E shndërroi shtëpinë në Berat në muze, artizania Tefta Qose: 500 kostume popullore, puna e një jete
Në një kohë kur shumë tradita rrezikojnë të harrohen, Tefta Qose vazhdon të mbajë gjallë artin e krijimit të veshjeve popullore.
Prej disa vitesh, ajo e ka shndërruar shtëpinë e saj në lagjen “Barrikadë” në një muze të veçantë, ku çdo cep rrëfen histori, ndërsa çdo veshje popullore bart me vete identitetin e disa krahinave të vendit përveç asaj beratase.
Pas këtij muzeu qëndron një jetë e tërë e Tefta Qoses e përkushtuar ndaj artizanatit. Rrugëtimin e saj e ka nisur që në fëmijëri, kur ishte vetëm 7 vjeçe, hodhi hapat e parë në këtë zanat, por me kalimin e viteve kjo lidhje u forcua duke u kthyer në një pasion dhe mision për të ruajtur trashëgiminë kulturore.
“Ideja për ta kthyer shtëpinë në muze lindi natyrshëm, si një vazhdim i jetës sime dhe punës që kam bërë prej dekadash me veshjet popullore. Që në moshë të vogël jam rritur mes punës artizanale, duke filluar që 7 vjeç, me përgatitjen e materialeve për rrogozin dhe më pas me qëndisjen. Me kalimin e viteve, koleksioni im u pasurua shumë dhe ndjeva përgjegjësinë që kjo pasuri të mos mbetej vetëm personale, por të ndahej me publikun. Kështu vendosa që shtëpinë time ta kthej në një hapësirë ku tradita jo vetëm ekspozohet, por edhe jetohet”, tha Qose për ATSH-në.
Sot, kjo shtëpi-muze mirëpret vizitorët me një koleksion të pasur kostumesh popullore nga zona të ndryshme të Shqipërisë.
“Në muze kam një koleksion të pasur me dhjetëra kostume popullore nga zona të ndryshme të Shqipërisë, si Myzeqeja, Berati, Skrapari, Labëria, Veriu dhe zona të tjera. Janë gjithsej rreth 500 kostume popullore, por duke përfshirë edhe pjesët përbërëse të tyre shkojnë në 1000 veshje”, theksoi Qose.
Sipas saj, çdo kostum mbart historinë, identitetin dhe mjeshtërinë e krahinës nga vjen, duke krijuar një mozaik të bukur të kulturës sonë kombëtare.
Teksa shikon kostumet e ekspozuara të bien në sy punimet unike, ngjyrat, motivet dhe qëndisjet karakteristike që tregojnë historinë dhe traditën e krahinës që përfaqësojnë.
“Koha për realizimin e një kostumi popullor varet nga kompleksiteti i tij, por në përgjithësi mund të zgjasë nga disa javë, deri në disa muaj. Procesi kërkon shumë durim, përkushtim dhe punë të imët, sidomos në qëndisje. Materialet i siguroj me kujdes të veçantë, duke kërkuar cilësi dhe duke u përpjekur të ruaj sa më shumë autenticitetin, shpesh duke përdorur teknika dhe materiale tradicionale”, nënvizon Qose.
Ajo tregon se një pjesë e mirë e kostumeve janë punime të sajat të realizuara me dorë, duke respektuar modelet tradicionale.
“Kam punuar kryesisht kostume të zonës së Myzeqesë dhe të Beratit, por edhe të zonave të tjera, duke u bazuar në studim dhe përvojë shumëvjeçare. Për mua është shumë e rëndësishme që çdo detaj të jetë sa më besnik ndaj origjinës”, shprehet Qose.
Në muzeun e saj gjen shumë punime të ojnave, artit të rafinuar të thurjes me grep dhe gjilpërë, të cilat janë kandidate për t’u shpallur nga UNESCO, pjesë e listës përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit.
“Në këtë muze ruhen me kujdes disa prej elementeve më të veçantë të trashëgimisë sonë: ojnat e punuara me gjilpërë. Këto nuk janë qëndisje në pëlhurë, por një teknikë më vete, e ndërtuar fije pas fijeje, duke krijuar forma të imëta dhe të qëndrueshme. Ojnat janë përdorur kryesisht si zbukurime për shamitë e kokës, mëngët apo pjesë të tjera të veshjeve tradicionale. Ato shpesh shoqëroheshin edhe me rruaza, duke i dhënë një pamje më të pasur dhe elegante”, shprehet Qose.
Sipas saj, punimi i ojnave kërkon durim të jashtëzakonshëm, sy të mprehtë dhe mjeshtëri të trashëguar brez pas brezi.
“Çdo ojne është një krijim unik, ku dora e artizanes ndërton jo vetëm një zbukurim, por një copë historie dhe identiteti. Prania e tyre në këtë muze është një fat dhe një përgjegjësi: për të ruajtur, për të treguar dhe për të mos lejuar që kjo mjeshtëri e rrallë të harrohet”, shton ajo.
Por ky muze nuk është thjesht një hapësirë ekspozimi, ai është vendi ku tradita vazhdon të jetojë.
Vizitorë vendas dhe turistë të huaj ndalojnë për të parë këtë pasuri kulturore, tërhequr jo vetëm nga bukuria e kostumeve, por edhe nga historia që ato mbartin dhe nga përvoja unike që ofron ky vend.
“Në muze vizitorët kanë mundësinë të shohin nga afër procesin e punës, nga tezgjahu te qëndisja e imët, duke përjetuar nga afër një zanat që kërkon durim, përkushtim dhe dashuri për detajin. Interesi ka qenë shumë i madh si nga turistët vendas, ashtu edhe nga të huajt. Ata janë tërhequr jo vetëm nga kostumet, por edhe nga fakti që në muze mund të shohin nga afër procesin e punës, si në tezgjah apo në qëndisje. Kjo e bën përvojën më të gjallë dhe autentike dhe i lidh njerëzit drejtpërdrejt me traditën tonë”, thotë me krenari artizania.
Ky muze mbetet një urë lidhëse mes të shkuarës dhe të tashmes. Ai është një dëshmi se tradita nuk duhet vetëm të ruhet, por edhe të jetohet çdo ditë, me përkushtim dhe dashuri, për t’u përcjellë tek brezat që do të vijnë.
ATSH
KOHA JONË SONDAZH

