FIFA World Cup 2026 11 Qershor - 19 Korrik 2026
00 ditë
00 orë
00 minuta
00 sekonda

Jorge Luis Borges i përgjigjet pyetjes: “Përse shkruaj?”

Nga Albert Vataj

Jorge Luis Borges i përgjigjet pyetjes: “Përse shkruaj?”

Kur Jorge Luis Borges pyetet “Përse shkruaj?”, përgjigjja e tij nuk është një deklarim i zakonshëm i qëllimit apo pasionit krijues. Ajo është një zbulesë intime dhe filozofike mbi aktin e shkrimit si një nevojë e pandalshme shpirtërore, si një shtysë që lind përtej vullnetit racional. Borges nuk shkruan për të ndërtuar një karrierë letrare, për t’u pëlqyer të tjerëve, a për të qenë pjesë e tregut të librave. Ai shkruan sepse nuk mund të bëjë ndryshe. Shkrimi për të është një formë e lartësuar e qëllimsisë ekzistenciale, një mënyrë për të mos u mbytur në heshtjen e botës.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në këtë dëshmi të rrallë, ai rrëfen një marrëdhënie pothuajse të huaj me veprat e veta: nuk u rikthehet më, nuk i rilexon, nuk i ndjek e as nuk i mat me kutin e suksesit apo të dështimit. Sepse për të, krijimi është një akt i vetëm, një çast i përkorë që, sapo merr formë, i përket tjetrit – lexuesit, kohës dhe fatit. Me një përulësi që mbart fisnikërinë e mendjeve të mëdha, Borges e zhvesh veten nga çdo nevojë për lavdi apo monumentalisht, duke u vetëpërkufizuar thjesht si ndërmjetës i një zbulimi që e kaplon.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ai e pranon se shpesh as vetë nuk e di domethënien e asaj që ka shkruar, e megjithatë i qëndron besnik impulsit që e shtyn drejt fletës së bardhë. Në një botë ku autorët ndjekin pas ethshëm jehonën e fjalëve të tyre, Borges qëndron mënjanë, me qetësinë e një njeriu që jeton më shumë në atë që do të vijë sesa në atë që ka ndodhur.

“Unë nuk do të rrija dot pa shkruar. Përherë kam qenë i bindur se fati im ishte një fat letrar: fillimisht si lexues dhe pastaj, çuditërisht, si shkrimtar. Unë shkruaj për t’i dëgjuar një domosdoshmërie, një kërkese të brendshme. Sikur të kisha qenë një Robinson Kruzo në ishullin e tij, apo një Edmond Dantes në qelinë e Kontit të Monte Kristos, nuk do të kisha shkruar.

Deri në moshën tridhjetëvjeçare besoja gjithçka që shkruhej për mua; më vonë nuk ua vura më veshin. Miqtë e mi e dinë mirë se kur botoj një libër, nuk duhet të më flasin për të. Prandaj edhe ndodh që, kur nxjerr një vepër, nuk di asgjë se si e ka pritur kritika – nëse e ka vlerësuar mirë apo keq, nëse ka qenë e drejtë apo e padrejtë. As për ecurinë e shitjeve nuk kam asnjë dëshirë të di. Ajo mund t’u interesojë librarëve apo botuesve, por s’ka pse t’i interesojë shkrimtarit.

Më kujtohen vargjet e famshme të Kiplingut: ‘Duhet të dish të përballosh dështimin dhe suksesin, dhe t’i trajtosh njëlloj këta dy mashtrues.’ Sepse asgjë nuk është aq e dështuar dhe aq e suksesshme sa ç’kujtohet përgjithësisht.

Unë nuk i lexoj kurrë ato që kam shkruar. Më ndodh që njerëzit më pyesin: ‘Çfarë do të thotë kjo frazë në këtë rrëfim?’ Dhe unë u përgjigjem: ‘Unë e kam shkruar atë rrëfim në kohën e vet dhe që atëherë nuk e kam rilexuar më.’ Një tregim shkruhet në një çast të caktuar; pastaj vijnë njerëz të tjerë që kanë kohë ta lexojnë. Në fund të fundit, rrëfimi u përket lexuesve shumë më tepër sesa autorit.

Mendoj se nuk është aspak e shëndetshme të jetosh me të shkuarën, ashtu siç mendoj se nuk është mirë të mendosh përmes përvjetorësh. Unë përpiqem të jetoj drejt së ardhmes. Mendoj për atë që do të shkruaj dhe jo për atë që tashmë e kam shkruar. Në këtë shtëpi është e kotë të kërkoni një libër timin, nuk keni për të gjetur asgjë, me përjashtim të njërit: një libër modest mbi budizmin, shkruar bashkë me Alicia Jurado-n, i cili është përkthyer edhe në gjuhën japoneze. Vetëm atë u përpoqa të ruaj në bibliotekën time.

E kush jam unë që të guxoj e të krahasohem me Volterin apo me Montenjin?

Nëse, papritur, ndiej se diçka po gatitet të ndodhë, zhytem brenda kësaj rrethane, braktis pasivitetin dhe thjesht pres. Atëherë më shfaqet diçka, një lloj zbulimi i turbullt – kjo fjalë ndoshta është paksa pretencioze, prandaj më mirë po them se më duket sikur dalloj diçka që mund të kthehet në një poemë, një rrëfim, apo një faqe proze që do të më shpërfaqet rrugës. Unë përpiqem të ndërhyj sa më pak në atë që shkruaj. Dhe meqenëse nuk kam një doktrină të ngurtë, për shembull etike apo politike, përpiqem t’i frenoj mendimet e mia personale që të mos ndërhyjnë në tekst.

Kipling thoshte se një shkrimtari mund t’i ndodhë të shkruajë një fabul pa ia ditur mirë moralin e saj. Kjo do të thotë se shkrimtari është thjesht instrumenti i një trillimi, leximi i të cilit më vonë do të jetë i ndryshëm për secilin. Kështu, një vepër e tërë mund të përftojë një vlerë që shkon përtej asaj që ka synuar të shprehë shkrimtari – një vlerë që për të mbetet e huaj. Dhe kjo, në fakt, përputhet plotësisht me konceptin antik të Muzës, të Shpirtit të Shenjtë apo të asaj që sot e quajmë subkoshiencë.”

Ky rrëfim nuk është thjesht një reflektim mbi shkrimin; është një leksion për të gjithë ata që e përjetojnë letërsinë si fat, jo si zgjedhje. Borges na fton të besojmë se fjala e shkruar është një mister që thjesht na përshkon e pastaj largohet, duke na lënë sërish vetëm me heshtjen që e parapriu dhe atë që do ta pasojë. Dhe pikërisht në këtë heshtje, zë fill gjithçka nga e para.

Përgatiti: Albert Vataj

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?