Home Aktualitet Në kulmin e t...

Në kulmin e tensioneve Kosova dhe Shqipëria bëhen bashkë, zbulohet arsyeja

180
0

Në kulmin e tensionit që ka ngërthyer Kosovën për çështjen e Asociacionit të Komunave Serbe në veri, e mërkura e 14 Qershorit do të bëjë bashkë qeveritë e dy vendeve.

Gjakova është përzgjedhur si qyteti mikpritës në një prej datave që shënjojnë historinë e kësaj treve, e ku çdo 14 Qershor nderohen dëshmorët që dhanë jetën për çlirimin e Kosovës.

Takimet zyrtare nisin në orën 11:00 me mbërritjen e delegacionit të qeverisë shqiptare dhe më pas Kryeministrit Rama.

Pas himneve të dy shteteve në orën 11:30 do të nisë edhe hapja e sesionit plenar të mbledhjes së dy qeverive, me logon “Të përbashkuar në Gjakovë”, ku pritet të nënshkruhet edhe disa marrëveshje ndërqeveritare.

Ajo që pritet me interes është dalja në konferencën e përbashkët për shtyp mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama, ku padyshim vëmendja e mediave do jetë çështja e Asociacionit dhe dokumenti konficencial që kryeministri Rama ia ka përcjellë Presidentit francez Macron dhe kancelarit gjerman Scholz, dy prej kumbarëve të propozimit franko-gjerman.

Kryeministri Rama në një dalje të posaçme për mediat tha se për përmbajtjen e dokumentit konfidencial nuk është konsultuar me Kryeministrin e Kosovës dhe Presidentin Vuçiç, ndërkohë që qeveria e Kosovës nuk ka reaguar ende zyrtarisht.

Gjatë qëndrimit në Gjakovë në orën 14:00 përfaqësues të dy qeverive do të zhvillojnë homazhe pranë Lapidarit të Dëshmorëve, e më pas do jenë pjesë e një dreke të shtruar nga Kryeministri Kurti.

Në orën 16:00 priten edhe takime me Kryetarët e Komunave të Zonave Kufitare të Gjakovës, Pejës, Deçanit, Prizrenit, Dragashit, Tropojës, Kukësit dhe Hasit.

Agjenda e mbledhjes së dy qeverive Kosovë-Shqipëri – 14 Qershor

11:00 – Mbërritja e delegacionit të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë

11:15 -Mbërritja e kryeministrit Edi Rama

11:30 – Hapja e sesionit plenar të mbledhjes së dy Qeverive Kosovë –Shqipëri

12:45 – Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve ndërqeveritare

13:15 – Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrave Kurti e Rama

14:00 – Homazhe te Lapidari i Dëshmorëve të Gjakovës

16:00 – Takimi me Kryetarët e Komunave të Zonave Kufitare (Gjakova, Peja, Deçani, Prizreni, Dragash, Tropojë, Kukës dhe Has).

Kujtojmë se mbledhja e fundit e përbashkët mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë është mbajtur ne mesin e vitit të kaluar e cila ishte mbajtur në qytetin e Prishtinës.

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë në Prishtinë ranë në ujdi për disa marrëveshje.

Kryeministri Rama pati dhënë lajme të mira të heqjes së tarifave doganore me Kosovën. Ai shtoi se pret që këtë vendim ta marrë edhe qeveria e Albin Kurtit për mallrat që importon nga Shqipëria. Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës kanë nënshkruar disa marrëveshje, kryesisht për shkëmbime ekonomike. Në total u nënshkruan 19 të tilla.

Kurse, kryeministri Albin Kurti në fillimin e mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë pati thënë se Kosova dhe Shqipëria mund ta lexojnë më qartë gjendjen e krijuar në rajon e botë dhe tha se “përcaktimi ynë është më i thjeshtë”.

Disa nga marrëveshjet e nënshkruara përfshijnë hapjen e kufirit Kukës-Dragash, regjimin e trafikut të kufirit, lehtësimin e procedurave të doganimit e të kontrollit të lëvizjes së mallrave, lehtësimin e kushteve për lejeqëndrim të përkohshëm dhe ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë. Mbledhja e parë e të dy qeverive është mbajtur më 2014-n./Monitor

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit