Home Aktualitet Saimir Tahiri...

Saimir Tahiri dhe historiku sesi nisi përballja e tij me drejtësinë që nga viti 2017

107
0

Saimir Tahiri do të jetë një i dënuar i burgut 313 në Tiranë. Ish-ministri i Brendshëm që sot u dënua nga Gjykata e Apelit, u zgjodh deputet për herë të parë në vitin 2009, por zgjedhjet u humbën nga PS. Pas fitores së zgjedhjeve në vitin 2013, Tahiri u emërua ministër i Brendshëm në qeverinë e koalicionit PS-LSI. Ai e mbajti këtë detyrë deri më mars të vitit 2017.

Kryeministri Edi Rama e shkarkoi nga detyra, 3 muaj para zgjedhjeve të 2017. Pas shkarkimit nga posti i ministrit, Tahiri udhëhoqi fushatën në Tiranë si kryetar i Partisë Socialiste të Tiranës ku edhe mori mandatin e deputetit. Në tetor 2017, pas hetimeve dhe përgjimeve disavjeçare policia italiane arrestoi një nga vëllezërit Habilaj, ndërsa përgjimet e tyre nxorën në pah marrëdhënien mes Tahirit dhe bandës kriminale.

Në 2017 prokurorët shqiptarë kërkuan nga parlamenti leje për arrestimin e tij. Shumica socialiste në Kuvendin e Shqipërisë e hodhi poshtë kërkesën si të pabazë dhe të motivuar politikisht. Në 3 maj të vitit 2018 Saimir Tahiri hoqi dorë nga mandati i deputetit për t’u përballur me drejtësinë. Në 27 shkurt 2019, Tahiri u mor i pandehur dhe Prokuroria kërkoi 12 vjet burg me akuzat e korrupsionit, trafik të lëndëve narkotike dhe grup i strukturuar kriminal.

Në 19 shtator 2019 Gjykata për Krime të Rënda rrëzoi të gjitha akuzat ndaj Tahirit, duke e dënuar me 5 vite burg vetëm për shpërdorim detyre. Me gjykim të shkurtuar dënimi u ul në 3 vjet e 4 muaj burg, dënim të cilin gjykata vendosi ta konvertojë në 3 vite shërbim prove, periudhë gjatë të cilës ish-ministri nuk duhet të kryente asnjë vepër penale.

Prokuroria e apeloi vendimin e Gjykatës për Krime të Rënda. Më 26 qershor 2020, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsion dhe Krim të Organizuar vendosi të kthejë për rigjykim çështjen ndaj ish-ministrit Saimir Tahiri. Në 29 shtator 2020 ish-ministri Tahiri bëri rekurs në Gjykatën e Lartë kundër vendimit të Gjykatës së Apelit që vendosi gjykimin nga e para për të. Përfundimisht ish-ministri u dënua me 3 vite e 4 muaj burg.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit