Dyshime për trukim/ Vritet presidenti i Karmiotissa, djali i tij pëson aksident gjatë rrugës
Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm qytetin Limassol në Qipro, ku është qëlluar për vdekje presidenti i klubit të futbollit FC Karmiotissa, biznesmeni Stavros Demosthenous, 49 vjeç.
Sipas mediave vendase, atentati ka ndodhur pranë banesës së tij, ndërsa autorët, dy persona të armatosur që udhëtonin me një fugon të vjedhur, e kanë pritur viktimën jashtë shtëpisë dhe e kanë qëlluar sapo ai ka dalë nga dera.
Djali i Demosthenous ka tentuar ta transportojë të atin në spital me automjetin e tij, por gjatë rrugës biznesmeni ka ndërruar jetë, ndërsa makina është përplasur me mjete të tjera në autostradë.
Autorët janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes dhe, disa kilometra më larg, kanë djegur fugonin me të cilin udhëtonin. Policia qipriote ka nisur kërkimet intensive dhe dyshon se bëhet fjalë për vrasës profesionistë me pagesë.
Hetimet po shkojnë edhe drejt motivave të mundshme sportive, pasi klubi Karmiotissa është përfshirë disa herë në hetime për trukim ndeshjesh, me dosje të kuqe të dërguara nga UEFA lidhur me bastet sportive.
Aktualisht, policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë dhe po punon për identifikimin e autorëve, ndërsa ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në futbollin qipriot.
KOHA JONË SONDAZH

