Buzëqesh Italia, buzëqesh dhe Martelini (Spanjë 1982)

Nga Skifter Këlliçi

Kjo ndodh pas 44 vjetësh, pra që nga ajo ditë vere e vitit 1938, kur Italia ngadhënjente për të dytën dhe të fundit herë në botërorët e futbollit, duke qenë nënkampione vetëm një herë më 1970…

Dhe të mendosh se para se ky botëror të fillonte në Spanjë, skuadra e Paolo Rosit, asokohe një ndër futbollistët më të mirë italianë, u dënua dy vjet që të mos vishte fanellën e futbollit, sepse ishte ngatërruar në baste të ndeshjeve të shituara. Sidoqoftë, u ftua pastaj në skuadër nga trajneri Bearzot dhe do të bëhej futbollisti më i mirë i botës. U harrua që kjo skuadër, e mbuluar nga një ortek sulmesh të shtypit për rezultatet e dobëta që kishte arritur deri atëherë në miqësoret ndërkombëtare – natyrisht, bashkë me të edhe vetë Bearzoti – do të bëhej “mis 1982” në futboll.

Swiss Digital Desktop Reklama

Këto po më thoshte Nando Martelini pas takimit tonë të dytë dhe të fundit në një kafene pranë Radio “Dimensione Suono”-s në Romë, ku ishim takuar më parë.

Swiss Digital Mobile Reklama

I kujtova pamjen e tij aq gazmore në ekran, fill pas ndeshjes Itali-Spanjë që e kishte komentuar me aq ankth deri në çastin final. Buzëqeshin futbollistët në fushë, buzëqesh edhe Martelini, buzëqesh Italia. Dhe e gjitha pas një aventure kaq të trazuar…

Edhe në këtë botëror unë nuk komentova në TVSH. Ishte me të vërtetë e çuditshme. Më 1978, para Botërorit Argjentinas, kisha botuar romanin “Atentat në Paris”, madje në 15 mijë kopje – tirazh me të cilin botoheshin vetëm romanet e Kadaresë. Ky roman kishte shkuar i tëri në duart e lexuesve brenda pak ditësh, kryesisht nga titulli sensacional dhe jo se e kisha shkruar unë, që ende isha shkrimtar diku mbi mesataren. Një vit më pas, filmi ”Pas gjurmëve” i regjisores së njohur Xhanfise Keko, me skenarin tim, kishte fituar çmimin e tretë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmave për Fëmijë në Xhifoni të Italisë, midis 95 filmave nga 75 vende të botës.

Më 1981 ishte botuar libri im “Historia e futbollit”, i pari i këtij lloji në vendin tonë, në 10 mijë kopje, nga të cilat 1000 ishin rrëmbyer që në shtypshkronjë. Kjo u bë problem deri në Byronë Politike, e cila nuk e kishte cilësuar vjedhje, por “marrje pa leje” nga dëshira e punëtorëve të shtypshkronjës për futbollin, ndërsa 9 mijë kopjet e tjera ishin shitur nën banak brenda dy-tri ditësh. E, megjithatë, unë nuk kisha të drejtë të komentoja në mikrofonin e Radios a të TVSH-së! Ende, veç të tjerash, rëndonte opinioni që Todi Lubonja, ish-drejtori i RTVSH-së, ishte shprehur për mua se isha “kokë si gazetar sportiv”. Dhe përderisa Todi Lubonja ishte cilësuar armik i rrezikshëm nga Enver Hoxha, edhe ata që ai lëvdonte – e ndër ta edhe unë – duheshin parë… me kujdes.

Veç kësaj, disa muaj para këtij botërori, pikërisht në dhjetor të vitit 1981, kishte vrarë veten… Mehmet Shehu (ose e kishin vrarë). Pra, gjendja ishte e nderur dhe do të bëhej edhe më e nderur më 1983, me koka të tjera të prera nga xhelati Enver Hoxha.

Por të kthehemi përsëri te botërori spanjoll.

Highs for Algeria, lows for Argentina at World Cup 1982 | Football News |  Al Jazeera

Një vit para këtij botërori, si të ishte hovëzuar nga juntat ushtarake të Amerikës Latine, edhe në Spanjë koloneli Tejero u orvat të organizonte një puç ushtarak, që për fat të mirë dështoi që në zanafillën e vet. Më në veri të Evropës, në Poloninë rebele – si Hungaria e njohur për kundërrevolucionin antikomunist të vitit 1956 – një tjetër ushtarak, Jaruzelski, kishte vendosur gjendje rrethimi, por që të mënjanonte një sulm të mundshëm të ushtrisë sovjetike.

Kurse mijëra kilometra larg, në ishujt e njohur me emrin Malvine nga argjentinasit dhe Falkland nga anglezët, kishte nisur një konflikt i nxitur nga diktatura ushtarake e gjeneralit Videla, që ishte në perëndim e sipër. Ky konflikt u zgjidh në favor të anglezëve dy ditë para fillimit të Botërorit të Spanjës. (Megjithatë, kjo fitore politike nuk i ndihmoi ata që të shkonin më tutje se sa gjysmëfinalet, sepse atje u shtrënguan t’u hapnin rrugë gjermano-perëndimorëve).

…Është hera e parë që në një botëror marrin pjesë jo 16, por 24 skuadra, të ndara në 6 grupe. Në qoftë se më 1970 në Meksikë Afrika e zezë përfaqësohej me një… gjyqtar etiopian të një vendi pa asnjë traditë në futboll, në këtë botëror kjo Afrikë përfaqësohej, veç Algjerisë, edhe me Kamerunin. Ai do të barazonte në takimin e parë dhe të dytë me Perunë dhe Poloninë 0-0, dhe do të arrinte një barazim prestigji në takimin e fundit në grup me Italinë 1-1, duke pasur për personazh të dorës së parë futbollistin 30-vjeçar, Rozher Milla. Ky i fundit, kur të tjerë si ai “i varin këpucët në gozhdë”, shi atëherë zë e bëhet i famshëm në botërorët e futbollit, derisa arrin të 42 vitet.

Pra, ky debutues, të cilit nuk i bëri syri bëf para gjigantëve të futbollit botëror, në tri ndeshje arrin tri barazime dhe do të dëshmonte autoritetin e tij në botërorët e ardhshëm, së bashku me skuadra të tjera afrikane. Dhe sikur Zofi të mos kishte qenë në gjendje në minutat e fundit të këtij takimi të priste një gjuajtje të fortë, Italia do të mënjanohej dhe shtypi botëror do të shkruante se “luanët afrikanë”, siç u mbiquajtën më pas, me Millën në krye, e patën hak të kualifikoheshin.

E papritura ndodh me argjentinasit, kampionë të botës, që humbasin takimin e parë me Belgjikën. Por pastaj me Maradonën, që do të jetë trashëgimtari i lavdisë së Peles në botërorët e ardhshëm, ata i thonë vetes “Vamos!” dhe njëmend shkojnë përpara, por…

“Duhet të jem i sinqertë, por tri barazime në tri ndeshje dhe me një gol të shënuar, kjo më dukej pak premtuese, – më thoshte Martelini. – Sidoqoftë, kaluam në fazën çerekfinale, ku dy skuadrat fituese të gjashtë grupeve, pra 12 skuadra, u ndanë në katër grupe, me nga tri skuadra të tjera. Dhe axurrëve u takonte të luanin me Argjentinën, kampione e botës, dhe Brazilin. Më keq se kaq nuk kishte ku të vinte!..”

Shumë baste u vunë në Tiranë ato ditë. Dhe të paktë ishin ata që kishin besim se Italia do të mposhtte dy “dinozaurët” e futbollit botëror. Të them të vërtetën, edhe unë. Por ja që nuk ndodhi kështu: axurrët i vunë përpara mjeshtrit e “tangos argjentinase”, ku rolin kryesor e luante Maradona, i cili kishte nisur shkëlqimin e tij vezullues që i çorodiste kundërshtarët, por jo mbrojtësin italian, Xhentile, i cili ishte ngarkuar nga Bearzoti të ishte ndaj tij “engjëll mbrojtës”. Dhe shkëlqimi i Maradonës në këtë ndeshje zuri të venitej.

“Por, sikur gjyqtari të kishte zbatuar rregulloren, sipas së cilës me dy ndërhyrje të rënda dëbohesh nga fusha, – i thashë Martelinit, – Xhentileja do ta kishte parë pjesën e dytë nga stoli, sepse nu ku tregua aspak “xhentil” ndaj Maradonës”.

Si edhe në ndonjë rast tjetër, Martelini nënqeshi.

Pas golit të Tardelit në minutën e 56-të, ishte mbrojtësi Kabrini që i përkuli argjentinasit në të 68-tën, edhe pse ata shkurtuan rezultatin me anë të Pasarelës.

Siç thashë më lart, deri atëherë shtypi italian e kishte sulmuar rëndë Bearzotin, që kishte heshtur plotësisht. Por jo tani. Dhe merret me mend se çfarë u shkrua pas fitores kundër Brazilit!..

”Inë njëfarë mënyre ky takim më kujtoi atë që ne zhvilluam kundër Gjermanisë Perëndimore më 1970, – më tha Martelini, – por me gola të shënuar me… valë më të gjata”.

Dhe ashtu ishte: në minutën e 5-të Rosi dhe Italia udhëheq 1-0. Në të 12-tën barazon Sokrates. Pas pak minutash Rosi shfrytëzon një gabim të mbrojtësit Junior dhe bëhet 2-1. Më 69’ Falkaoja barazon. Në minutën e 74-t Rosi përsëri shënon. Dhe të mendosh se brazilianët, të sigurt për fitoren, kishin prenotuar hotel në… Madrid!..

Vijmë kështu në fazën gjysmëfinale, ku Italia u ndesh met Poloninë. Në grupet e tjera çerekfinale, RF Gjermane ishte kualifikuar duke lënë pas spanjollët, që zhgënjyen në këtë botëror jo vetëm sportdashësit e vet, por tërë specialistët. Në grupin tjetër Franca kishte lënë pas Austrinë dhe Irlandën e Veriut, kurse Polonia ishte kualifikuar në grupin e parë, pasi kishte mënjanuar Belgjikën dhe Bashkimin Sovjetik.

Duke ”rrëshqitur” me të njëjtën shpejtësi dhe të njëjtën pistë, në të cilën kishin rrëshqitur në takimin me Argjentinën dhe Brazilin, madje edhe më të madhe, axurrët me dy gola të Rosit këputën ëndrrat joshëse të Polonisë dhe fluturuan në finale. Atje i pritnin gjermano-perëndimorët, të cilët ua dolën mbanë me Francën në një takim ku fatin e vendosën 11-metërshat. Por fillimisht u duk se “tringjyrëshat” do ta kishin të lehtë, sepse udhëhiqnin 3-1. Por me golat e Rumeniges, që ngushtoi largësinë, dhe të Fisherit që barazoi, pas shtesës prej 30 minutash dhe gjuajtjeve nga pika e penalltisë, nerva më të qeta dhe më të forta pati Rumenige me shokë, që fituan 5-4. Megjithatë, kjo fitore u zbeh nga ndërhyrja shumë e rëndë e portierit Shumaker ndaj sulmuesit francez, Batiston, të cilit i theu dy dhëmbë dhe dy brinjë.

Kështu në finale u ndodhën Italia dhe RF Gjermane.

FIFA World Cup history: Spain, 1982 - ABC News

Nuk mund të thuhet kurrsesi se një ndër shkaqet e humbjes së gjermanëve ishte takimi sfilitës me francezët.

“Sidoqoftë, edhe ky faktor kishte ndikimin e vet, – më tha Martelini, tek sillte ndërmend këtë ndeshje. – Por, edhe sikur të ishin plotësisht të freskët, ata nuk do të mund të përballonin uraganin italian”.

Dhe unë sillja ato çaste ndërmend vërtet atë uragan që solli fshikullimin e golave të Rosi-t, Tardeli-t dhe nga fundi i ndeshjes të Altobeli-t.

“Kur u shënua goli i tretë, – i shpjegoja Martelinit, – kamera tregonte pamje nga tribuna qendrore, ku krahas mbretit Huan Karlos të Spanjës, ndodhej presidenti popullor italian, mbitetëdhjetëvjeçari Pertini. “Non ci avranno più” (Nuk do të na arrijnë më), – iu drejtua ai Huan Karlosit italisht. Dhe këtë shprehje e kuptova nga lëvizja plot gaz e buzëve të tij”.

Dhe ata vërtet nuk i arritën axurrët. Sidoqoftë, shënuan të ashtuquajturin gol nderi me një gjuajtje të Brajtnerit… (Shënim: Brajtneri shënoi nga loja në minutën e 83-të, jo me 11-metërsh, por po e lëmë siç e keni kujtuar).

Fjalët e fundit të Martelinit, kur gjyqtari vërshëlleu për mbarimin e ndeshjes ishin pra: ”Siamo campioni del Mondo, campioni del Mondo, campioni del Mondo!”. Ndoshta unë në vend të Martelinit do të kisha shtuar dhe fjalë të tëra.

Italy the ultimate underdogs: 1982 World Cup - Football Italia

“Nuk m’u duk e arsyeshme, – më shpjegoi ai. – Kishim 44 vjet që prisnim të bëheshim përsëri kampionë. Dhe u bëmë. Përsëritja tri herë e fjalës “campioni del mondo” do të thoshte edhe se ishim tri herë kampionë botërorë, po të përfshijmë botërorët e viteve 1934 dhe 1938. Ky ishte dhe komentimi im më i bukur dhe më emocionues i jetës sime, që nga viti 1946 kur kisha filluar karrierën time të radiotelekronistit sportiv”.

Nuk u realizua kështu “hakmarrja gjermane” për humbjen e 12 viteve të shkuara në Meksikë, ku në shtesën e lojës Italia fitoi 4-3. Atëherë, siç kam shkruar në rrëfimet për Botërorin Meksikë ’70, emigrantët italianë në qytetet gjermane që kishin dalë nga shtëpitë e tyre e brohoritnin për këtë fitore, kishte rastisur që ishin sulmuar nga gjermanët të xhindosur nga kjo humbje. Por jo këtë radhë. Ajo tashmë ishte e përligjur.

Ashtu si Brazili, edhe Italia u bë tri herë kampione e botës: më 1934, 1938 dhe 1982.

Rezultatet në fazën finale

Grupi I

  • Poloni – Belgjikë 3-0
  • Sovjetik – Belgjikë 1-0
  • Poloni – B. Sovjetik 0-0
  • Kualifikohet Polonia

Grupi II

  • RF Gjermane – Angli 0-0
  • RF Gjermane – Spanjë 2-1
  • Angli – Spanjë 0-0
  • Kualifikohet RF Gjermane

Grupi III

  • Itali – Argjentinë 2-1
  • Brazil – Argjentinë 3-1
  • Itali – Brazil 3-2
  • Kualifikohet Italia

Grupi IV

  • Francë – Austri 1-0
  • Austri – Irlandë e Veriut 2-2
  • Francë – Irlandë e Veriut 4-1
  • Kualifikohet Franca

Gjysmëfinale

  • Itali – Poloni 2-0
  • RF Gjermane – Francë 8-7 (me shtesë dhe 11-metërsha, 3-3 pas 120 minutave)

Finale

  • Itali – RF Gjermane 3-1

Italia:
Xof, Bergomi, Kabrini, Xhentile, Kolovati, Shirea, Konti, Tardeli, Rosi, Oriali, Graciani (Altobeli 89’, Kauzio).

RF Gjermane:
Shumaker, Kalc, Brigel, Brajtner, Stilike, Litbarski, K. H. Fërster, Drëmler (62’ Hrubesh), Myler (70’ Fisher), Rumenige.

  • Golashënuesi më i mirë: Rosi (Itali) – 6 gola
  • Nga galeria e kampionëve: Rosi (Itali), Rumenige (RFGJ), Ziko (Brazil), Boniek (Poloni), Bllahin (BS), Maradona (Argjentinë).
  • Ndeshje: 52

 

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se Shqipëria pranohet në BE deri në vitin 2030?