Bianka Balliçi, gazetarja italiane që e varën lakuriq për ta bërë shembull të torturës mizore
Nga Ervina Toptani
Pasi e torturuan në hetuesi për muaj të tërë me akuzën se ishte spiune e Perëndimit, dëshira kafshërore e xhelatëve komunistë arriti përtej çdo të imagjinueshmeje.
Biankën e varën nga shpatullat, të lidhur me litarë, lakuriq, në mes të oborrit të burgut të burrave, aty ku shumica e të burgosurve ishin miq të saj dhe të bashkëshortit.
Kur u njoha për herë të parë me historinë e Bianka Balliçit, përjetova një tronditje të thellë shpirtërore dhe psikologjike.
Bianka Balliçi, njësoj si Pauline Petrela e shumë gra të tjera të huaja, provoi mbi lëkurën e saj llavën e urrejtjes, vetëm sepse kishte një shpirt të madh, plot dashuri dhe dinjitet. Mjaftonte kjo që të torturohej në mënyrën më çnjerëzore nga shtazë të pashpirt, të veshura me veladonin e vdekjes dhe me drapërin e çekanin në dorë.
Bianka Balliçi ishte gazetare italiane, piktore dhe artiste. Ajo erdhi në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore si korrespondente e gazetës ku punonte. Këtu u dashurua dhe u martua me Adem Balliçin, djalë fisnik i një familjeje të nderuar qytetare nga Elbasani.
Në vitin 1946 nisi kalvari i vuajtjeve për Biankën, bashkëshortin dhe familjen e tyre. Ata u arrestuan, u torturuan dhe u burgosën. Bianka nuk e pa më kurrë bashkëshortin, dhe dashuria e tyre u përskuq dhunshëm nga hekuri i skuqur i torturës komuniste.
Bianka ishte vërtet si emri i saj: e bardhë në shpirt e në lëkurë, artiste që adhuronte të bukurën dhe i donte njerëzit. Kishte një buzëqeshje plot jetë, flokë biondë dhe sy të mrekullueshëm të kaltër.
Pasi e torturuan barbarisht, Biankën e varën nga shpatullat, të lidhur me litarë, në një mënyrë aq çnjerëzore sa pesha e trupit rëndonte mbi nyjat dhe muskujt, duke shkaktuar një shqyerje të ngadaltë e të padurueshme të gjymtyrëve. Më pas e lanë ashtu, lakuriq, në mes të oborrit të burgut të burrave, ku ndodheshin shumë prej miqve të saj dhe të bashkëshortit.
Bianka e bukur, aq e re dhe aq e pafajshme, që përveç bashkëshortit nuk kishte askënd tjetër në Shqipëri, qëndroi me sytë mbyllur në acarin e dimrit. Gjaku i kullonte nga trupi dhe ngrinte në currila të errët prej të ftohtit.
Të gjithë zotërinjtë që vuanin burgun komunist u detyruan të dilnin e ta shihnin, një nga një, këtë skenë të tmerrshme, si pjesë e dënimit. Por askush nuk i ngriti sytë. Të gjithë qëndronin kokulur, ndërsa lotët u rridhnin nëpër faqe.
Shumë prej tyre, po atë ditë, u torturuan sepse guxuan të rebeloheshin për Biankën. Ndërsa muret e birucave përskuqeshin nga gjaku i intelektualëve, të ndëshkuar sepse refuzonin të bëheshin pjesë e krimit, Bianka vazhdonte të qëndronte heroikisht e varur, lakuriq, me flokët e shpupuritur të ngrirë nga gjaku dhe me sytë e mbyllur, duke pritur vdekjen që nuk vinte.
Ah, zemra… Nuk ndalon zemra kur njeriu dëshiron aq shumë që ajo të mos rrahë më.
Bianka, gruaja me emrin dhe shpirtin e bardhë, mbetet ikonë e kalvarit të vuajtjeve dhe dhimbjeve të pashkakta, të atyre plagëve që nuk gjejnë as arsye, as justifikim, as filozofi që t’i mbështesë. Ajo është një nga figurat më tragjike të absurdit njerëzor dhe e urrejtjes së verbër që një regjim çnjerëzor mund të ushtrojë mbi njeriun.
KOHA JONË SONDAZH

