Brigitte Bardo, një ikonë e bukurisë përballë Pablo Picasso një titani të artit bashkëkohor
Albert Vataj
Plot shtatëdhjetë vite më parë, në një cep të ndezur nga dielli i rivierës granceze, ndodhi një takim që do të mbetej i varur mes legjendës, kuriozitetit dhe joshjes, Brigitte Bardo u takua me Pablo Picasso.
Një ikonë e bukurisë moderne përballë një titani të artit bashkëkohor. Një femër që bota e adhuronte dhe një burrë që kishte kaluar jetën duke e kthyer femrën në mit artistik. Dhe megjithatë, thuhet se Picasso ishte ndër të paktët burra që mundi t’i rezistonte Brigitte Bardosë.

Takimi ndodhi në vitin 1956, në Vallauris, pranë Kanës, në kohën kur Festivali i Filmit po e kthente Rivierën në qendrën e glamurit botëror. Bardo ishte vetëm 21 vjeçe, në pragun e shpërthimit të saj si simbol erotik dhe ikonë absolute e kinemasë franceze. Deri atëherë kishte realizuar shtatëmbëdhjetë filma, por ende nuk ishte bërë miti planetar që do të trondiste moralin konservator të kohës me sensualitetin e saj të çlirët, të pafajshëm dhe provokues njëkohësisht.

Në anën tjetër ishte Picasso, 74 vjeç, një gjeni që koha po e rëndonte fizikisht, por që shpirtërisht mbetej i pangopur, rebel dhe i ndezur nga etja krijuese. Ai kishte kaluar dekada duke revolucionarizuar artin modern, duke shpikur kubizmin dhe duke eksperimentuar me çdo formë, teknikë e materie. Që prej vitit 1948 ishte vendosur në Vallauris, ku ishte zhytur në pasionin e tij për qeramikën, baltën dhe objektet dekorative, duke i kthyer sendet e zakonshme në artefakte të pavdekshme.

Kur Bardo mbërriti në studion e tij, bota e artit dhe e spektaklit nuhati menjëherë një ngjarje sensacionale. Revista LIFE dërgoi fotografin Jérôme Brierre për të dokumentuar këtë përballje magjepsëse mes bukurisë dhe gjenisë. Fotografitë që lindën nga ai takim mbeten edhe sot pas 70 vitesh një dëshmi e rrallë e dy energjive krejt të ndryshme që kryqëzohen për pak çaste, Bardo, si mishërim i rinisë, erotizmit dhe spontanitetit, Picasso, si prift i vjetër i artit modern, i lodhur nga jeta, por ende me sy grabitqari estetik.
Thuhej se Brigitte Bardo kishte shkuar atje jo vetëm për respekt ndaj mjeshtrit, por edhe me dëshirën e fshehtë për t’u bërë muza e tij e fundit. Dhe nëse ka një gjë që Picasso kishte bërë gjatë gjithë jetës, ishte pikërisht kjo, kthimi i grave që dashuronte, admironte apo pushtonte në figura të pavdekshme arti. Nga Fernande Olivier te Dora Maar, nga Marie-Thérèse Walter te Jacqueline Roque, femrat kishin qenë universi i tij emocional dhe krijues.

Por Bardo nuk u bë kurrë një Picasso.
Kjo mbeti një nga enigmat më intriguese të historisë së artit dhe kulturës pop. Picasso nuk pranoi ta pikturonte. Asokohe askush nuk e kuptoi pse. Ai vetë nuk dha kurrë një shpjegim. Dhe e mbajti atë heshtje deri në fund të jetës.
Ndoshta ai e ndjeu se Bardo ishte tashmë një ikonë e përfunduar, një imazh që nuk kishte nevojë të rindërtohej nga peneli i tij. Ndoshta sensualiteti i saj i drejtpërdrejtë nuk i linte hapësirë deformimit kubist dhe dramës psikologjike që Picasso kërkonte te modelet e tij. Apo ndoshta, për herë të parë, ai u përball me një bukuri që nuk mund ta zotëronte artistikisht.
Në vend të Bardosë, Picasso zgjodhi si modele Lydia Corbett, një nga muzat e tij të zakonshme të asaj periudhe. Dhe kjo vetëm sa e ushqeu më shumë mitin e takimit të tyre.

Bota u mbush me aludime, thashetheme dhe interpretime. Një yll kinemaje që ndizte imagjinatën mashkullore të epokës dhe një plak-gjeni me histori të pafundme pasionesh femërore. Një “kotele ledhatare”, siç e quante shtypi Bardon, përballë një “përbindëshi të shtratit dhe penelit”, siç etiketohej shpesh Picasso. Ishte një duel simbolik mes dy formave të pushtetit, bukurisë që pushton botën me shikim dhe artit që e pushton atë me pavdekësi.
E megjithatë, nga ai takim nuk lindi asnjë tablo. Vetëm disa fotografi, disa heshtje dhe një mister që vazhdon të ndezë imagjinatën edhe sot.
Ndoshta pikërisht aty qëndron madhështia e kësaj historie, në faktin se jo çdo magjepsje duhet të përfundojë në posedim. Jo çdo muzë duhet të bëhet pikturë. Dhe jo çdo burrë që ka dashur të zotërojë bukurinë arrin ta kthejë atë në art.

KOHA JONË SONDAZH

