Kur Liqeni ndizet nga kënga, “Rame Lahaj & Friends” kurorëzojnë rilindjen shpirtërore të Shkodrës në një skenë magjike në Shirokë
Nga Albert Vataj
Shkodra, ky amfiteatër i amshuar i kulturës dhe artit shqiptar, ka përjetuar një tjetër natë ku koha ndaloi për t’i lënë vend gjenisë. Përmes një dritareje vizuale në mediat sociale, Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, ka përcjellë atmosferën e jashtëzakonshme të një ngjarjeje fenomenale artistike. Ky aktivitet nuk ishte thjesht një koncert në radhën e verës, por një akt i madhërishëm rikthimi te sublimja, një zgjim i asaj madhështie me të cilën ky qytet, shpirti i trazuar e fisnik i banorëve të tij dhe akti krijues i korifejve të këtij djepi kulturor, i kanë dhuruar Shqipërisë thesarin e saj më të çmuar: identitetin dhe dritën e shpirtit.
Nën velin e hollë të muzgut që binte ëmbël mbi pasqyrën e liqenit, Shiroka nuk ishte më thjesht një destinacion, por një prelud mistik. Projekti madhështor “Rame Lahaj & Friends” shpërndau nota emocioni të pastër, duke e kthyer këtë breg të lashtë në një altar të hapur të artit elitar, ku valët e ujit dukeshin se mbanin izon e telave të violinës dhe zërit që vibronte në ajër.
“Rame Lahaj & Friends dhuruan një spektakël të jashtëzakonshëm në Shirokë. Tingujt e muzikës, interpretimet brilante dhe duartrokitjet e pandërprera të një publiku të gjerë krijuan një atmosferë të rrallë, duke e kthyer Shirokën në skenën e emocioneve dhe artit,” shkruan në publikimin e tij kryebashkiaku Beci, duke gdhendur me fjalë atë peshë që ngjarje të këtij kalibri kanë për emancipimin dhe gjallërimin kulturor të rajonit.
Në këtë skenografi natyrore, ku e djeshmja dhe e sotmja takohen në çdo gur të restauruar, tenori me famë botërore, Rame Lahaj, dëshmoi se zëri i tij mbart një përmasë pothuajse sakrale. Lahaj, i njohur për ndjeshmërinë e tij të lartë ndaj rrënjëve dhe transmetimin e vlerave tona në skenat më prestigjoze të globit, nuk e fshehu dot dridhjen e brendshme të këtij takimi me Shkodrën. Ai shprehu një mirënjohje të thellë e të ndjerë për pritjen entuziaste, për atë përcjellje plot qytetari dhe mikpritje unike që vetëm Shkodra di ta thurrë si një pëlhurë të mëndafshtë, kur përvariantet e artit bëhen bashkë për të kremtuar të bukurën.
Kjo natë dëshmoi se Shiroka, me arkitekturën e saj magjepsëse dhe frymën e saj melankolike, nuk është thjesht një hapësirë gjeografike, por një gjendje shpirtërore. Ishte një mbrëmje ku tradita, modernia dhe gjenia artistike shqiptare u bënë një trup i vetëm, duke na kujtuar se arti i vërtetë nuk vdes kurrë aty ku ka lindur kënga.
KOHA JONË SONDAZH

