Duka ka një mesazh për futbollistët dhe klubet për rifillimin e Superligës

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka uruar të gjitha klubet, futbollistët, por edhe tifozët me rastin e rifillimit të kampionatit. Në mesazhin e tij për komunitetin e futbollit, numri një i futbollit ka kujtuar se duhet respektuar rregullat e distancimit social.

“Të dashur futbollistë, tifozë dhe miq të futbollit! Pas një periudhe të vështirë për të gjithë vendin, por edhe gjithë botën, për shkak të pandemisë Covid-19 më në fund futbolli rikthehet sot me rifillimin e kampionatit. Kjo ndërprerje e menjëhershme e jetës sportive na ka dëmtuar, edhe ekonomikisht, por sigurisht dëmi më i madh ka qenë ai sportiv.

Futbollistët e të gjitha niveleve, profesionistë, amatorë, fëmijët, nuk e kanë shumë të lehtë që të kapin të njëjtën formë sportive. Ndërprerja patjetër që ka lënë shenjën e saj dhe unë uroj ta kalojmë sa më parë, edhe pse jam i ndërgjegjshëm se nuk do të jetë e lehtë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Edhe një herë përfitoj nga rasti t’ju kujtoj të gjithë futbollistëve, zyrtarëve të klubeve dhe stafeve organizative, që të jenë sa më të kujdesshëm e të zbatojnë rregullat e distancimit social dhe protokollet shëndetësore në lidhje me zhvillimin e ndeshjeve në këto kushte.

Swiss Digital Mobile Reklama

Protokolle me të cilat të gjithë aktorët dhe faktorët janë njohur tashmë. Unë jam i bindur, që ju dhe stafet tuaja, do të tregoheni të kujdesshëm në këtë drejtim, në mënyrë që gjithçka të shkojë sa më mirë. Ndihem i keqardhur, që ne nuk do të kemi mbështetjen e spektatorëve nëpër stadiume.

Uroj që shumë shpejt masat kufizuese të lehtësohen dhe tifozët të kthehen në stadiume për të mbështetur skuadrat e tyre të zemrës. Së fundmi, uroj nga zemra që kampionati të vazhdojë të na dhurojë sërish emocione, lojë të bukur dhe Fair-play. Edhe një herë, urimet e mia më të mira për rifillimin e kampionatit! Suksese të gjithëve!”, u shpreh Duka.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush është problemi; Edi Rama apo Sali Berisha?