Salianji: Votimi për shkarkimin e Metës, nul! Zhurmë për të shmangur vëmendjen nga zgjedhjet
Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji, thotë se votimi për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta është nul, pasi parlamenti është në tejkalim të kompetencave të veta.
I ftuar në emisionin ‘Kjo Javë’, Salianji tha se votimi është një hakmarrje politike për shkak të pavarësisë së institucionit, dhe për shkak të të gjithë elementëve që Ilir Meta si president i Republikës ka bërë betejat e veta për të vendosur balancën e pushteteve.
“Në pikëpamjen time, por edhe në deklarimin zyrtar të PD, ky është një sulm ndaj një institucioni të pavarur. Është një vendim nul, për shkak se parlamenti është në tejkalim të kompetencave të veta. Nuk ka një shkelje të rëndë kushtetuese nga Presidenti që mund t’i jepte legjitimitet parlamentit për të ndërmarrë një veprim të tillë, është një sulm politik ndaj një institucioni të pavarur për shkak të përplasjes që ka patur edhe publike edhe në mënrë të herë pas hershme anëtarë të atij parlamenti, anëtarë të qeverisë apo vetë kryeministri.
Është një hakmarrje politike për shkak të pavarësisë së institucionit, dhe për shkak të të gjithë elementëve që Ilir Meta si president i Republikës ka bërë betejat e veta për të vendosur balancën e pushteteve në një republikë e cila ka patur një parlament një partiak dhe monist dhe ku gjithë pjesa tjetër e institucioneve kontrollohet nga një njeri i vetëm që është Edi Rama.
Kështu që, Gjykata Kushtetuese duhet të kthejë në shinat e ligjshmërisë duke e rikthyer mbrapsht vendimmarrjen e njëanshme të një parlamenti i cili është edhe përmbajtësisht ilegjitim. Është një vendimmarrje vetëm për të bërë zhurmë, për të hequr vëmendjen nga zgjedhjet”. – tha Salianji.