FIFA World Cup 2026 11 Qershor - 19 Korrik 2026
00 ditë
00 orë
00 minuta
00 sekonda

Frang Bardhi, leksikografi i parë shqiptar, historiani, folkloristi dhe etnografi që i dha zë identitetit kombëtar

Nga Albert Vataj
Frang Bardhi zë një vend të veçantë në historinë e kulturës shqiptare. Pas Gjon Buzukut dhe Pjetër Budit, ai është një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë së vjetër shqipe, por edhe një personalitet që e tejkaloi misionin e shkrimtarit fetar, duke u shndërruar në një nga themeluesit e mendimit humanist shqiptar.
Ndryshe nga paraardhësit e tij, veprimtaria e Bardhit nuk u kufizua vetëm në përkthimin e teksteve kishtare. Edhe pse ai realizoi përkthime fetare, ato nuk arritën të botoheshin dhe humbën me kalimin e kohës. Emri i tij mbeti i pavdekshëm falë dy veprave madhore, “Fjalori latinisht-shqip” dhe “Apologjia e Skënderbeut”, të cilat e vendosin atë njëherazi si leksikografin e parë shqiptar, si historian, folklorist dhe etnograf.
Këto dy vepra e lidhin Bardhin më fort me traditën humaniste evropiane sesa me letërsinë kishtare të shekujve XVI-XVII. Në to spikat jo vetëm kleri i përkushtuar, por edhe intelektuali që e shihte gjuhën, historinë dhe kujtesën kombëtare si themelet mbi të cilat ndërtohet identiteti i një populli.
Frang Bardhi u nda nga jeta më 1 korrik 1643, vetëm 37 vjeç, duke lënë pas një trashëgimi që do të mbetej ndër gurët themelorë të kulturës shqiptare. Ai i përket brezit të atyre ipeshkvijve shqiptarë që, krahas shërbesës fetare, e konsideruan ruajtjen e gjuhës, të historisë dhe të ndërgjegjes kombëtare si një mision të shenjtë.
Për jetën e Bardhit janë ruajtur pak të dhëna. Ai lindi në Kallmet të Zadrimës më 1606, në një familje me tradita të forta atdhetare, për të cilën vetë autori shprehte krenari, pasi anëtarët e saj nuk iu bashkuan pushtuesve osmanë.
Studimet i kreu në Itali, fillimisht në Kolegjin e Loretos dhe më pas në Kolegjin “Propaganda Fide” në Romë. Në vitin 1635 u emërua ipeshkëv i Sapës, duke marrë përsipër jo vetëm drejtimin shpirtëror të dioqezës, por edhe një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e interesave kombëtare. Bardhi u rreshtua ndër personalitetet shqiptare që e konsideronin çlirimin e vendit nga sundimi osman, përparimin kulturor dhe zhvillimin e gjuhës shqipe si pjesë të pandashme të të njëjtit ideal.
Gjendja e rëndë e popullsisë shqiptare nën sundimin osman e shqetësonte vazhdimisht. Në relacionet që i dërgonte Selisë së Shenjtë ai përshkruan me realizëm dhunën, padrejtësitë dhe arbitraritetin ndaj popullsisë së krishterë, duke lënë dëshmi me vlerë të jashtëzakonshme historike për jetën shoqërore, ekonomike dhe fetare të Shqipërisë së shekullit XVII.
Por këto relacione nuk kanë vetëm rëndësi dokumentare. Ato zbulojnë edhe ndjeshmërinë e një intelektuali që njihte zakonet, traditat dhe psikologjinë e popullit të vet. Përmes tyre Bardhi shfaqet si një nga etnografët e parë shqiptarë, duke regjistruar elemente të kulturës popullore shumë kohë përpara se etnografia të merrte formë si disiplinë shkencore.
Që në vitet e para të shërbesës së tij, Bardhi hyri në konflikt me një pjesë të klerit të huaj, të cilin e akuzonte se pengonte zhvillimin e kishës shqiptare dhe formimin e një kleri vendas. Ai besonte se shkollat dhe institucionet fetare në trojet shqiptare duhej të drejtoheshin nga shqiptarë të arsimuar, ndaj nxiti dhe ndihmoi dërgimin e të rinjve për studime në Itali, me synimin që ata të ktheheshin dhe t’i shërbenin vendit të tyre.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se protesta para kryeministrisë do të ketë sukses apo do shuhet?