrave dhe rakordimeve, e kalkulimeve dhe rikonceptimeve të detajeve, debateve dhe shoshitjes së pamjaftueshmërisë së saktësimeve të kësaj superstrukture arti, “Çelësi i së sotmes” së Alfred Mirashi – Miloti do të jetë shansi i një shprese të ushqyer në shpirtje.

Orë tensinoi dhe angazhimi, ishin prej fillimit deri në fund, gjithë këto ditë, ku një rol vendimtarë do të kishin Michele Stanzione, Drejtori artistik i projektit, “Çelësi i së sotmes” dhe inxhinieri, Michele Palumbo, prezent nga Italia dhe vetë Miloti. Stuhia e këtij përjetimi që sot është në jetë dhe trokitjen e parë të zemres prej mendimi dhe korteni do ta gjëmojë në Napolin e madh të historisë dhe artit, në Napolin e mbretërve legjendarë dhe lidhjes emblematike me arbërit.
Copë pas cope, element pas emelementi, profil pas profili, si në një ngjizje në placentën e ëmës së krijimit, ka nisur të pipëtijë në jetë e dimensionit galaktikë kjo vepër, duke marrë tashmë formë, duke treguar se sa e madhërishme është fuqia e artit.

Mëndje të mprehta që ravijëzuan këtë gjigant në konfigurime, duke i mëkuar përkushtimin dhe fuqinë transformuese që ngulmon të marrë frymë në një jetësim artistik, i cili e gjen gjuhën e komunikimit me ne, me atë heshtjen e copëzuar në fragmente e profile, në elemente arrin të përçojë ndjesinë e ngrohtë të një përjetimi, që struket i frikësuar mes trajtash dhe formash ende të rrëmujshme, por që tashmë kanë kryengritur duke marrë formë e duke ju qasur një përbindëshi që shastis dhe mrekullon.
Pas gjithë këtyre britmave prej hekuri e zhaurime mendimesh e debatesh, tendosjes së duarve të fuqishme dhe nënshtrimit të metalit dhe zjarrit, qëndron si një Ante në këtë epikë, ai, Alfred Mirashi – Miloti, i cili është mëndja, syri dhe veshti i kudogjendur, heshtja, meditativja dhe e buzëqeshura e tij e njerëzishme, e butë, që ndeshet çmendurisht më mposhtjen, duke sjellë në jetë këtë magjepsje që ka ngjizur me shpirt dhe përjetim të çmendur.

Një e sotme diversitetesh; kulturash dhe botëkuptimesh, identitetesh dhe përkatësishë racore, qasjesh politike dhe orjentimesh gjinore, është një tashmëri portash të mbyllura, muresh të larta, zemra të ngrira, e ndasish.

Ne i përkasim të sotmes, siç meritojmë njëri-tjetrin, dhe çelja e këtyre portave, rrëzimi i këtyre ndalimeve, ndezja e zemrave, janë ai altar i lutjeve të artistit dhe krijimi vjen shpirtshëm si prej një urdhërese të lartë ofron si shpagim një çelës. Një çelës që çdo hyrjes që hap i mëton një mundësi, çdo shansi i jep energjinë e hyjshme të besimit.

Skulptori, por jo vetë, edhe piktori dhe akademiku, njeriu dhe malsori i epikës legjendare, rrëmon nëpër gjithëkohësi, e sjell si prej mitit dhe tempujsh të varrosur në harrim, “Çelësin e së sotmes”. E zbret ai nga pafundësia këtë mrekulli që shastis për të dëshmuar se sa i madhërishëm është vlerësimi që na shpërblen me të sotmen.

Vjen ky çelës i përdredhuar pas betejash të pafundme qëndrese, mëdyshjesh dhe hezitimi, që i dhanë tjetër trajtë dhe i kunguan atë fuqi që ka sot, për të çliruar të sotmen tonë të çdo skllavërimi dhe privacioni, nga çdo nënshtrim dhe despotizëm, për t’i dhënë duarve të vullnetit tonë të mirë “Çelësin e së sotmes” si art dhe zotërim vetbesimi, si shprehje dhe triumf i çdo beteje për të merituar të sotmen.
Alfred Mirashi – Miloti, beson se përmes veprës “Çelësi i së sotmes”, këtij shpirti sfidues dhe krijues vjen të dëshmojë sinqerisht dhe pastërtisht zermrën e madhe të njerëzimit dhe dashurisë si shpërblim.

“Çelësi i së sotmes” do të jetë një altar, ku lutjet tona të mund të dëgjohen dhe ëndrra jonë e madhe e lirisë të bëhet realitet. Më 30 mars 2023 kjo mrekulli krijimi do të startojë nga Napoli odisenë e gjatë të predikimit për një botë pa dyer të mbyllura, për një sotme që meritojmë secili.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit