Home Aktualitet Gjonçaj: Kras...

Gjonçaj: Krasniqi kontribut në bashkëpunimin mes administratës së Kuvendit të Kosovës dhe Shqipërisë

72
0

Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë, Genci Gjonçaj i shprehu mirënjohje për bashkëpunimin Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, pas përfundimit të detyrës së tij në këtë post.

“I nderuar Ismet Krasniqi, Sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit të Kosovës, më lejoni që në emër të administratës së Kuvendit të Shqipërisë dhe në emrin tim personal, t’Ju drejtoj falenderimet më të përzemërta për kontributin tuaj në forcimin dhe thellimin e bashkëpunimit mes administratës së Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Gjonçaj.

“Me këtë rast, dua të shpreh kënaqësi dhe mirënjohje për bashkëpunimin tonë gjatë viteve që unë jam Sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit, por veçanërisht dëshiroj të vlerësoj kontributin tuaj të shtrirë në disa dekada dhe angazhimin personal në forcimin e marrëdhënieve mes dy institucioneve ligjbërëse. Mund të themi jo pa krenari se bashkëpunimi ka njohur përherë dimensione të reja dhe kulmoi me nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit midis dy parlamenteve tona më 20 shtator 2022, si dhe në organizimin më 27 nëntor 2022 të Mbledhjes së Parë të Përbashkët të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë”, tha Gjonçaj.

Ai shtoi se, “kam bindjen e plotë se edhe pas përfundimit të detyrës tuaj, si Sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit të Republikës së Kosovës, kontributi juaj do të vlerësohet nga të gjithë”. “Duke shprehur urimet e mia më të mira për shëndet dhe prosperitet për Ju dhe familjen Tuaj, lutem pranoni, i nderuar mik, ndjenjat e konsideratës sime më të lartë”, theksoi Gjonçaj.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit