Home Editorial Turravrapi i ...

Turravrapi i përditshëm i një kryebashkiaku (video)

1112
0

Shënim: Editoriali “Turravrapi i përditshëm i një kryebashkiaku” është video, por edhe tekst. Nëse doni ta shikoni më të plotë duhet të klikoni te video.

Erion Veliaj e ka shpallur kandidaturën për rikandidim në Bashkinë e Tiranës për zgjedhjet e ardhshme vendore 2023. Ai, gjithashtu mori edhe drejtimin e PS së Tiranës, natyrisht me lejen e Edi Ramës. Por Erion Veliaj duket se po luan me kujdes vetëm për punët e bashkisë. Me ndërhyrjen e tij u vendos që viti 2022 të jetë Tirana si “kryeqyteti i rinisë europiane”. Natyrisht sado mik të kesh, nëse nuk ke parametrat e një kryeqyteti europian, nuk të jep njeri një emërtim të tillë, ndaj duket se vetë organizatorët e këtij evinimenti të madh europian vendosën t’ja japin bashkisë së Tiranës sepse kryeqyteti shqiptar ka bërë progres dhe rritje të standartëve.

Por në kushtet e Shqipërisë nuk mundesh kurrsesi të zhvillosh një qytet me parametra europian pa ndihmen e kryeministrit.

Me sa duket Edi rama nuk e ka harruar dashurinë  për Tiranën qëkur ishte kryebashkiak ndaj e ka hapur rubinetin e investimeve qendrore në bashkinë lokale.

Opozita, e cila synon të marrë Tiranën në zgjedhjet e ardhshme vendore, e ka të vështirë kapjen e bashkisë, sepse në Tiranë do të jetë përleshja e madhe vendore dhe politike.

Vendore do të jetë me punët që ka bërë Erion Veliaj dhe politike në raport me qeverinë qendrore.

Deri tani, duket se Erion veliaj ka kuotat më të larta se çdo kandidat i mundshëm nga opozita. Atë mund ta rivalizonte vetëm Jorida Tabaku, një deputete karizmatike e PD, por shanset që Berisha dhe Meta ta vendosin atë si kandidate përballë Erion Veliajt janë zero, sipas burimeve të sigurta nga selia blu e cila ka vulën Berisha.

Por Jorida Tabaku si kandidate e pavarur apo vetëm e një pjese të PD-së do të ishte humbje katastrofale për emrin e saj të mirë tiranas.

Tirana do të jetë përplasja për jetë e vdekje politike mes opozitës dhe PS-së së drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Sipas analistëve dhe një logjike politike elektorale në Shqipëri, po ra Tirana, ka rënë edhe qeveria në zgjedhjet e vitit 2023.

Ndaj duket se Erion veliaj  përveçse kryebashkiak që flet me punët e tija të bëra në këto vite drejtimi, ai do të jetë fortifikuar edhe nga baza socialiste si kryetar i PS-së së Tiranës.

Erion Veliaj po punon dhe po marketon bukur bashkinë, të dyja shkojnë paralelisht me njera tjetren, një stil i mësuar përbukuri nga Edi Rama. Edhe kryeministri luan mjeshtërisht në publik dhe me ndërkombëtarët, ndërkohë që në drejtimin e qeverisë është i rreptë dhe nganjëherë i paparashikuar në vendimet e tij.

Në të vertetë stoicizmi i kryebashkiakut në raport me Unazën e Re të zona që fillon nga ish-shqiponja deri të pallati me shigjeta, ku tashmë banorët e pranojnë se është investim gjigand dhe dobiprurës, kjo tregoi se duhej kjo Unazë, ndonëse pati përplasje, akuza etj. Në të vertetë aty Erion Veliaj fitoi edhe se PD-ja e kohës së protestave i shiti banorët dhe i keqpërdori politikisht për interesat momentale.

Po kështu shumë punë flasin vetë në kryeqytet, sikurse Unaza e Madhe Lindore apo investimi që po bëhet të kryqëzimi të TEG, një zgjidhje përfekte e cila jo vetëm zgjidh trafikun, por ruan edhe jetë njerëzish, pasi që nga koha kur u bë nga qeveria “Berisha 2”, atje kanë vdekur 12 qytetarë prej aksidenteve e prej rrugës së ndërtuar keq.

Erion Veliaj ka një problem me ndërtimet e shumta dhe sidomos në qendër të Tiranës, por kjo kërkon sondazh të pastër popullor pasi shumë veta e pëlqejnë këtë stil kullash sepse iu duket si një Manhaten amerikan, sikurse ka akuza se qendra mbytet nga mbipopullimi. Por përherë kur flitet në investime të mëdha që lenë gjurmë ndër breza do të ishte mirë që qeveria qendrore apo lokale të përdornin metodën e referendumit popullor. Dhe më pas nuk kishte gojë asnjeri të fliste. Në fund të fundit vendos shumica e votave popullore.

Sido të jetë, dikush akuzon, të tjerë lavdërojnë e shumëkush lumturohet me Tiranën e re të vitit 2022. Por kur vetë drejtuesit e BE të caktojnë Tiranën si kryeqyteti rinor europian 2022 do të thotë se kanë seleksionuar shumë kryeqytete dhe kanë vendosur se Tirana është më e mira për këtë vit.

Dhe përherë kur punët shkojnë mirë apo keq, drejtohemi të shikojmë kë kemi drejtues!

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit