Gjermania Perëndimore, kampione pas 20 vjetësh (1974)
Nga Skifter Këlliçi
Në maj të vitit 1970, disa javë para se në Meksikë të fillonte Botërori i Nëntë i Futbollit, pata pyetur një inxhinier të Qendrës Eksperimentale të TV-së se a mund të kalohej figura e RAI-t dhe e televizioneve jugosllave, që shiheshin shumë mirë, në kanalin e televizionit tonë, i ngritur në vitin 1960, që ishte ende eksperimental. M’u përgjigj se nuk kishte asnjë vështirësi. Atëherë i thashë se unë isha gati të komentoja ndeshje futbolli të botërorit meksikan, duke dëgjuar komentin me kufje nga kanalet e RAI-t. Ai i gëzuar ia përcolli këtë propozim Thanas Nanos, që asokohe vazhdonte të ishte drejtori i përgjithshëm i Radio Tiranës, ku përfshihej edhe Qendra Eksperimentale e Televizionit.
Por më kot… Thanas Nano, dogmatik dhe konservator, as që e përfilli fare këtë ide, e kështu që Qendra Eksperimentale e Televizionit, në kohën kur televizionet e huaja transmetonin Botërorin Meksikan, transmetonte sa për të kaluar radhën filma artistikë dhe dokumentarë, shumica kinezë, që nuk i shihte askush.
Por më 1972, Todi Lubonja, që zëvendësoi Thanas dogmatikun, e pëlqeu këtë ide dhe kështu po atë vit, kur tashmë TVSH-ja shihej thuajse në tërë hapësirën e vendit tonë, transmetoi së pari Kampionatin Evropian të Futbollit dhe pastaj Lojërat Olimpike që atë vit zhvilloheshin në Mynih.
Por më 1973, pas Plenumit të IV-të famëkeq, që Enver Hoxha, duke u nisur nga Festivali i 11-të i Këngës në RTVSH (dhjetor 1972), e ktheu në sulm ballor kundër letërsisë, artit dhe kulturës, me spastrime dhe dënime të rënda, sidomos të vetë Todi Lubonjës me 15 vjet burgim, RTVSH-ja ra në dilemë. Do të transmetohej Botërori i Dhjetë, aq më tepër që zhvillohej në RF Gjermane, ende vend “militaristo-revanshist” sipas Enver Hoxhës?
Të mos harrojmë se dy vjet më parë, me propozimin tim, Todi Lubonja kishte përcjellë te Ramiz Alia idenë e transmetimit të Lojërave Olimpike, që do të zhvilloheshin në verën e vitit 1972 në Mynih të RF Gjermane, ide që ishte miratuar nga “lart” dhe që ishte pritur shumë mirë nga teleshikuesit tanë.
Përgjigja që erdhi nga Kupola e Kuqe, dhe me siguri nga vetë diktatori Hoxha, qe pozitive, sepse Ramiz Alia asokohe ishte plotësisht në hije, madje kandidat i mundshëm për t’u dënuar krahas Todi Lubonjës e Fadil Paçramit etj., sepse ishte shefi i Propagandës dhe “nën hije të tij” (nën hënën e tij) ishte zhvilluar kjo… goxha veprimtari armiqësore, aq më tepër që Todin e kishte pasur shok të vjetër… mëhalle (?!)…
Por ky transmetim u bë me një kusht: zëri i komentatorit të huaj, sidomos jugosllav, duhej hequr e bashkë me të edhe zhurmat në mjediset e stadiumeve. Shkurt… filma pa zë!.. Megjithatë, ”kur s’ke bukë ha sorrë”, siç thotë populli.

Më kujtohet se shumë sportdashës, nga ata që nuk dinin italisht, më thoshin se, pasi dëgjonin hyrjen time me kuriozitete historiko-sportive për skuadrat e lojtarët, kalonin te stacionet e huaja, sepse si mund të shijohet një ndeshje kur nuk dëgjon britmat e sportdashësve, sidomos kur bëhet gol?!… Kur ia tregoja këto “qyfyre” Martelinit, ai ngrinte supet e sikur nuk besonte për një “zbulim” të tillë të… “byro-komitetqëndrorasve” tanë…
Po të kthehemi te ky botëror. Për të mënjanuar teket e sistemit me eliminim të drejtpërdrejtë pas ndeshjeve në grupe, ku rastiste që të përplaseshin dy skuadra të forta në një çift, që i hanin kokën njëra-tjetrës, dhe në çiftin tjetër dy të dobëta, nga ku kalonte në turin tjetër një skuadër e “kësaj dore”, u vendos që pas ndeshjeve në grupe, tetë skuadrat fituese të ndaheshin sërishmi në grupe, që do të ndesheshin përsëri me sistem rrethi. Dy skuadrat fituese në këto grupe do të luftonin për vendin e parë, pra, për titullin kampion bote, dhe dy të dytat për vendin e tretë.
Ky botëror solli edhe një tjetër të re: pasi Brazili fitoi përfundimisht Kupën e Botës (Kupën Zhyl Rime), u krijua një kupë e re, vepër e skulptorit italian Kazeniga (Gazzaniga), e quajtur Kupa e FIFA-s. Pas çdo botërori, fituesit do t’i dhurohej një kopje e origjinalit të kësaj kupe.
… Natyrisht, më të eturit për të fituar këtë kupë janë të zotët e shtëpisë. Por ja e papritura e parë: ata humbasin takimin me vëllezërit e tyre, gjermanët e Lindjes, që nga niveli ishin ku e ku larg tyre. “Takim historik, sepse historia e kishte ndarë Gjermaninë hitleriane në dy pjesë.”
Situatë paradoksale, sepse gjermano-lindorët, përfaqësuesja e të cilëve në futboll – ndryshe nga sportet e tjera – nuk ishte shquar kurrë deri atëherë, kishin bërë gjithnjë tifo për skuadrën e vëllezërve të tyre “armiq” dhe kështu ndodheshin në dilemë. Por jo drejtuesit komunistë të RDGJ-së, që fitoren e përfaqësueses së tyre 1-0 në Hamburg, pas golit të Shparvaserit (Sparwasser), e quajtën fitore të sistemit socialist mbi atë… kapitalist të RFGJ-së! Aq më tepër kur gjermano-lindorët zunë edhe vendin e parë në këtë grup, duke i lënë ata pas, së bashku me Kilin dhe Australinë.
Në grupin e dytë, e njëjta gjë ndodh me Jugosllavinë, që la pas brazilianët, kampionët botërorë, dhe Skocinë. Që të tria kanë pikë të barabarta, nga 4, por jugosllavët dhe brazilianët kanë golaverazh më të mirë.
Në grupin e tretë nuk vihet në dyshim fitorja e holandezëve të Kruifit (Cruyff) me shokë të tjerë të “Ajaksit” të famshëm. Fill pas tyre vjen Suedia, kurse Uruguai dhe Bullgaria i thonë “lamtumirë” Botërorit.

“Ajo që ndodhi me Italinë, – më thoshte Martelini, – ishte dramë me një akt, sepse ashtu si më 1966, axurrët nuk arritën veçse vendin e tretë në grup. Mundën Haitin e varfër 3-1, barazuan me Argjentinën 1-1, por u mundën nga Polonia, që do të ishte e papritura e këndshme e këtij botërori. Meqë argjentinasit “spastruan” Haitin 4-1, ishin ata që zunë vendin e dytë dhe kështu skuadra italiane, nënkampione e botës, u nda pa bujë nga ky botëror.”
Duke i kujtuar Martelinit komentin e tij në këtë ndeshje, i thashë: “Të dëgjoja me kufje dhe më vinte keq për gjendjen në të cilën ndodheshe”.
“Isha vërtet i pikëlluar, – më shpjegoi Martelini, – sepse polakët shënuan dy gola me anë të Sharmakut (Szarmach) dhe Deinës (Deyna), që u kthyen në xhelatë të axurrëve, për të cilët goli i Kapelos (Capello) disa minuta para mbarimit të takimit ishte i pamjaftueshëm.”
E megjithatë, Valkarexhi (Valcareggi), që katër vjet më parë e kishte çuar Italinë në vendin e dytë, deklaroi: “Djemtë mi luajtën mirë, por nuk shfrytëzuan rastet e krijuara”.
“Pas këtij mënjanimi, – kujtonte më pas futbollisti i njohur Macola (Mazzola), – autobusin në të cilin udhëtonim ne, e sulmuan emigrantë italianë të pakënaqur nga ky dështim i turpshëm i skuadrës sonë, që katër vjet të shkuara kishte qenë nënkampione e botës.”
Dukej paradoksale, se pas fitores së Italisë 4-3 ndaj skuadrës së Bekenbauerit (Beckenbauer) në “Asteka-n” (Waterloo-në) meksikane, kur përsëri emigrantë italianë kishin dalë për të festuar nëpër rrugët e qyteteve gjermane, ishin sulmuar keqas nga tifozë gjermanë.
Në prill të vitit 1973, vendin e Todi Lubonjës si drejtor i RTVSH-së e zuri përsëri Thanas Nano. Kështu i krisi në kokë Enver diktatorit. Kishte aprovuar atëherë propozimin që Nano të largohej nga drejtimi i RTVSH-së për metodat dogmatike dhe konservatore me të cilat kishte drejtuar, dhe tani, duke hedhur poshtë çdo propozim tjetër mbi listën e kandidatëve të rinj, shkruante: “…Në Radio të kthehet Thanasi. Ngritje profesionale mund të mos kemi, por proçkat e Todit nuk do t’i bëjë.”
Thanas Nano kishte urrejtje kaq të madhe për Todin (dhe kjo vinte edhe nga kompleksi i inferioritetit intelektual që kishte ndaj tij), saqë duke e ditur që ai më vlerësonte si komentator, përpiqej të gjente sipas tij “cenin” më të vogël për të më sulmuar. Kur gjatë ndeshjes Itali-Poloni në ekran u duk Valkarexhi i drobitur, sepse skuadra e tij po humbiste, unë vura në dukje me pak fjalë këtë gjendje të tij shpirtërore. Të nesërmen Thanasi gati sa nuk më mbyti në korridor me fjalët: “Ç’merresh me atë Valkarexhin…”, thua se ai të ishte armik i… i Partisë.
Por të kthehemi përsëri te botërori. U krijuan kështu dy grupe me nga katër skuadra. Pra, nuk do të kishte ndeshje me eliminim të drejtpërdrejtë. Dhe ja e papritura e parë: Brazili, që kishte ardhur në këtë grup me dy barazime të bardha me Jugosllavinë dhe Skocinë (0-0), u duk se pas fitores me Zairenë e panjohur – e vetmja skuadradë afrikane në këtë botëror, që madje ishte shpartalluar 9-0 nga jugosllavët – pra ky Brazil, u shfaq para Holandës si fantazma e Brazilit të Pelesë që kishte triumfuar katër vjet më parë në Meksikë.
E kam komentuar këtë ndeshje natyrisht me kufje në vesh, nga një studio e TVSH-së, duke dëgjuar zërin e Martelinit. Kur i thashë se, duke u mbështetur në komentin e tij, gjatë ndeshjes Holandë-Brazil 2-0 përdora shprehjen “perëndimi i perëndisë”, ai më përgëzoi për këtë gjetje të goditur.

Nuk u realizua kështu thënia e Zagalos (Zagallo), ish-futbollist i madh, dy herë kampion bote më 1958-1962, tashmë trajner i kësaj skuadre, i cili pyetjes: “A do të ketë metamorfozë Brazili?”, i ishte përgjigjur pa ngurrim: “Sigurisht”. Golat e Neskensit (Neeskens) dhe Kruifit qenë gola shembullorë, që dëshmuan se futbolli total i zbatuar nga “Ajaksi” ishte një dukuri e rrallë në futbollin botëror.
Në grupin tjetër, RF Gjermane, pasi u hakmor 2-0 kundër Jugosllavisë që e kishte eliminuar në botërorin e vitit 1962 (1-0), mposhti pastaj Suedinë 4-2, ku luante Edstromi (Edström), edhe sot futbollisti më i gjatë i të gjithë botërorëve (1.90 m), por kurrsesi më i ngathti. Pastaj, pasi ngadhjeu mbi Poloninë 1-0, u ndodh në finale me Holandën.
“Fitorja e gjermanëve, por nderi i holandezëve”, ky ishte opinioni i përgjithshëm i shtypit botëror pas kësaj ndeshjeje. I kujtova Martelinit se trajneri gjerman Shën (Schön), pas fitores në evropianin e vitit 1972, kishte shprehur dyshimin nëse skuadra e tij do të ruante të njëjtën formë.
“Nuk arriti ta ruante plotësisht, – më shpjegoi. – Holanda në atë ndeshje qe më e kompletuar, por në ato vite Gjermania qe më e mira.”
Inxhinieri apo Martelini… Në sekondën e 50-të, Fogtsi nuk arrin ta frenojë Kruifin e papërmbajtur dhe me 11-metërsh Holanda udhëhiqte 1-0. Por kur e njëjta skenë përsëritet para portës holandeze, Hënesi fiton një penallti dhe Brajtneri po me 11-metërsh barazon.
“Kur shënova golin e dytë, – tha Myleri pas ndeshjes, – e ndjeva se do të fitonim, bur pa portierin Majer nuk do të ishim bërë kampionë të botës.”
Ishte lajtmotivi i “Sturm und Drang-ut” (gjermanisht: Stuhi dhe Vrull) të 20 vjetëve më parë, pikërisht më 1954, që aq shumë u përfol për arsyet që i kam renditur në pjesën e pestë të këtij cikli, sidomos për dyshimin se mos vallë gjermanët kishin përdorur doping (drogë), gjë që kishte sjellë si përfundim një fitore të pamerituar.
Me këtë triumf, Gjermania Perëndimore dëshmoi se, pas Brazilit (tri herë kampion i botës), ishte absolutisht fuqia e dytë e rruzullit tokësor në futboll: dy herë kampione e botës (1954, 1974), e dyta më 1966, e treta më 1970, e katërta më 1958 dhe në çerekfinale më 1962.
“Mbi të gjitha, – më tha Martelini, – fitorja e vitit 1974 ishte një aksiomë dhe ajo, siç dihet, nuk ka nevojë për vërtetim.”
I kisha premtuar Dhimitër Verlit, kryeredaktorit të “Zërit të Rinisë”, që ashtu siç kisha shkruar katër vjet të shkuara për botërorin e zhvilluar në Meksikë, të shkruaja edhe për botërorin gjerman. Por atë vit, pas Plenumit të IV-të famëkeq, në kosën e Enver Hoxhës do të binte edhe ai e do të degdisej si mësues i thjeshtë i një shkolle tetëvjeçare të Beratit, kur po mbushte 60 vjeç. Arsyeja: kishte botuar shkrime me frymë liberale…
Por edhe unë do të lija TVSH-në, mikrofonin dhe kamerën sportive, siç do të flas në pjesën tjetër të këtij cikli…
Tabela e rezultateve të fazës finale
Grupi I
- Brazil – RD Gjermane 1-0
- Holandë – Argjentinë 4-0
- Holandë – RD Gjermane 2-0
- Brazil – Argjentinë 3-1
- Holandë – Brazil 2-0
- Argjentinë – RD Gjermane 1-1
Grupi II
- RF Gjermane – Jugosllavi 2-0
- Poloni – Suedi 1-0
- RF Gjermane – Suedi 4-2
- Poloni – Jugosllavi 2-1
- RF Gjermane – Poloni 1-0
- Suedi – Jugosllavi 2-1
Për vendin e tretë
- Poloni – Brazil 1-0
Finalja
- RF Gjermane – Holandë 2-1
Gjermania: Majer, Fogst, Shvarcenbek, Bekenbauer, Brajtner, Bonhof, Overat, Hënes, Grabovski, Myler, Helcenbajn.
Holanda: Jongbllod, Zyrbir, Rejsbergen (De Jong), Haan, Krol, Jansen, Van Hanegem, Neskens, Rep, Kruif (Van de Kerkhof), Renzenbrink.
Gjyqtar: Tejlor (Angli)
Golshënuesi më i mirë: Grzegorz Lato (Poloni) – 7 gola
Nga galeria e yjeve: Gerd Myler (RFGJ), Johan Kruif (Holandë), Berti Fogst (RFGJ), Grzegorz Lato (Poloni), Johanes Neskens (Holandë), Kazimierz Deina (Poloni).
- Ndeshje: 38
- Gola: 97 (2.55 për ndeshje)
- Shikues: 1,774,022 total (mesatarisht 46,685 për ndeshje)

KOHA JONË SONDAZH

