Home KRYESORE Departamenti ...

Departamenti Amerikan i Shtetit: Shumica e pronarëve të medias shqiptare përdorin mediat për pazare me qeverinë

503
0

(Pjesë nga raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit)

Ka pasur raporte se qeveria, bizneset dhe grupet kriminale u përpoqën të ndikonin në media në mënyra të papërshtatshme.

Raporti thotë se mediat e pavarura ishin aktive dhe shprehnin një shumëllojshmëri të gjerë pikëpamjesh, por shton se pati përpjekje për të ushtruar presion të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë politik dhe ekonomik mbi median, përfshirë kërcënimet dhe dhunën ndaj gazetarëve që u përpoqën të hetonin krimin dhe korrupsionin.

Një nga problemet kryesore që përmenden në raport është fakti që pronarët e bizneseve i përdornin lirisht mediat e tyre për të siguruar favore dhe për të çuar përpara interesat e tyre me (mbështetjen) e partive politike.

“Shumica e pronarëve të stacioneve televizive private përdorën përmbajtjen e transmetimeve të tyre për të ndikuar në veprimet e qeverisë ndaj bizneseve të tyre të tjera. Pati njoftime të besueshme se përfaqësues të lartë të medias përdorën organet e mediave për të ushtruan shantazh ndaj bizneseve duke i kërcënuar me mbulim negative”, thotë raporti.

“Presioni politik, korrupsioni dhe mungesa e fondeve kufizuan median e pavarur të shkruar dhe gazetarët sipas njoftimeve u angazhuan në autocensurë”, vazhdon raporti.

Për më tej, pasiguria ekonomike për shkak të mungesës së kontratave të punës gërreu pavarësinë e gazetarëve dhe kontribuoi në njëanshmërinë e mbulimit. Sindikata e Gazetarëve Shqiptarë vazhdoi të raportonte vonesa të konsiderueshme në pagesat e pagave për gazetarët në shumë media. Sipas sindikatës së gazetarëve, pandemia i përkeqësoi këto vonesa. Problemet financiare bënë që disa gazetarë të mbështeteshin më shumë në burimet e jashtme të të ardhurave, duke çuar në pyetje në lidhje me integritetin e raportimit të tyre.

Organizatat jo-qeveritare gjithashtu shprehën shqetësimin se etika profesionale ishte një prioritet i ulët për disa prej mbi 900 portalet e lajmeve në vend, duke ngritur shqetësime mbi përhapjen e lajmeve të rreme që u shërbenin “interesave të veçanta financiare, politike dhe kriminale. Rritja dramatike në mediat online ofroi një larmi pikëpamjesh si dhe mundësi për korrupsion.”

Po ashtu Sindikata e Gazetarëve shprehu shqetësimin për presionin ndaj gazetarëve nga interest e politikës dhe biznesit, si edhe rastet e dhunës ndaj tyre.

“Para zgjedhjeve parlamentare të prillit, organet e medias dhe shoqatat e gazetarëve u ankuan për mungesën e qasjes të pavarur të medias në takimet e fushatës të mbajtura nga partitë politike, të cilat preferuan t’u ofronin mediave përmbajtjen e tyre të redaktuar nga partia”, thotë raporti.

Po ashtu organizatat ngrenë shqetësime për paditë për shpifje ndaj gazetarëve dhe gjobat e larta dhe dosjet penale ndaj gazetarëve si rrjedhorë e këtyre padive, minuan lirinë e shprehjes. Po ashtu raporti përmend problemet me paketën kundër shpifjes, e cila pas kritikave, debateve dhe opinionit të Komisionit të Venecias që e gjeti atë problematik, mbeti pezull.

Raporti detajon gjithashtu problemet me liritë individuale të njeriut, përfshirë vrasjen e të riut që ishte në shkelje të orës policore në dhjetor 2019, burgjet e mbipopulluara dhe kujdesin e pamjaftueshëm për të burgosurit, dhuna ndaj gruas dhe në familje e keqësuar gjatë pandemisë, dhe diskrimimi për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit