Home Kultura Jeronim De Ra...

Jeronim De Rada, poeti i kumbimeve profetike, shqipkumtuesi i zëshëm i vlerave evropiane

73
0

Nga Albert Vataj

Jeronim De Rada do të ndërmendet në detyresën e gjeneratave si një personalitet që tejkaloi çdo përkufizim. Ai diti dhe mundi të jepej me mish dhe me shpirt të epërmeve virtyte, të shenjtave obligime. Gjithçka përmbledhtaz përbën aktin e tij si kontributor i atdhetarizmë është thelbësisht misioni i një shenjtori. Edhe pse ai nuk ishte i shuguruar si i tillë, kujtesa e vlerave dhe veprës që la trashëgim i ngritën atij një altar, një predikuese të shqiptarizmës, një gjunjëzore përtëritjesh shpirtërore. Ai luajti një rol dritonjës në historinë e letërsisë shqiptare. Ishte nistori i veprës letrare me frymë kombëtare. Ndikimi i tij mbi shkrimtarët arbëreshë bashkëkohës ishte i madh. Tradita poetike e shkruar prej tij vijon të jetojë e përtërirë edhe në letërsinë e sotme arbëreshe. Jeronim De Rada ishte poeti i kumbimeve profetike brenda panteonit të letërsisë botërore, shqipkumtuesi i zëshëm i vlerave evropiane, dritëlëshuesi mbi terrin e kahershëm të kumteve shpirtërore të arbrit. Jeronim de Radës (Girolamo de Rada), poeti, publicisti, folkloristi, filologu dhe mësuesi, themeluesi i letërsisë dhe i kulturës arbëreshe u lind më 19 nëntor 1814 dhe vdiq më 28 shkurt 1903.


Jeronim De Rada“Mësues i Popullit” jetoi dhe kontribuoi kësisoj. Rrugëtimi i gjatë iveprimtarsë së tij të paepur pikënisi në vitin 1834, asokohe kur De Rada ndodhej në Napoli me studime. Më 1848, nxori të parën gazetë shqiptare, të titulluar “L’Albanese d’Italia”. Kjo gazetë u bë tribun i mendimit dhe pikëpamjeve të tij për ngjarjet e kohës. Dështimi i revolucionit më 1848, shënon një krisje të thellë në themelet e kësaj shtatoreje të idealeve të mëdha. Asokohe mbyll “L’Albanese d’Italia”. Me një barrë të rëndë zhgënjimi u tërhoq në fshatin e tij të lindjes, deri në fillim të viteve ‘60 të shek. XIX. Një erë e re për De Radën nis më 1861, periudhë kur ai shfaqet i përtërirë dhe me energji të mëdha, një zë jehues i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Pas traktatit “Parimet e estetikës” më 1861, ai rivjen me një vepër po kaq të zëshme, “Lashtësia e kombit shqiptar”, 1864 dhe “Rapsodi të një poeme arbëreshe” 1866, kumte të cilat luajtën një rol të rëndësishëm për propagandimin e çështjes kombëtare shqiptare. Hyri në korrespondencë me patriotët shqiptarë dhe me personalitetet kulturore evropiane, dashamirës të Shqipërisë dhe vlerave të saj të patëdyta. Ndoqi me interes të gjallë ngjarjet në Shqipëri. Pikë kulmore për rolin e këtij veprimtari atdhetar është përkrahja që ai i dha më 1878-ën Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke ngritur zërin fuqishëm kundër gjymtimit tokësor të Shqipërisë. Një ndihmesë të çmuar gjithashtu mëtoi për interesat e epërme të çështjes kombëtare nëpërmjet revistës “Flamuri Arbrit”, botuar prej tij në jetësimin ndërvitas, 1883-1885. Në “Testamentin politik” të 1902-it shprehu optimizmin për të ardhmen e Shqipërisë dhe pakënaqësinë e tij ndaj politikës së Italisë ndaj atdheut të të parëve.
De Rada gjithashtu ka një kontribut të çmuar në fushën e studimeve gjuhësore. Gjurmët e tij janë të plazmuara fuqishëm në mendimin e kohës për prejardhjen e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe, duke kumtuar dhe mbrojtur energjikisht zanafillën e lashtë të tyre. Jeronim De Rada është nga të parët studiues vendas të strukturës gramatikore të shqipes. Në të dyja veprat gramatikore që hartoi më 1870 dhe 1894 vuri në dukje aspekte të patheksuara më parë nga dijetarë shqiptarë dhe albanologë dhe dukuri gjuhësore të pastudiuara ose të panjohura deri asokohe. Në veprat e tij gjuhësore jepen të dhëna me interes për të folmet arbëreshe. Bëri përpjekje të vijueshme për një alfabet të përbashkët të shqipes që të jepte një sistem sa më të plotë dhe të përshtatshëm për shqipen me karaktere latine, të plotësuara me shenja diakritike. Në veprimtarinë gjuhësore të De Radës duhet përmendur edhe organizimi i dy kongreseve gjuhësore të shqipes, i pari 1895 në Koriliano Kalabro, i dyti 1897 në Lungro. Dha me vetëmohim mësimin e shqipes në Kolegjin arbëresh të Shën-Mitër Koronës për dhjetëvjeçarë të tërë, gjersa vdiq u shua për të mbetur një “Mësues i Popullit, një Rilindas i madh i çështjes Kombëtare Shqiptare.

Tekst te Jeronim De Rades te korigjuar me doren e tij
Tekst te Jeronim De Rades te korigjuar me doren e tij

Mjaft e gjerë është edhe veprimtaria poetike e De Radës. Nisi të botojë që herët, por shkrimi që i solli famën si poet me talent të shquar është poema lirike-epike “Këngët e Milosaos” (1836), vepra e parë e letërsisë sonë me vlera të mëdha artistike. Në qendër të veprës është historia e një çifti të ri që bashkohet pas shumë pengesash. Autori nuk kufizohet me dënimin e paragjykimeve klasore që pengonin lumturinë e të rinjve; në vepër kumboi ideja e detyrës ndaj atdheut dhe e gatishmërisë për të luftuar për mbrojtjen e tij. Historia e dashurisë fatkeqe midis dy të rinjve nga rrethet aristokratike të Shqipërisë së shekullit XV është edhe në qendër të poemës “Serafina Topia”, mbi të cilën poeti punoi në vitet 1839-1843. I pakënaqur nga puna e tij, De Rada këtë subjekt e rimori në poemën “Pasqyra e një jete njerëzore” (1898) duke e zgjeruar dhe duke trajtuar në të një problematikë më aktuale për kohën, luftën kundër pushtuesit otoman. Vepra më e rëndësishme e De Radës është “Skënderbeu i pafan”, të cilën e mbajti në duar një kohë të gjatë (1837-1896). Në vepër janë shkrirë mjaft nga këngët dhe poemat që kishte botuar më parë. Aty u shpreh në mënyrë më të plotë dhe më të qartë patosi kombëtar që kishte frymëzuar veprën e De Radës. Ndonëse nuk ka njësi veprimi dhe vazhdimësi, poema jep një tablo të gjerë të Shqipërisë në shek. XV, të bëmat e lavdishme të popullit, dashurinë e tij të flaktë për jetë të lirë dhe të pavarur, gjallërinë e mahnitshme që shfaqi përballë sulmeve të egra të armiqve. Në qendër të veprës është konflikti midis shqiptarëve dhe osmanëve, dhënë me anë skenash ku paraqiten beteja të ashpra e të furishme, që shquhen nga ngjyresa e theksuar historike dhe imtësitë shprehëse. Heroi kombëtar shfaqet në vepër si burrë shteti i shquar dhe trim i rrallë, që diti me mençurinë dhe me heroizmin e tij të ngrejë popullin e vet në luftë çlirimtare të pashoqe. Në karakteret e personazheve të tjera mishërohet heroizmi dhe trimëria e shqiptarëve. “Skënderbeu i pafan” është kryevepra e De Radës dhe në të u dukën në mënyrë të qartë veçoritë kryesore të talentit të tij, si mjeshtër i tablove të gjera historike dhe i përshkrimit me zotësi të botës së brendshme të heronjve, të mendimeve e të ndjenjave më të thella e më të fshehta të njeriut. Si poet, sidomos në “Këngët e Milosaos”, De Rada u çmua lart edhe nga rrethet letrare evropiane.


“Te De Rada ia vlen të shënohet ai lloj fluturimi pindarik, tipikisht mistik, që e lidh lajmin e një mirësie të kryer jo me sensin e një mirësie personale, por të një vizioni të gjerë teologjik të gjithë-atësisë së Zotit.
Unë do të rrëfej gjithmonë veç për suksese të vërteta, edhe pse e di shumë mirë se i flas një gjenerate shumë kryeneçe, që ka për divizë shprehjen “Quid est veritas? (Ku është e vërteta?) të Ponc Pilatit
Megjithatë e vërteta është se ky njeri mistik duhet të ketë ndjerë e besuar të ketë për rilindjen e Shqipërisë një mision të atillë me atë që pat besuar të kishte Dantja për të gjithë italianët jubileun e vitit 1300. Ai s’u shpreh kurrë qartësisht në lidhje me këtë mision, ndoshta për arsye modestie, duke menduar të mos jetë i denjë për një gjë të tillë. Por, në vëllimin e periudhës së parë të ‘Autobiologjisë’ së tij, autori do të shkruajë: ‘Në vetvete, ngjarjet e jetës sime nuk kanë kurrfarë vlere për të tjerët, as kurrfarë vlerësimi prej tyre. Vlerësimi i takon lartësimit ‘të bërjes dhe pasjes’ së një gjuhe kombëtare, mbrojtëses së vërtetë të kombit shqiptar’. Ndoshta teologët nuk e kanë kaq të lehtë të pohojnë ekzistencën e misioneve profetike të poetëve, ashtu siç nuk janë të lehta të pohohen zbulesat e tyre të vërteta mistike e të mbinatyrshme, me pretendimin e drejtë për të mos i dhënë Zotit përgjegjësi që nuk janë të tijat”
Biografia e tij liston deri në 43 vepra, të gjitha të ndryshme nga njëra-tjera për nga gjinia, por tek të gjitha vetëm diçka kumbon njëlloj, patriotizmi i lartë, për t’i shfaqur kështu si “fragmente zemre”; ja pse me plot të drejtë rrëfehet se ai diti të shfrytëzojë edhe gramatikën e ftohtë të gjuhës, si fushë-betejë për të sfiduar armiqtë e Shqipërisë. Edhe atëherë kur për disa zakone a doke të caktuara kishte ide shumë të vagullta, De Rada nuk u interesua shumë të informohej; rregullohej e ambientohej lirisht në çdo fushë falë bindjes se vula e etnicitetit shqiptar ishte para së gjithash gjuha, religjioni antik i atdheut, kujtimet e Skënderbeut dhe ideali i rifitimit të pavarësisë, e, mbi të gjitha, rikthimi në qytetërimin e humbur. Pjesa tjetër mund të qe edhe e përafërt, ajo s’prishte punë.
Në thelb, që në rini De Rada shfaq mbresat e ekzistencës së një bote të vet poetike, përtej asaj të fituar nga leximet. Këngët popullore i afruan një fushë të re ku të mund ta jetonte këtë botë, e një gjuhë të re, më të freskët e më arkaike, për ta bërë atë më interesante.


E ai u krodh në të pa shumë shkujdesje, duke zbukuruar shumë prej motiveve të shkollës romantike, përtej atyre tassiane apo të këngëve tradicionale. Rezultati qe një përshtypje e thellë dhe e lumtur e lexuesve tashmë të mësuar me fantazinë e tassianëve dhe romantikëve, e që të shtyrë prej parimeve të kësaj rryme, prisnin me festë gjithçka që mund të tingëllonte si një epikë autentike popullore. “Megjithatë, nuk besoj, nënvizon Valentini, se një lexues shqiptar i epokës do të kish njohur, përtej gjuhës dhe frazeologjisë, shumë prej botës së tij në poetikën e autorit”. Nuk mund ta themi nëse De Rada ishte apo jo i ndërgjegjshëm për një gjë të tillë; e nëse qe, nuk mund të shtojmë nëse kjo ndërgjegjshmëri do ta kishte shmangur vallë nga mënyra e tij e të shkruarit (nisur nga bindja se, nëse do të donte, ai fare lehtë mund të shkruante edhe ndryshe). Ajo çka mund të themi me siguri është fakti se me poemat e tij ai s’ndihej kurrë plotësisht i kënaqur, pavarësisht se ish i ndërgjegjshëm se bëhej fjalë për diçka të madhe. Ja pse shumica prej tyre, edhe pse të ripunuara shpesh, mbetën për të në gjendjen e tentativave të pakënaqura asnjëherë.
Jeronim De Rada, njëri prej përfaqësuesve kryesorë të elitës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, inspiruesi kryesor e autoritar i intelektualëve arbëreshë të kohës, kumtohet se u nda nga jeta trishtueshëm në një varfëri që “guxoi” ta persekutonte në vitet e tij të vështira të moshës së thyer. Mbamendet se atij i erdhi vdekja duke e gjetur të mbërthyer përbindshëm nga një skamje lemerisëse. Ai mbylli sytë si një virtuoz i mendimit dhe kontributit atdhetar, anipse nën hijen e mrrylët të asaj skamje që duket se ia afroi më shumë varrin shtratit ku tretej ai kurm i shterrun mishi, por zemërzjarr e pendëmprehtë.
Njerëzit që iu ndodhën më pranë ditën që iu “shua qiriu i jetës”, shtangën të habitur kur në xhepat e këtij intelektuali të spikatur, në vend të të hollave, u gjet vetëm një cironkë e tharë në tym. Një absurditet që mund të matet vetëm me vetveten, sepse me personalitete si De Rada mund të nderohet e krenohet çdo komb, në mos për patriotizmin e kulluar që ai shpalosi, së paku për majat e larta që arriti si poet, si gjuhëtar, si pedagog e jurist.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit