Zhegrova dëmtohet sërish, a do të jetë gati për duelin me Real Madridin?
Edon Zhegrova nuk u grumbullua për ndeshjen kundër Comos, ndërsa pjesëmarrja e tij në përballjen e Champions League ndaj Real Madridit, të mërkurën mbrëma, mbetet në dyshim të madh.
Anësori i Kosovës, i cili gjatë pushimit të kombëtareve luajti vetëm rreth 30 minuta në total për ekipin kombëtar, po përballet me një shqetësim në ijë dhe në zonën e pulisit, një problem që e ka ndjekur që nga sezoni i kaluar.
Pas rikthimit në Torino, kontrollet mjekësore kanë konfirmuar se problemi vazhdon, duke e detyruar trajnerin Igor Tudor të heqë dorë nga një lojtar që mund të ishte titullar në një nga tri ndeshjet e ardhshme.
Me vetëm 36 minuta në fushë në tre paraqitje, Zhegrova tani duhet të fokusohet në një program të personalizuar rikuperimi për të forcuar muskujt dhe shmangur rikthimin e dëmtimit.
Pyetja që shtrojnë tashmë tifozët bardhezi është: kur do të rikthehet Zhegrova?
Përgjigjja pritet në ditët në vijim, ndërsa lojtari do të monitorohet nga stafi mjekësor për të parë nëse dhimbjet do të zhduken.
Juventusi, pas përvojave të vështira me dëmtimet e Bremer dhe Cabal, po tregohet maksimalisht i kujdesshëm për të shmangur çdo rrezik.
Durimi mbetet fjala kyçe, por potenciali i Zhegrovës, i shfaqur edhe në minutat e pakta të luajtura, mbetet një nga shpresat kryesore për ta ndihmuar skuadrën të dalë nga momenti negativ.
KOHA JONË SONDAZH

