Home Kronike Kapet me 70 k...

Kapet me 70 kg kanabis në Morinë, arrestohet 48-vjeçari nga Rumania

123
0

Në pranga nga policia e doganës së Morinës ka rënë një 48-vjeçar, pasi është kapur duke transportuar drogë. Florin Balanescu nga Rumania po transportonte 70 kg kanabis nga Morina kur u arrestua nga policia. Ai kishet si synim që drogën ta transportonte në një nga vendet e BE.

Njoftimi i plotë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Indicia”, i zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Kukës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Morinës. Goditet një rast i tentativës për trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Operacioni u finalizua falë informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative dhe të administruara nga strukturat hetimore kundër narkotikëve, të DVP Kukës. Sekuestrohen rreth 70 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis. Vihet në pranga 48-vjeçari nga Rumania, që transportonte lëndën narkotike.

Strukturat hetimore të DVP Kukës, në bazë të informacioneve të siguruara për një rast të tentativës për trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike, nga Kukësi me destinacion një nga vendet e BE-së, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe me autoritetet doganore, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Indicia”.

Në kuadër të këtij operacioni, në PKK Morinë, në dalje të RSh-së, shërbimet e Policisë kaluan në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin rumun F. B., për të cilin disponohej informacion i marrë përmes inteligjencës informative, nga strukturat hetimore të DVP Kukës.

Gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në pjesën e poshtme të automjetit që drejtonte ky shtetas, në shasi, në një hapësirë të përshtatur për të fshehur lëndë narkotike, u gjetën dhjetëra pako të mbushura me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë totale rreth 70 kilogramë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe me 2 aparate celulare.

Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin F. B., 48 vjeç, banues në Rumani, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.

Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, vijon hetimi i thelluar, për zbardhjen e plotë të këtij rasti, si për identifikimin e kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit