Griezmann + Neymar, Barcelona pa frena në merkaton e kësaj vere
Neymar apo Griezmann? Barcelona është e pavendosur për strategjinë merkatos që do të ndjekë gjatë kësaj vere. Gjithsesi gazeta katalanase “Sport” ka hedhur idenë e çmendur që po planifikon presidenti Josep Maria Bartomeu: Të blejë Antoine Griezmann dhe Neymar Junior! Të dy së bashku tek Barcelona, të dy në të njëjtën verë. Një goditje e paimagjinueshme me kosto tepër të larta financiare, por Barcelona mund ta bëjë këtë goditje.
Bartomeu e ka të qartë që bëhet fjalë për një çmenduri, pasi për Griezmann duhet të paguajë 120 milionë euro, një shifër aspak e lehtë për t’u gjetur nga shitje. Ndërkohë që për Neymar duhet të përgatisin një mega-operacion që do ketë kosto të lartë, por në rikthimin e tij do të përfshihet patjetër një lojtar, prandaj shpenzimi për të do të përgjysmohet.
Barcelona ka bërë gati listën me lojtarë si Coutinho, Dembele, Malcom, Rakitic dhe Umtiti për t’u shitur, apo edhe të Arturo Vidal në rast të ardhjes së një ofertë të mirë financiare. Largimi i të gjithë këtyre do të ishte i mjaftueshëm për të siguruar financat për dy goditjet e mëdha të merkatos, duke krijuar treshen e frikshme në sulm, që ndryshe do të quhej MGN (Messi-Griezmann-Neymar).
Një tjetër problem i madh lidhet edhe me pagën e dy futbollistëve. Neymar përfiton 38 milionë euro në sezon te PSG, ndërkohë që Griezmann 25 me Atleticon, shifra të cilat Barcelona ka bërë më dije që nuk është i gatshëm për t’i ofruar. Ata mund të pranojnë një afrim në “Camp Nou” duke u nxitur edhe nga ideja për të luajtur me Messin.
Ky është plani i transferimeve të Barcelonës për këtë verë, një rrugë komplekse, e cila do të vendosë shumë për sezonin e ardhshëm të skuadrës blaugrana, që shpreson ta harrojë sa më parë turpërimin në Champions nga Liverpooli.
KOHA JONË SONDAZH

