Home Aktualitet Dhuna online ...

Dhuna online kundër grave, Koçiu: Forcim i legjislacionit, rritje e aksesit në mbi 70 shërbime sociale

18
0

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu mori pjesë sot në aktivitetin me temë “Dhuna psikologjike dhe digjitale kundër grave dhe vajzave”, ku theksoi rëndësinë e forcimit dhe zgjerim të mekanizmave të trajtimit të dhunës në sferën kibernetike.

Aktiviteti u organizua nga reporterja e përgjithshme për dhunën ndaj grave të Asamblesë së Këshillit të Evropës, me Aleancën e Grave Deputete në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale si dhe UN Women. Koçiu u shpreh se MSHMS është e gatshme për të propozuar ndryshime të tjera ligjore lidhur edhe me këtë fenomen të dhunës.

“Si ministri e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, sa i përket fenomeneve të tilla, ne sot kemi në dispozicion një kuadër ligjor që ka rritur dhe ka nxitur shërbime të reja mbështetëse të specializuara, të cilat përfshijnë ndihmën juridike falas për viktimat e abuzimit seksual dhe trafikimit, Linjën Kombëtare të Këshillimit për Vajzat, Qendrën Kombëtare për Trajtimin e Viktimave të Dhunës, Qendra dedikuar viktimave të dhunës seksuale, si dhe Qendra dedikuar fëmijëve viktima të dhunës”, deklaroi Koçiu.

Ministrja vuri në dukje se falë rritjes së vazhdueshme edhe të mbështetjes nga buxheti i shtetit, MSHMS ka rritur bashkëpunimin me pushtetin vendor duke ofruar mbi 70 shërbime sociale. “Shërbime të tjera mbështetëse që financohen drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit janë: linja kombëtare telefonike 116-117, linja telefonike Alo 116, shërbime të specializuara pa pagesë, të disponueshme 24/7 që ofrojnë këshillim dhe shërbime për viktimat e dhunës në familje dhe me bazë gjinore, si dhe fëmijët e dhunuar”, nënvizoi ajo.

Koçiu u ndal edhe në objektivat kryesorë të Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore; përmirësimin e legjislacionit, rritjen e aksesit në shërbimet e specializuara, rritjen e aksesit në drejtësi, rritjen e ndërgjegjësimit etj. Ministrja vuri theksin tek përgatitja e një brezi të ri, ku barazia është një vlerë e kultivuar që në pikënisje, dhe ku të gjithë të rinjtë e të rejat janë patjetër “agjentë” të këtij ndryshimi.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit