Mungoi me Kombëtaren, Ismajli mund të rikthehet në fushë ndaj Napolit
Ardian Ismajli pritet të rikthehet në dispozicion të Torinos për sfidën e fundjavës ndaj Napolit, pas një dëmtimi muskulor që e mbajti jashtë fushës në ndeshjet e fundit.
Mbrojtësi shqiptar mungoi në përballjen e kaluar kundër Romës, pasi kishte pësuar një problem fizik në minutën e 77-të të ndeshjes ndaj Parmës, dhe për këtë arsye nuk mori pjesë as në grumbullimin e Kombëtares shqiptare.
Sipas raportimeve nga ambientet torineze, 27-vjeçari ka ndjekur gjatë javës një program të personalizuar stërvitjeje dhe po punon intensivisht për t’u bashkuar me grupin në seancën e fundit para ndeshjes së të shtunës.
Në klub mbizotëron optimizëm i kujdesshëm për rikuperimin e tij, pasi stafi teknik e sheh Ismajlin si pjesë kyçe të mbrojtjes, e cila ka vuajtur mungesa të rëndësishme javët e fundit.
Pas rikuperimit nga dëmtimi që e mbajti jashtë dy javëve të para të kampionatit, Ismajli ka fituar menjëherë besimin e trajnerit Marco Baroni, duke u bërë titullar i rregullt në qendër të mbrojtjes.
Nëse gjithçka shkon sipas planit, Ismajli do të jetë gati për të zbritur në fushë këtë të shtunë në orën 18:00, në një ndeshje të rëndësishme për Torinon, që kërkon të rikthehet te rezultatet pozitive përballë kampionëve në fuqi të Napolit.
KOHA JONË SONDAZH

