Totti zyrtarizon divorcin me Romën: Klubi më ka mbajtur jashtë nga çdo gjë!
Pas lamtumirës nga futbolli i luajtur sezonin e kaluar, Francesco Totti ka vendosur që të mbyllë aventurën edhe në rolin e drejtuesit. Një divorc i hidhur që erdhi në një dalje për mediat të legjendës, i cili vendosi që të sqaronte të vërtetën.
“Sot njoftova CEO-n e Romës mbi atë që nuk e kisha menduar kurrë, dorëheqjen time nga Roma. Ishte diçka e rëndë dhe e vështirë për t’u vendosur, por kushtet ishin të atilla, që duhet të merrja këtë vendim. E kam menduar gjatë këtë vendim, thuajse që nga muaji prill dhe konkluzioni ishte që duhet të vendosja në të mirë të Romës, për shkak të dashurisë që kam për këtë ekip dhe këto ngjyra. Presidentët ikin e vinë, trajnerët e futbollistët gjithashtu, por flamujt jo. Nuk di çfarë të them më”, tha Totti.
Largimi i tij përflitej prej javësh në ambientin sportiv në Itali, pasi ish kapiteni ishte lënë mënjanë dhe nuk thërritej në tavolinat ku diskutohej mbi planet dhe të ardhmen e klubit.
“Popullit roman duhet t’i them vetëm faleminderit, pasi më kanë trajtuar me respekt si brenda, ashtu edhe jashtë fushës. Do të vazhdoj të bëj tifo për Romën, pasi është një skuadër e zemrës time dhe për mua ka reputacion ndërkombëtar. Kam punuar me pasion dhe dëshirë për të bërë më të mirën për këtë skuadër, ndërsa tashmë do të vazhdoj të mbështes ekipin si tifoz. Është një mirupafshim, jo një lamtumirë, pasi në këto momente do të marr rrugë të tjera dhe në kohën e duhur, do të jem gjithmonë gati për t’u rikthyer”, tha ish-kapiteni në fjalën e tij.
KOHA JONË SONDAZH

