5 fitore në 5 ndeshje, Reali përmbys me poker “magjinë” e Muriqit në “Bernabeo” (VIDEO)
Real Madridi vijon rrugëtimin perfekt në La Liga këtë sezon, duke koleksionuar fitoren e pestë në po kaq ndeshje. Los Blancos morën një sukses 4-1 në shtëpi ndaj Mallorcas, me përmbysje, teksa do të vuanin jo pak mungesën e Benzema.
Kjo ishte një ndeshje e veçantë për Vedat Muriqin, i cili do të realizonte një super gol në minutën e 35-të. Sulmuesi kosovar shfrytëzoi më së miri një krosim brenda zonës duke e dërguar topin në kuadrat.
Kundërpërgjigja e Realit do të vinte vetëm në fundin e pjesës së parë. Valverde bën gjithçka mirë në mesfushë dhe më pas në limitet e zonës e dërgoi topin në trekëndëshin e portës.
Reali do të gjente dhe golin e dytë në pjesën e dytë. Në minutën e 72-të, Vinicius Junior bën gjithçka mirë brenda zonës duke realizuar me një goditje të lehtë.
Në fundin e ndeshjes, Rodrygo dhuroi spektakël duke dribluar disa kundërshtarë dhe më pas e kishte të thjeshtë për të shënuar, ndërkohë që në kohën shtesë Rudiger realizoi golin e katërt./R.Lika-Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

