Populli po flet me vete!

 

Nga Thoma Goga

(Kush ka sy e shikon, kush ka mend e kupton)

Swiss Digital Desktop Reklama

Teksa ecja rrugës shikoj në një cep të trotuarit një mikun tim mjek që fliste me vete. “Paska shkarë dhe doktori”,- thashë me vete. Ia bëra me dorë po nuk reagoi. Iu afrova dhe i fola. Gati u tremb.“Më prishe punë-, më tha.- Po përsërisja mësimet e testit, se nuk i dihet ç’i pjell mendja qeverisë”. Ia qava hallin që nuk ia zgjidhja dot. Besoj se kështu po flasin me vete edhe infermierët, mësuesit, të rinj e të vjetër. Policët po e po. Madje këta të fundit janë me një këmbë në detyrë e me një këmbë në burg. Kështu janë dhe elektricistët, inxhinierët. Pothuaj gjithë populli flet me vete për hallet që ka, për gjendjen e rëndë ekonomike, për papunësinë. Flitet se po punësohen shumë, po se ku dhe se kush, këtë e dinë ata që janë lartë “në sallën e komandës”. Flitet për luftë të madhe korrupsionit, por pjesa e padukshme e ajzbergut nuk del kurrë. Hapin portale elektronike, që gati-gati ngjajnë me ato lojërat kinezrishte që gënjejnë kalamajtë para ekranit. Po të kërkosh punë, thonë “shko te zyrat e punës”. Kurse atje të tregojnë konkurset. Madje në fillim fare u futën pa konkurse nëpër ministrira e drejtorira militantët e PS e të LSI-së. E meqë ra fjala te konkurset, askush nuk ka besim te farsa e tyre. Shkova dhe unë në një të tillë. Bëhej fjalë për një vend redaktori dhe ku kriteri kryesor ishte njohja mirë e gjuhës shqipe, veçanërisht e  drejtshkrimit. Po a e dini se kush fitoi? Një vajzë bukuroshe që sapo kishte dalë nga universiteti, ose një zog i sapodalë nga veza. Vrava mendjen se këtë herë mos kisha shkarë unë. E po, koqe gruri është truri; kam rreth 40 vjet (me gjithë të shtunat e të dielat) që merrem me gazetari. Po drejtshkrimi është si puna e notit; sa më shumë të rrish në det, aq më mirë noton. Kurse ajo bukuroshja një herë u krodh në det e u bë mbret…Po të ishte gjallë Ezopi, nuk do rrinte pa i çpuar me hosten. Një fabul e ngjashme shpotitëse më erdhi në mend. Edhe pse e kam shkruar vite e vite më parë, ajo mbetet e mbetet aktuale.

Swiss Digital Mobile Reklama

Kjo që do t'u tregoj tani ka ndodhur në mbretërinë e Pyllit… Eh, sa ditë e bukur ishte! Gjithë pylli gjëmonte nga festa në familjen e Derrit Fyçko e të Lepurit Pup. Të dy sapo ishin diplomuar për pedagogjinë e pyllit. Të nesërmen e festës ra zia. Gjithë ai gëzim u doli nga hundët. Dhe a e dini pse? Kishte ardhur shkresa që të hynin në konkurse. Deshën-s’deshën hyn edhe në konkurse se u shkonte dëm gjithë ajo shkollë. I fituan dhe konkurset po prapë nuk u gëzuan. Erdhi emërimi. Derrin e emëruan në shkollën e arinjve, kurse akoma me keq, Lepuri duhej t'u jepte leksion qenve.

Fyçkoja që kishte një tufë me fëmijë për të ushqyer, u paraqit në punë dhe filloi të jepte ca orë mësim. Fliste dërrçe e bërtiste, po ku hanin pyka arinjtë. Edhe Panda edhe Tao-Tao, që e mbajnë veten si më të zgjuarit, nuk kuptonin gjë. Kurse Lepuri Pup e dini ç'bëri? Gjeti zgjidhjen me të këndshme; nuk u paraqit fare. Qentë paskeshin thënë se "mezi po e prisnin nga gëzimi për ta "puthur"”… Pasi kaloi një javë edhe Derri Fyçko e la fare shkollën. E ç' të bënte kur edhe arinjtë nuk pyesnin  fare për gjuhën dërrçe, megjithëse e kishte mbrojtur me master?!

Një ditë të bukur me diell,  ndërsa kishin dalë secili në hesap të vet, Derri Fyçko e Lepuri Pup takohen tek burimi. Pasi i qanë hallin njeri-tjetrit, vendosën të ankohen  tek shefi i arsimit të pyllit. Dhe ashtu bënë. Të nesërmen të dy u ndodhën para derës së hapur të shefit. Të çante hundën parfumi i markës BAJGA…Shefi, sa i pa, gjithë mirësjellje (sapo ishte miratuar Kodi Mirësjelljes), i ftoi brenda, duke shprehur edukatë të lartë si shef.

– Hë, ç'thotë puna?  – pyeti shefi.- Jeni të kënaqur?

Derri Fyçko e Lepuri Pup ulën kokat.

-Siç dihet fillimi ka vështirësi, – vazhdoi shefi, – por ju mos u tërhiqni.

Në atë çast, ndërsa Lepuri Pup rrutullonte sytë sa majtas e djathtas mos hynte aty ndonjë nga "nxënësit- qenë" të tij, Derri Fyçko mori guximin e foli:

– Shef, këtu ka diçka që nuk shkon. Nuk është aspak e drejtë kur  unë që fitova  edhe konkursin me djersën e ballit, të punoj me arinjtë dhe Lepuri të punojë me qentë.

– E çfarë zgjidhje jep?- pyeti shtruar shefi.

– Puna bëhet me mirë që unë Derri të punoj me derrat dhe Lepuri me lepujt. Mesa dimë aty vendet janë ende të lira.

– Na shkrive fare, more Fyçko,ha, ha, haaaa…- qeshi shefi.- Pse zgjidhje i thua kësaj, mo?! A e  di ti, more Fyçko, se këtu në vendin tim si shef duhej të punonte ndonjë akademik, por kot nuk më kanë emëruar mua GOMARIN…

Derri Fyfko e Lepuri Pup dolën me bishtin ndër shalë…Aty u mor vesh se edhe Mushka ishte bërë shefe e madhe në një ministri. A e dini pse? Sepse dikur mërmëriste me frikë se e kishte dajë Kalin, kurse tani plot krenari ka shkruar në CV që e  ka baba  Gomarin…”. Dhe në fakt nga ADN-ja ashtu del… Këtu  mbaron rrëfimi, këtu mbaron dhe shkrimi, ndërsa ju të dashur lexues nxirreni vetë moralin…

 

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?