Torres tërhiqet përfundimisht nga futbolli i luajtur pas një karriere brilante
Fernando Torres ka njoftuar tërheqjen nga futbolli i luajtur në moshën 35-vjeçare. Bomberi spanjoll që nga vera e vitit të kaluar është pjesë e skuadrës japoneze, Sagan Tosu, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale njoftoi që ka ardhur momenti të tërhiqet nga futbolli.
“Duhet t’ju them diçka të rëndësishme. Pas 18 vitesh plot emocione, ka ardhur momenti për t’u dhënë fund karrierës sime si futbollist. Të dielën e ardhshme do të shpjegoj gjithçka të gjitha detajet në një konferencë për shtyp, në Tokyo”, shkroi Torres.

“El Niño” Torres debutoi me Atletico Madrid në 27 maj 2001. Në 2007 u transferua te Liverpool, ku shkëlqeu nën drejtimin e Rafa Benitez, ndërsa një vit më vonë shënoi golin e vetëm të ndeshjes në finalen e Evropianit të vitit 2008, aty ku Spanja mposhti Gjermaninë. Me kombëtaren spanjolle fitoi edhe Botërorin e vitit 2010 dhe Evropianin e vitit 2012.

Në vitet 2007-2011 luajti me Liverpoolin, për t’u transferuar më pas te blutë e Londrës. Të Chelsea fitoi Championsin (2012), Europa League-n (2013) dhe FA Cup (2012). Pasi e mbylli me skuadrën londineze, provoi, pa shumë sukses, një eksperiencë me Milanin në Serinë A.

KOHA JONË SONDAZH

