Home Aktualitet Spahiu mesazh...

Spahiu mesazh besimtarëve myslimanë: Zoti na e pastë pranuar agjerimin, nesër kemi festën e Fiter Bajramit

65
0

Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu i është drejtuar besimtarëve myslimanë me një videomesazh pak orë para mbylljes së maratonës 1 mujore të agjerimit. Ai uron që Zoti t’u ketë pranuar agjërimin, lutjet dhe të gjitha adhurimet gjatë këtij muaji të bekuar Ramazani të cilin po e përcjellin sot. Nesër besimtarët festojnë Fiter Bajramin. Spahia thotë se “Bajrami nuk është festa e heqjes së kufizimit për të ngrënë e për të pirë. Bajrami është festë e përmbylljes me sukses, me lejen e Zotit, të një rrugëtimi të përsosjes shpirtërore”.

Mesazhi i plotë

Të dashur motra dhe vëllezër! Maratona jonë shpirtërore dhe fizike e këtij muaji, agjërimi, mbërriti në fund. Për një muaj kemi ndarë me njëri-tjetrin sofrat në iftar e në syfyr, jemi lutur për vetet tona, por edhe për njëri-tjetrin.

Zoti i gjithësisë na e pastë pranuar agjërimin, lutjet dhe të gjitha adhurimet gjatë këtij muaji të bekuar Ramazani të cilin po e përcjellim sot.

Nesër kemi festë, kemi Fitër Bajram! Bajrami nuk është festa e heqjes së kufizimit për të ngrënë e për të pirë. Bajrami është festë e përmbylljes me sukses, me lejen e Zotit, të një rrugëtimi të përsosjes shpirtërore.

Bajrami është lumturia që ne ndiejmë me plotësimin e agjërimit të Ramazanit si dhe falenderimi ndaj Zotit për mirësitë e Tij mbi ne dhe që na përudhi të agjërojmë.

I Lartmadhëruari ka thënë: “Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun, për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë.” (El-Bekare). Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: “Kush agjëron Ramazanin me besim dhe duke qenë i bindur në shpërblimin e Zotit, atij i falen të gjitha gabimet e kaluara”.

E lusim Zotin të na ketë falur të gjitha mëkatet, ashtu siç Ai na ka premtuar. E lusim Zotin t’u ketë pranuar nijetin të gjithë atyre që nuk mundën të agjërojnë këtë muaj për shkaqe shëndëtesore. E lusim Zotin ta begatojë me paqe dhe stabilitet vendin tonë.

Të furnizojë popullin tonë dhe gjithë botën mbarë në këto kohëra vështirësish të mëdha. E lusim Zotin për paqe anë e kënd botës, konfliktet e hapura të mbyllen sa më parë dhe popujt të jetojnë në paqe e mos të vuajnë pasojat e luftërave.

Ju uroj përzemërsisht, agjëruesve në veçanti dhe mbarë shqiptarëve, brenda dhe jashtë Shqipërisë, Gëzuar Fitër Bajramin! H. Bujar Spahiu, kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit