Home Aktualitet Mjeku që brak...

Mjeku që braktisi profesionin për t’i shërbyer qytetit, sfidat e Flamur Golemit për Gjirokastrën

105
0

Kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Golemi shpalos arritjet dhe programin e tij për të kërkuar një mandat tjetër 4 vjeçar. Golemi i cili garon nën siglën e Partisë Socialiste, e nisi intervistën me një rrëfim për jetën personale ku tregoi se braktisi profesionin e mjekut për t’i shërbyer qytetit të tij, aty ku ka zgjedhur të rrisë dhe fëmijët.

“Nuk jam një politikan race dhe prej 2016 lashë dashurinë time që është mjekësia, për t’iu përkushtuar qytetit tim. Një dashuri edhe më e madhe përderisa kam zgjedhur që edhe fëmijët e mi t’i rris në këtë qytet. Prej korrikut jam kryetar i bashkisë, në një periudhë jo të lehtë që filloi me tërmetin, për t’u pasuar më pas me pandeminë dhe më pas me luftën në Ukrainë që ka pasur ndikim dhe në Bashkinë tonë”, tregon Golemi për ”A2cnn”.

Kryebashkiaku aktual i qytetit të gurtë shprehet se një prej arritjeve më të mëdha të mandatit që po përmbyllet është uji i pijshëm 24 orë për qytetarët, projekt të cilin sipas tij po vijon të shtrihet dhe në zonat më problematike që ka pasur bashkia.

“Bashkë me stafin nuk kemi lënë derë pa trokitur për të thithur fonde të huaja dhe ndihem mirë për këtë bilanc. Sot Gjirokastra ka ujë 24 orë, para 4 vitesh, në lagjet e sipërme, në gusht, kishte 1 ose 2 orë furnizim. Po vijojmë me investime në Lazarat, projektet po vijojnë dhe në fshatrat e tjerë. Në Gjirokastër nuk ka pasur investime në ujësjellës prej 30 vitesh. Sot kemi 70% të bashkisë që furnizohet me ujë 24 orë”, shtoi Golemi.

Turizmi ishte në fokusin e Golemit dhe për sezonin e ri. Vitin e kaluar, sipas tij, Gjirokastrën e vizituan mbi 200 mijë turistë, shifër kjo që pritet të rritet. Për të zhvilluar më tej këtë sektor, kandidati socialist renditi dhe investimet e kryera.

“Pas viteve 90 i ra shkëlqimi. Kemi përfunduar muzeun etnografik, shtëpinë e Kadaresë, duke u shtrirë në muzeun e Kalasë dhe duke i kthyer emrin e qytetit muze Gjirokastrës. Vitin e kaluar pritëm më shumë se 200 mijë turistë dhe presim më shumë këtë vit”, përfundoi Golemi.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit