142 milionë euro për 5 blerje, Dortmundi gati të thyejë “fortesën” Bayern
Sezonin e kaluar Dortmundi i Lucien Favre kishte një avantazh të konsiderueshëm ndaj Bayernit në renditje, por në javët e fundit nuk arriti që ta ruante duke u parakaluar nga rivalët e tyre historikë dhe duke e mbyllur kampionatin në vendin e dytë.

Për sezonin e ri verdhezinjtë kanë vendosur që të bëjnë investime të mëdha në merkato për të sfiduar bavarezët në Bundesligë, të cilët në sezonet e fundit janë bërë të paarritshëm. Lëvizja e fundit që e tregon këtë dëshirë të drejtuesve, është blerja e Mats Hummels pikërisht nga Bayerni për 30 milionë euro. Në javët e fundit ndërkohë, Dortmundi ka bërë të tjera investime të mëdha.

Dy emrat më të rëndësishëm janë Thorgan Hazard, i vëllai i Eden, i cili u ble nga Borussia Moenchengladbach për 26 milionë euro pas një sezoni fantastik dhe Julian Brandt, i cili u transferuar nga Bayer Leverkusen për 25 milionë euro. Duke mbetur gjithnjë në Bundesigë, Dortmundi transferoi edhe Nico Shultz, mbrojtësin e krahut të majtë të Hoffenheim për 25 milionë euro të tjera. Ndërkohë nga Argjentina, nga Boca vjen mbrojtësi Leonardo Balerdi për 15 milionë euro. Investimet në merkato nuk janë mbyllur me kaq.

Edhe pse Pablo Alcacer, ishte pjesë edhe në sezonin e kaluar, verdhezinjtë investuan 21 milionë euro të tjera për të blerë kartonin e tij nga Barcelona. Në total janë 142 milionë euro të shpenzuara, dhe ta mendosh jemi vetëm më 21 qershor. Impresioni është që do të ketë edhe blerje të tjera të mëdha për të rrëzuar “fortesën” Bayern në Gjermani. /R.Lika-Koha Jone/

KOHA JONË SONDAZH

