Home KRYESORE Putin: Jemi t...

Putin: Jemi të gatshëm për më shumë bisedime me SHBA-të dhe NATO-n

264
0

Presidenti rus Vladimir Putin tha të martën se Moska është gati për bisedime me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n mbi kufizimet për dislokimin e raketave dhe transparencën ushtarake, në një shenjë të re të lehtësimit të tensioneve Lindje-Perëndim. Deklarata erdhi pasi Rusia njoftoi se po tërheq një pjesë të trupave nga stërvitjet pranë kufirit të saj me Ukrainën, që kanë rritur frikën për një sulm të mundshëm rus ndaj Ukrainës.

Duke folur pas bisedimeve me kancelarin gjerman Olaf Scholz, zoti Putin tha se Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja hodhën poshtë kërkesat e Moskës që Ukraina dhe vendet e tjera ish-sovjetike të mos lejohen të anëtarësohen në aleancën ushtarake perëndimore, për të ndaluar vendosjen e armëve pranë kufijve rusë, si dhe për të tërhequr forcat e NATO-s nga Evropa Lindore.

Por, Shtetet e Bashkuara dhe NATO kanë rënë dakord të diskutojnë një sërë masash sigurie, që Rusia kishte propozuar më parë.

Presidenti Putin tha se Rusia është e gatshme të angazhohet në bisedime për kufizimin e vendosjes së raketave me rreze të mesme veprimi në Evropë, transparencën mbi stërvitjet ushtarake dhe masa të tjera të ndërtimit të besimit, por theksoi nevojën që Perëndimi t’i kushtojë vëmendje kërkesave kryesore të Rusisë.

Deklarata pasoi njoftimin e Ministrisë ruse të Mbrojtjes për një tërheqje të pjesshme të trupave pas stërvitjeve ushtarake, duke shtuar shpresat se Kremlini mund të mos sulmojë menjëherë Ukrainën. Ushtria ruse nuk dha detaje se nga cila zonë po tërhiqeshin trupat, apo mbi numrin e tyre.

Kancelari Scholz tha se ai është dakord se opsionet diplomatike nuk kanë “shteruar plotësisht”. Njoftimi i tërheqjes së trupave është një “sinjal i mirë”, tha ai, duke shtuar se ai shpreson se kjo “do të pasohet me hapa të tjerë pozitivë”.

Njoftimi inkurajoi tregjet financiare botërore dhe rublën e dobësuar pas disa javësh të përshkallëzimit të tensioneve, në një nga përplasjet më të rënda mes Rusisë dhe Perëndimit në disa dekada. Ky veprim erdhi një ditë pasi Ministri i Jashtëm i Rusisë tha se vendi i tij ishte gati të vazhdonte bisedimet për kërkesat e sigurisë që çuan në përkeqësimin e krizës në kufirin Ukrainë-Rusi, një gjest që ndryshoi tonin pas disa javë tensionesh në rritje.

Disa orë përpara deklaratës së Ministrisë ruse të Mbrojtjes mbi tërheqjen e një pjese të trupave, një zyrtar amerikan i mbrojtjes tha se njësitë ruse po lëviznin më afër kufirit ukrainas, jo larg tij. Dhe zyrtarët perëndimorë vazhduan të paralajmëronin se ushtria ruse mund të sulmojë në çdo moment. Disa zyrtarë perëndimorë madje paralajmëruan se Rusia mund të fillonte një sulm ndaj Ukrainë të mërkurën. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se aleanca nuk kishte ende prova për një tërheqje ruse.

Shtëpia e Bardhë refuzoi të bënte komente të menjëhershme mbi lëvizjet e trupave ruse.

Frika e një sulmi u rrit nga fakti se Rusia ka grumbulluar më shumë se 130,000 trupa pranë Ukrainës. Rusia mohon se ka ndonjë plan të tillë, pavarësisht vendosjes së trupave në kufijtë e Ukrainës në veri, jug dhe lindje dhe fillimin e një stërvitje masive ushtarake aty pranë. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë të NATO-s, ndërkohë, kanë zhvendosur trupat dhe furnizimet ushtarake drejt krahut perëndimor të Ukrainës, megjithëse jo për t’u përballur me forcat ruse, dhe kanë premtuar më shumë ndihmë financiare për ish-vendin sovjetik./voa/

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit